Në pështjellimin e sotëm politik retorika propogandistike po përpiqet që të përkeqësojë situatën, duke hedhur në turrën e druve edhe aktin unik publik: Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe duke rrezikuar republikanizmin si formë qeverisëse. U bënë thuajse tre dekada tranzicion dhe sërish politika shqiptare nuk ka mësuar se kur duhet të heshtë dhe kur duhet të flasë.
Kur flet Kushtetuta, respektivisht institucionet përfaqësuese dhe garantuese të saj, Gjykata Kushtetuese dhe, në mungesë të saj, Presidenti i Republikës, politika lypet të heshtë. Kur flet kriza politike dhe nevojitet dialog e kompromis për zgjidhjen e saj, politika duhet të flasë. Tek neve, rëndom ndodhë e kundërta.
Politika, e sidomos ajo pjesë që ka përgjegjësinë kryesore qeverisëse të vëndit derdhë gjithë proleksitetin e saj të padobishëm dhe të panevojshëm për interpretime kushtetutuese dhe vëndin e rolin e Presidentit në të. Ndërkohë që heshtë tërësisht për përgjegjësitë e krizës politike që ka shkaktuar vetë, duke mos hedhur asnjë hap për dialog e kompromis dhe duke mos ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e saj. Nuk ka më keq kur politika flet për atë që duhet të heshtë, dhe heshtë për atë që duhet të flasë.
Në këtë situatë kaotike të shkaktuar nga kriza politika, dhe përplasje institucionale, të shkaktuar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës është i vetmi institucion garantues, mbrojtës dhe interpretues i Kushtetutës. Pranimi i këtij fakti është ‘conditio sine qua non’ për të kapërcyer këtë vakumin institucional të shkaktuar nga sfidat e realizimit të reformës në drejtësi, për të nxjerrë vëndin nga kaosi politik si dhe për mos humbur momentumin për hapjen e negociatave për antarësim në Bashkimin Evropian.
Në mjedisin e toksikuar politik, në teatrin e polarizimit të skajshëm dhe midis ‘llogoreve’ në të cilat janë ngujuar palët kryesore të skenës politike shqiptare, Presidenti Meta, me përgjegjshmëri kushtetuese, ekuilibër politik, angazhim qytetar dhe bashkëveprim ndërkombëtar po bën përpjekje maksimale t’i kontribuojë mbajtjes së rendit kushtetues, unitetit politik dhe kohezionit social, mbrojtjes së pluralizmit politik dhe mënjanimit të shkarjes së vëndit në regjim hibrid.
Mbrojtja e Republikës
Në një dalje pulbike përpara pak ditësh, Presidenti Meta deklaroi se “Presidenti është i Republikës dhe Republika është e qytetarëve”. Nuk ishte një deklaratë e thjeshtë, por ishte thelbi filozofik i Kreut të Shtetit për të mbrojtur vlerat dhe parimet kryesore mbi të cilat ngrihet sistemi politik në Shqipëri. Nga ana tjetër, kjo deklaratë mbartë në vetevete edhe shqetësimin themelor që lypet të na shqetësojë thellë të gjithëve, që lidhet me cënimin e republikanizmit në kohën tonë.
Historikisht, teorikisht dhe praktikisht republika është një formë e qeverisjes, në të cilën shteti drejtohet nga përfaqësues që zgjidhen nga qytetarët. Republikat moderne janë krijuar mbi idenë që sovraniteti bazohet tek populli, organet drejtuese zgjidhen prej popullit, i shërbejnë popullit dhe kontrollohen nga populli. Bazuar në Kushtetutën e ShBA përcaktimi i republikës i referohet specifikisht formës së qeverisjes, në të cilën individët e zgjedhur përfaqësojnë trupën qytetare dhe qeverisin bazuar në sundimin e ligjit kushtetutues, duke përfshirë ndarjen dhe balancimin e pushteteve.
Në ditët që po përjetojmë këto vlera dhe parime të republikës janë tronditur, nga tranzicioni i zgjatur dhe kaotik, nga politikat anti-institucionaliste, nga mos funksionimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe tendenca për kontrollin politik dhe kapjen e tyre. Cënimi i vlerave dhe parimeve të republikës është kërcënimi më serioz që i kanoset vëndit në krizën aktuale, që dëmton shumë rëndë imazhin e Shqipërisë në sy të demokracive të konsoliduara në botë dhe që na largon cdo ditë e më shumë me Bashkimin Evropian, në një kohë që lypet t’i afrohemi cdo ditë e më shumë.
Mbrojtja e unitetit politik e kohezionit social
Një nga parimet më themelore të Kushtetuës së Shqipërisë, për të cilat Presidenti i Republikës ka përgjegjesi të drejtpërdrejtë është ruajtja e unitetit politik dhe kohezionit social të popullit. Uniteti politik dhe kohezioni social i popullit nuk janë të dhënë njëherë e përgjithmonë. Uniteti politik dhe kohezioni social kërkojnë investim të vazhdueshëm. Investimi më i mirë është parandalimi krizave politike dhe sociale, dhe, kur ato ndodhin, është menaxhimi paqësor për zgjidhjen e tyre bazuar në radhë të parë në kushtetutë dhe ligj. Athere kur situata e krizës tejkalon parashikimet kushtetuese e ligjore, pra del përtej kuadrit juridik, është emergjente që menaxhimi i krizës të bëhet me dialog dhe kompromis politik, për ta rikthyer sërish vëndin në binarët kushtetues dhe ligjor.
Kushtetuta dhe ligji prevalojnë në cdo kohë dhe mbi gjithcka. Ndërkohë dialogu politik është i përhershëm dhe i dobishëm sepse ka të bëjë me sigurimin e parimit mirëqeverisës të gjithëpërfshirjes në politikë-bërje dhe vendim-marrje. Ndërsa, kompromisi politik është domosdoshmëri në rastet e përballjes me zgjidhjen e krizave të ndryshme dhe rikthimin e normalitetit kushtetues e ligjor.
Ndërhyrjet e vazhdueshme të Presidentit Meta kanë qënë evidente qysh në fillimet e përkeqësimit të krizës politike në vënd. Meta ka vënë kushtetutën dhe ligjin të parët. Pastaj ka nxitur dialogun politik. E më tej ka bërë thirrje dhe përpjekje për kompromis. Meta i ka sugjeruar mazhorancës të heq dorë nga arroganca e kartonëve, nga mungesa transparencës, nga fryma përjashtimore , nga abuzimi me pozitën e saj dhe të bëjë hapa prapa për t’i hapë rrugë dialogut dhe kompromisit politik, akoma pa e futur vëndin në krizë institucionale. Nga ana tjetër, Meta nuk ka hezituar për të apeluar publikisht ndaj opozitës, duke sugjeruar që të vazhdojë aksionin e saj politik në dy dimensione njëherësh: në parlament dhe në aksion qytetarë si dhe duke i sugjeruar kurdoherë evitimin e shfaqjeve të dhunshme.
Të dy palët e politikës nuk i kanë konsideruar në kohën dhe në mënyrën e duhur mendimet dhe qëndrimet publike të Presidentit Meta. Athere, në këto rrethana ekstremizmi politik, Presidentit Meta nuk i mbetej gjë tjetër, vetëm të ndërmerrte hapa konkret për parandalimin e thellimit të përcarjes politike dhe rrënimit të kohezionit social në vënd. Palët kishin nevojë për kohë. Presidenti Meta ua dha kohën atyre. Palët politike, kryesisht mazhoranca qeverisëse, por edhe opozita në masën e saj, lypet të shfrytëzojë kohën për zgjidhjen e krizës në vënd që të vijojnë rrugën për thellimin e saj. Në këtë moment, për hir të unitetit politik dhe kohezionit social, Meta ka pranuar më mirë të bëhet target goditjesh politike, sesa t’i hapte rrugë përcarjes së popullit dhe përplasjeve sociale.
Mbrojtja e pluralizmit
Republika është formë qeverisëse që i ka rrënjët te përfaqësuesit e zgjedhur. Prandaj kusht themeltar i republikanizmit janë zgjedhjet pluraliste, të lira dhe të ndershme, gjithë përfshirëse dhe të fshehta. Kriza politike shqiptare duket të jetë parasëgjithash krizë e zgjedhjeve. Shqipëria ka pasur probleme serioze dhe të përsëritura me zgjedhjet. Ka pasur edhe kriza serioze të herë pas hershme me to. Vëndi ka ndërruar disa sisteme zgjedhore, por problemet kanë mbetur të njëjtat.
Në mënyrë të vecantë sistemi politik dhe zgjedhor në Shqipëri hëngri goditje të rëndë me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Protagonistët e këtij dëmi kushtetues janë aktorë kryesorë të skenës politke aktuale në vënd. Ishte vetëm Meta dhe struktura e tij politike, modeste asokohe, që bëri gjithcka kishte për të parandaluar dëformimet në sistemin politik dhe zgjedhor në Shqipëri. Protagonistët e kësaj faqeje të zezë kushtetuese në Shqipëri që janë ënde kryesorë në skenën politike shqiptareme sjelljen e tyre aktuale po provojnë qartësisht shprehjen popullore sipas së cilës “kush e krijon plagën nuk e shëron atë”.
Dallueshmërisht nga krizat zgjedhore që vëndi ka kaluar gjatë tranzicionit, duke përshirë edhe ato mbas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, kriza aktuale është më e rënda që është ndeshur deri tani. Kjo krizë lidhet drejtpërdrejt me impaktin negativ të krimit të organizuar në zgjedhjet e vitit 2017.
Mpleksja e krimit të organizuar me politikën zyrtare në procesin zgjedhor 2017 ka eksploduar krizën politike në vënd, ka pushtuar median prestigjioze ndërkombëtare si dhe po jep impakte direkte dhe indirekte edhe në marrëdhëniet ndërkombetare të Shqipërisë, sidomos në procesin e hapjes së negociatave për antarësim të vëndit në BE si dhe në regjimin e vizave në hapsirën Shengen për qytetarët e Shqipërisë.
Pra, situata po bëhet alarmante. Kriza e zgjedhjeve të vitit 2017 në Shqipëri tanimë nga një krizë e brëndshme, po shndërrohet në kriza me impakte ndërkombëtare. Dy rreziqe serioze kërcënojnë Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Shtyrja e hapjes së negociatave për antarësim në BE dhe ri-vendosja e regjimit të vizave për qytetarët shqiptar. Pasojat janë të paparashikueshme. Përgjegjesia bie mbi organizatorët e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe institucionet qeverisëse të dala prej tyre. Rënia e besimit po gërryen gjithcka. Drejtësia po hesht. Media ndërkombëtare po gjëmon. Këmbanat bien për ato që kanë veshë.
I vetmi zë, i qetë, i përmbajtur, institucional dhe dobiprurës në kaosin retorik aktual është Presidenti Meta. Politika shqiptare lypet ta dëgjojë me durim, vetëpërmbajtje dhe reflektim të thellë mendimin e tij. Palët të heqin dorë nga anatemimi i Presidentit. Palët të drejtojnë gishtin nga vetja e tyre. Të kërkojnë përgjegjësitë, por parasëgjithash të gjejnë rrugë daljen nga kriza. Ajo që u nevojitej palëve, Presidenti ua dha: KOHËN. Atë që i ndihmon palët, sërish Presidenti ua ofroi: DIALOGUN. Koha është nocioni filozofik më i cmuar. Dialogu është mekanizmi më i vyer e më i dobishëm për zgjidhje paqësore të krizave. Kaq mund të bëjë një president në kushtet e statusit të limituar kushtetues.