Sipas një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara, India do të dalë në vendin e parë në botë për numrin më të madh të popullsisë brenda më pak se një dekade, duke e larguar nga ky vend shtetin e Kinës.

Në Kinë dhe Indi tash për tash jetojnë 37 për qind e popullsisë botërore, e cila ka shkuar në mbi 7.7 miliardë. Në Kinë jetojnë rreth 1.4 miliardë njerëz, ndërsa në Indi rreth 1.3 miliardë.

Sidoqoftë, në raportin e Kombeve të Bashkuara për të ardhmen e popullsisë botërore, i cili u publikua këtë javë, thuhet se India do të jetë shteti me më së shumti banorë duke filluar nga viti 2027. Pritet që me kalimin e viteve, dallimi në numrin e popullsisë mes dy shteteve të rritet edhe më shumë.

“Mes viteve 2019 dhe 2050, pritet që popullsia në 55 shtete ose rajone të zvogëlohet për së paku 1 për qind”, thuhet në këtë raport. Shkaktarët e këtij zvogëlimi do të jenë shkalla e ulët e shtimit natyror dhe numri i madh i personave të zhvendosur.

Sipas këtij dokumenti, Kina do ta përjetojë tkurrjen më të madhe të popullsisë gjatë kësaj periudhe. Më saktësisht, popullsia kineze pritet të zvogëlohet për 31.4 milionë njerëz ose 2.2 për qind.

Në këtë raport parashikohet se numri i njerëzve në botë në vitin 2050 do të shkojë në 9.7 miliardë, shifër që paraqet rritje jashtëzakonisht të madhe për vetëm një shekull, shkruan “CNN”.