Kryeministri maqedonas Zoran Zaev bëri të ditur të dielën në mbrëmje se nuk do të ketë zgjedhje të parakohëshme parlamentare dhe as nuk do t’ia kthejë mandatin e kryeministrit, presidentit Stevo Pendarovski për çfarë kishte paralajmëruar para pak javësh.
Por, do të ketë riformatim të kabinetit qeveritar, siç njoftoi zoti Zaev, dhe atë në tetë poste ministrash. Po ashtu do të ketë ndryshime të zëvendës-ministrave dhe rreth njëzet drejtorë të ndërmarrjeve publike.
Kreu i qeverisë në Shkup pret që deri të premten t’ia dorëzojë parlamentit listën me emrat e rinjë dhe në fillim të javës së ardhëshme të votohet riformatimi i kabinetit.
Me këtë, zoti Zaev lë të kuptohet se nuk do të bisedojë më me Bashkimin Demokratik për Integrim meqë, sipas të gjitha gjasave kanë rënë dakord tashmë. Partia shqiptare drejton pesë sektorë në qeveri: Ministrinë e Arsimit, të Ekonomisë, Ambientit jetësor, si dhe Sekretariatin për çështje evropiane e Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Kjo e fundit është kthyer në ministri për sistem politik dhe sipas njoftimeve brenda partive qeveritare, do të vazhdojë të drejtohet nga një kuadr i BDI-së.
Sipas pritjeve, tek përfaqësuesit e BDI-së në qeveri nuk do të ketë ndryshime të mëdha, përveç kalimit të ministrit të Ambientit jetësor tek ministria e re për Sistem politik dhe ardhjes së një ministri të ri në krye të Ambientit jetësor. Për këtë është përfolur emri i Naser Nuredinit nga Vjena, për të cilin thuhet se nuk e njeh mirë as shqipen dhe aspak maqedonishten, por se do të komunikonte në anglisht me kabinetin qeveritar.
Për zotin Nuredini, i cili është dajli i një biznesmeni të njohur me prejardhje nga rrethina e Tetovës në Vjenë të Austrisë dhe dhëndër i akademikut Abdylmenaf Bexheti, nuk kanë folur publikisht as LSDM-ja e zotit Zaev e as BDI-ja e zotit Ahmeti.
Për riformatimin e qeverisë mjaftojnë 61 vota në parlament, të cilat i kanë LSDM-ja me BDI-në dhe dy partitë tjera më të vogla po ashtu partnere të koalicionit qeveritar, Alternativa dhe Rilindja Demokratike Kombëtare.
Ndërkohë, të hënën po shënohet një vjetori i Marrëveshjes së Prespës në mes Shkupit dhe Athinës që i dha fund problemeve afro 30 vjeçare lidhur me emrin Maqedoni. Marrëveshja e cila u quajt historike dhe u mbështet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evroian, ndryshoi emrin e fqinjit më të vogël në Maqedonia e Veriut duke hapur rrugën e anëtarësimit në NATO dhe afrimit në BE. Por, opozita maqedonase vazhdon ta quajë të dëmshme marrëveshjen sepse “ka prekur identitein kombëtar dhe historinë e popullit maqedonas”, sipas saj.
Nga ana tjetër, Marrëveshja duket se ka dobësuar pozitat e partisë në pushtetin grek, Syriza të Kryeministrit Alexis Tsipras dhe ai do të pësojë humbje në zgjedhjet e pritshme në Greqi, sipas analistëve.