Papunësia ka shënuar rënie gjatë viteve të fundit, por punëkërkuesit më të zellshëm janë personat mbi moshën 35 vjeç.
INSTAT raportoi se në vitin 2018 janë regjistruar si punëkërkues të papunë rreth 74 mijë persona në të gjithë vendin, ku shihet se mbi 54 mijë persona ose 72% e tyre janë mbi moshën 35 vjeç.
Numri i personave 20-34 vjeç në kërkim të një pune ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2018, në këtë grupmoshë, u regjistruan të papunë rreth 18 mijë persona, nga 47 mijë që ishin në vitin 2013.
Rënia e papunësisë në këtë grupmoshë lidhet me shumë arsye, por një ndër faktorët kryesorë është emigracioni i lartë, rënia e popullsisë dhe një përfshirje më e madhe e tyre në tregun e punës.
Gjithashtu numri i personave që kërkojnë punë ka pësuar rënie të ndjeshme vitin e kaluar. Sipas të dhënave që i referohen Shërbimit Kombëtar të Punësimit janë regjistruar të papunë 74,684 persona me një rënie 16% në raport me një vit më parë.
Në fillim të vitit 2019, popullsia 15-29 vjeç u tkurr me 42 mijë persona krahasuar me fundin e vitit 2015, me një rënie 5.2%. Duke qenë se jo e gjithë popullsia në moshë pune merr pjesë në forcat e punës, efekti që ka dhënë rënia e numrit e të rinjve në papunësinë e kësaj moshe është edhe më i madh – shpjegojnë ekspertët e sektorit të statistikës.
Ky është vetëm një shembull se forca e punës po ridimensionohet me shpejtësi, duke pësuar një rënie shumë të madhe për grupmoshat e reja dhe duke shënuar rritje të fortë për forcën e punës mbi 50 vjeç.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT flasin për një rritje konstante të masës së popullsisë në moshë pune, gjatë 18 viteve të fundit, por projeksionet e fundit tregojnë se rritja tashmë e ka arritur kulmin dhe pritet që vitet në vijim të shënojnë rënie graduale të popullsisë në moshë pune.
Kjo është hera e parë që vendi ynë ndeshet me një zhvillim të tillë demografik, deri tani i panjohur nga ekonomia jonë.
Analistët e Bankës Qendrore lajmërojnë se rrjedhojat e tij shpejt do të fillojnë të ndihen në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore në vend, duke nisur nga nivelet e ndryshme të arsimit e deri tek implikimet më të rëndësishme ekonomike të lidhura me prodhimin e brendshëm, produktivitetin, konsumin, skemat e sigurimeve shoqërore, standardin e jetesës etj.