Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë, është ulur në 26.9 për qind në periudhën janar – mars të këtij viti, në krahasim me 31.6 për qind sa ka qenë në periudhën tetor – dhjetor të një viti më parë.
“Këto statistika tregojnë edhe një fakt, që ulja e papunësisë ka ndodhur në grupmoshat 15-54 vjeçare. Nga 57.3 % të të papunëve nga kjo grupmoshë, tremujori i parë i 2019-tës, tregon një ulje për 7%, konkretisht 50.6 për qind”, ka deklaruar ai.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Haradinaj ka konsideruar se këto të dhëna përbëjnë lajm të mirë dhe janë dëshmi e zhvillimit të brendshëm ekonomik.
Kosova konsiderohet të jetë vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, e cila më së shumti është e theksuar te grup-moshat 15-24 vjeçare.