Një Gjykatë në Budapest refuzoi kërkesën e Maqedonisë së Veriut, për të ekstraduar ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, i cili po qëndron në Hungari pasi ka fituar statusin e azilit politik.

Mediat hungareze raportojnë se arsye e refuzimit të kërkesës, ka qenë mospërmbushja e kushteve për ekstradim.

Ish-kryeministri maqedonas, thuhet se është arrestuar, dhe është dërguar para gjykatës hungareze me pranga në duar.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut i kanë paraqitur institucioneve hungareze kërkesën për ekstradimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Ai ka deklaruar se në vendin e tij është i ndjekur politikisht dhe se jeta e tij do të ishte në rrezik nëse do të dërgohej në vuajtjen e dënimit me burg të shpallur nga Gjykata në Shkup, për një rast të korrupsionit.

Nikolla Gruevski së fundi, është akuzuar edhe për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut më 27 prill 2017, si organizator i protestuesve për pushtimin e Kuvendit ku disa deputet pësuan lëndime të rënda, përfshirë edhe kryeministrin, Zoran Zaev, i cili atë kohë ishte lider i opozitës.