Kryeministrja britanike Theresa May largohet sot nga drejtimi i Partisë Konservatore. Raundi i parë i votimit për zgjedhjen e pasardhësit të saj pritet të zhvillohet javën e ardhshme.
Zonja May mori detyrën pas referendumit të vitit 2016 për shkëputjen e vendit nga Bashkimi Evropian dhe shpenzoi pjesën më të madhe të tre viteve të fundit duke punuar mbi këtë plan. Ajo dështoi tre herë për të bindur anëtarët e parlamentit që të mbështesin marrëveshjen e saj për Brexit-in.
Kryeministri i ardhshëm do të ketë më pak se pesë muaj kohë për të vendosur nëse do të ringjallë planin e zonjës May duke e shtyrë përsëri Brexit-in, apo të vendosë për largimin nga Bashkimi Evropian pa asnjë marrëveshje.
Disa nga 11 kandidatët që garojnë për ta zëvendësuar zonjën May, përfshirë ish-ministrin e jashtëm Boris Xhonson, kanë thënë se planifikojnë të kërkojnë ndryshim të marrëveshjes, pavarësisht se Bashkimi Evropian është kundër rihapjes së negociatave për një gjë të tillë.