Sot, në Tiranë, në sallen UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar, u mbajt Akademia Përkujtimore për dëshmorin Bylbyl Breçani–“Hero i Kosovës”, dëshmor i Shqipërisë, “Qytetar Nderi” i Tropojës, organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Kosovës, Z. Ramush Haradinaj.

Në këtë veprimtari kishin ardhur personalitete të politikës, ushtrisë (gjeneralë e luftëtarë, veteranë të Luftës së fundit në Kosovë), të botës akademike e të letrave shqipe, të artit e kulturës, etj. nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Çamëria, Diaspora Shqiptare në Europë e Amerikë, nga Familjet e Heronjve të Kosovës, të komandant Agim Ramadanit (bashkëshortja e tij, Shukrije Ramadani – diplomate e Kosovës në Zvicër) e të Bylbyl Brecanit e të tjerë.

Për jetën e veprimtarinë e Heroit Bylbyl Breçani e Luftën e fundit në Kosovë, veçmas për Betejën legjendare e monumentare të Koshares dhe për kontributin e Shqipërisë në Luftën e Kosovës, veçmas të Tropojës e Qarkut të Kukësit, mbajti fjalë rasti z. Zenel Kuçana– Prefekt i Qarkut të Kukësit; Pershendetja e ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, z. Rrustem Berisha, u lexua nga shefi i kabinetit të Ministrit, z. Jashar Ramadani (vllai i Heroit Agim Ramadani); folën gjeneral Kudusi Lame–ish komandant i Divizionit të Kukësit, z. Syl Ukshini-ambasadori i Misionit të Kosovës në Shqipëri; z. Feriz Trezhnjeva–këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës foli për Betejen historike të Koshares; z. Erzen Breçani–kushëri i afërt i Heroit; u lexua një letër përshendetje nga Gjermania-nga Behxhet Krasniqi – vllai i Heroit të Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi, ish ministër i Mbrojtjes së Kosovës në Kohën e Luftës, etj.;

Kryeministri i Kosovës, z. Ramush HARADINAJ, dekoroi me Medaljen “Gjergj Kastrioti–Skenderbeu” Familjen e dëshmorit Bylbyl Breçani–“Hero i Kosovës”. Dekoratën e lartë ia dorëzoi z. Gazmend SYLAJ–këshilltari i Kryeministrit Ramush Haradinaj, e cila u pranua nga vllau i “Heroit të Kosovës” , nga z. Adem Hazir Brecani, i cili shprehu falenderimet e tij mirënjohëse për këtë vlerësim të Kryeministrit të Kosovës.

Në fund të Akademisë Përkujtimore, nga Juria me kryetar prof. dr. Bardhosh Gaçe – Mjeshtër i Madh, u ndanë çmimet e Konkursit Poetik me krijimtari për jetën e veprimtarinë e Heroit Bylbyl Breçani.

Në mbyllje të kësaj Akademie Përkujtimore përshendeten me këngët e tyre kangtarja kombëtare Fatmira Breçani–Mjeshtër e Madhe, motra e Heroit, me kangen “Dy Bilbila në Koshare”; kangtarja e njohur Vida Kunora me kangën “Ndize”; kënga “Komandant Katana” (për Heroin Agim Ramadani) në interpretim të artistit të shquar Reshat Arbana-Nderi i Kombit dhe Ansambli “Mirdita” – Mjeshtër i Madh me kangtare Mrika Trumshi e përkujdesje të z. Besnik Paci nga Mirdita;  këngë nga këngtari i ri Aranit Hoxha i Teatrit të Operas e Baletit; këngtarët popullor nga Kosova, Miran Mema e Faruk Hoxha me kangë për dëshmorin Bylbyl Breçani – Hero i Kosovës.

                                                   Ramiz LUSHAJ