Kryeministri kosovar para nisjes për në Berlin tha se “Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave të përbashkëta”.
“Kjo vizitë pune do të ketë për qëllim thellimin e marrëdhënieve dhe besimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë si partnere strategjike. Bashkëpunimi i bazuar në besim është i domosdoshëm në rrugëtimin e Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime evropiane dhe në fushën e sigurisë. Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave tona të përbashkëta”, shkroi në profilin e tij para nisjes për në Berlin kryeministri Ramush Haradinaj. Një kërkesë e veçantë nga Haradinaj për kancelaren Merkel, është konfirmimi final i Gjermanisë për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasiqë Kosova tashmë i ka plotësuar kriteret për liberalizim dhe një konfirmim final i Gjermanisë sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës është siguri e madhe për shumë vende dhe qeveri të BE-së që ti thonë Po liberalizimit të vizave për Kosovën.
Vizita në kryeqytetin e Gjermanisë e Haradinajt, ndodhë pas Samitit të Berlinit, ku kryeministrat dhe presidentët e vendeve të rajonit, ishin të ftuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti francez Macron. Vazhdimësi e këtij Samiti është takimi në Paris me një korrik, ku kësaj radhe temë e vetme e këtij takimi është dialogu Kosovë-Serbi. Një delegacion gjermano francez ishte të hënën në Kosovë, ku takoi të gjithë udhëheqësit politik kosovar, për të marr qëndrimet e tyre para takimit të Parisit. Pala kosovare, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj, ndonëse në takime të ndara thanë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë pa kushtëzime dhe taksa e vendosur ndaj mallrave të Serbisë do të mbetet në fuqi. Serbia nga ana e saj, nuk pranon që të rikthehet në dialog, pa e hequr Prishtina taksën ndaj prodhimeve të Serbisë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës pas takimit të Parisit dhe sipas tij, nëse Prishtina nuk e heq taksën deri me një korrik, masat kundër Kosovës do të jenë të rrepta, por pa u dëmtuar siç thotë serbët e Kosovës.
Kosova dhe Serbia ka disa muaj që kanë ndërprerë dialogun pas vendosjes së tarifës 100% nga qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë. Kjo masë sipas udhëheqësve politik kosovar është vendosur për shkak të siç thonë “agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës.