Me mocionin e votëbesimit opozita rrëzoi kancelarin Kurz dhe të gjithë kabinetin qeveritar. Ky ishte mocioni i parë i votëbesimit që u miratua në historinë e Austrisë.
Mocioni i votëbesimit në parlament i dha fund qeverisjes nga kancelari i partisë konservatore ÖVP në Republikën e Alpeve. Sebastian Kurz dështoi në mocionin e parashtruar kundër tij dhe qeverisë së tij prej partisë socialdemokrate (SPÖ), partia më e madhe në opozitë. Shumica e parlamentarëve nuk i dha votëbesim qeverisë në valën e aferës së “Videos Ibica”.
SPÖ konsideron Kurz si përgjegjës për krizën politike
Që nga paraditja (27.05) në Këshillin Nacional në Vjenë u zhvillua mbledhja e jashtëzakonshme për mocionin e votëbesimit. Opozita akuzoi kancelarin, si bashkëpërgjegjës në krizën qeveritare të shkaktuar prej “videos Ibica”, sepse kishte zgjedhur si partnere koalicioni partinë e djathtë FPÖ.
Kryetari i partisë konservatore ÖVP mban përgjegjësi për kaosin aktual, tha zëvendëskryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve, Jörg Leichtfried, gjatë debatit parlamentar. “Qeveria Kurz është e dështuar”, nxori ai si konkluzion. Kryetarja e socialdemokratëve Pamela Rendi-Wagner paraqiti zyrtarisht mocionin: “Zoti kancelar, ju nuk gëzoni besimin e deputetëve socialdemokratë”. Kurz gjatë dhjetë ditëve të fundit të krizës qeveritare nuk ndërmori masa për krijimin e besimit”, argumentoi Rendi-Wagner vendimin e saj.
Kurz iu referua “Të mirës për shtetin”
32-vjeçari i hodhi poshtë akuzat e ngritura. Ai kritikoi nga ana e tij SPÖ, që e shtriu mocionin ndaj të gjithë kabinetit qeveritar.”Tani doni të rrëzoni edhe të gjithë qeverinë, pak muaj para zgjedhjeve, kjo është diçka që askush në vend nuk mund ta kuptojë”, tha ai gjatë debatit parlamentar. Kush do të rrezojë tani të gjithë qeverinë nuk mendon për të mirën e shtetit, tha ai.
Përpara debatit parlamentar partia populiste e djathtë FPÖ, deri para pak ditësh partnere e kaolicionit qeverisës, komunikoi se do ta mbështesë mocionin e SPÖ ndaj qeverisë dhe kancelarit.
Kriza politike u shkaktua prej skandalit të videos në Ibica me kryetarin e FPÖ-së dhe zëvendëskancelarin Heinz-Christian Strache. Ky i fundit ishte filmuar i rënë në një grackë më 2017 në Ibica para zgjedhjeve parlamentare, duke negociuar me një të paraqitur si mbesë e një oligarku rus për ndihma elektorale duke i premtuar asaj tendera shtetërorë. Pas publikimit të videos Strache dha dorëheqjen nga të gjitha postet. Kurz qeverisi në vazhdim me kabinetin e pakicës, ndërsa ministrat e FPÖ u zëvendësuan me ekspertë.
Presidenti Van der Bellen duhet të vendosë
Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen pas dështimit të kancelarit Kurz duhet të shkarkojë kabinetin qeveritar. Van der Bellen deri në zgjedhjet e reja duhet të emërojë një qeveri teknike. Zgjedhjet në Austri janë planifkuar për në shtator.
qu/uh (dpa, afp, rtr, ORF)