Sipas shifrave të Shoqatës së Kolegjeve Mjekësore Amerikane, Shtetet e Bashkuara do të ndeshen me mungesa masive të personelit mjekësor gjatë dekadës së ardhshme, përfshirë 120 mijë mjekë deri në vitin 2030. Me plakjen e popullsisë dhe forcës punëtore në Shtetet e Bashkuara, mjekë e infermierë të ardhur si imigrantë nga vende të tjera po luajnë një rol gjithnjë e më të madh në kujdesin shëndetësor, sidomos në zona rurale ku nevojat janë më të mëdha. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ramon Taylor, kontributi i tyre mund të mos mjaftojë për të përballuar krizën.
Në zona rurale në të gjithë Amerikën, popullata që po plaket has në problemin e mungesës së qasjes në kujdes shëndetësor.
Në Danville të Pensilvanisë, një zonë me afro 4600 banorë, njerëzit duhet të bëjnë një orë rrugë me makinë për të shkuar në spital.
Qendra mjekësore në zonë thotë se punëson të huaj për të përmbushur nevojat në mënyrë që të ketë numrin e nevojshëm të infermierëve. Por mungesat në personel pritet të thellohen.
“Si shumë spitale të tjera në vend, spitali Geisinger duhet t’u përgjigjet nevojave të një popullate që po plaket. Duhet të shohim se ç’nevoja do të ketë forca punëtore në të ardhmen dhe të përgatitemi,” thotë një infermiere.
Spitali kërkon infermiere të specializuara si Hemoy Drummond nga Xhamajka.
“Nuk ishte e lehtë të zhvendosesha, pasi kam dy vajza. Zakonisht ne lëvizim për të jetuar më pranë të afërmve. Por e mora këtë iniciativë”.
Në shkallë kombëtare, afro 15% e infermiereve dhe 23% e ndihmës-mjekëve janë immigrantë, sipas shifrave të shoqatës “Ekonomia e Re Amerikane”. Qendra mjekësore Geisinger reklamon mundësi avancimi profesional për të tërhequr specialistë të huaj:
“Synoj që të marr çertifikim në shkencat neurologjike dhe ndoshta të bëhem menaxhere e ekipit të infermierëve,” thotë infermierja Hemoy Drummond.
Gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm pritet të ketë mungesa prej 1.3 milionë punonjësish në personelin shëndetësor. Mungesa të tilla priten në çdo specialitet të sektorit të shëndetësisë, që nga infermierët për të moshuarit në shtëpi e deri tek mjekët e specializuar, sidomos në zona rurale.
“Nëse analizojmë zonat urbane, kemi mbi 200 mjekë për çdo 100 mijë banorë. Në zonat rurale kemi rreth 82 mjekë për çdo 100 mijë banorë,” thotë Andrew Lim i organizatës “Ekonomia e Re Amerikane”.
Më 16 maj, Presidenti Trump njoftoi një plan të ri imigrimi të “bazuar tek meritat” e aplikantëve, por nuk është e qartë nëse kjo politikë do të ndihmojë për zbutjen e nevojave në sektorin shëndetësor, edhe nëse hyn në fuqi.
Spitali Chambersburg është një tjetër qendër shëndetësore që punëson specialistë të huaj. Thuajse gjysma e mjekëve e kanë mbaruar fakultetin mjekësor në vende të tjera.
“Kur bëmë intervista me aplikantët, nuk gjetëm kandidatë të mjaftueshëm ndër mjekët amerikanë që kishin aplikuar. Shumë amerikanëve nuk u pëlqen të punojnë në qyteza të vogla. Nëse kemi 10 aplikantë amerikanë, vetëm njëri e pranon ofertën për punë,” thotë Dr. Golam Mostofa.
Zëri i Amerikës bisedoi me 10 mjekë të spitalit Chambersburg, të ardhur nga vende të tjera. Nëntë prej tyre shprehen se duan të vazhdojnë punën aty.
“I dua pacientët që kam. E dua shumë punën që bëj këtu. Shumë mjekë, kur fillojnë punë diku lidhen me pacientët dhe e kanë të vështirë të ndryshojnë,” thotë Dr. Raghav Tirupathi, një mjek i ardhur nga India.
Mjekët nga India duhet të presin një kohë të gjatë para se të marrin statusin e rregullt, pasi agjencia që shqyrton aplikimet për leje qëndrimi është e mbingarkuar. Dr. Raghav Tirupathi thotë se shpreson që përkushtimi që ai tregon ndaj mirëqënies së banorëve të zonës do të vlerësohet.