Një flamur që valoi një ditë mbi kupolën e Kongresit amerikan, iu dhurua veprimtarit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari.
Kjo ishte pjesë e ceremonisë ku u nderua familja e zotit Bajraktari me një deklaratë që do të ruhet në regjistrin e Kongresit amerikan, aty ku mbahen gjithë dokumentet për debatet dhe vendimet e Kongresit.
Nderimi u bë me nismën e Kryetarit të Komisionit për Çështjet e Jashtme, ligjvënësit, Eliot Engel, me rastin e 50 vjetorit të ardhjes dhe kontributit të tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Historia e kësaj familjeje, është një histori suksesi e ëndrrës amerikane.
Ishte shkurti i vitit 1969 kur familja Bajraktari la Vranocin, fshat ky në rrethinën e Pejës.
Kur ikën nga Kosova, dekada më parë, gjendja e tyre ekonomike ishte e rëndë.
Por, vendimi për të emigruar për në Amerikë, doli të jetë vendim i duhur për ta. Kjo sepse vite pas, gjendja ekonomike u ka ndryshuar tërësisht.
“Kur e shikon familjen Bajraktari krejt çfarë mund të thuash është Zoti e bekoftë Amerikën. Prandaj jam mbështetës i emigrantëve, që vijnë në SHBA, sepse ata ndërtojnë vendin. Harry Bajraktari është imazhi i rëndësisë së emigrantëve dhe kontributit që ata japin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha në fjalimin e tij përpara të pranishmëve Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme, ligjvënësi Eliot Engel.
Ndonëse rrethanat e tij kanë ndryshuar, zoti Bajraktari ende kujton sfidat e fillimit.
Në fjalën e tij përshëndetëse për të pranishmit, veprimtari shqiptaro-amerikan kujtoi jetën dhe veprën e prindërve të tij.
“Për 15 vite nëna ime ishte pastruese. Ajo nuk dinte shkrim dhe lexim në gjuhën angleze. Mësoi si të shkonte në punë me metro. Duhet të mbante familjen. Dëshironte të ndryshonte jetën tonë. Jemi të bekuar, sepse kur kujtoj të kaluarën në Kosovë ishim shumë të varfër, nuk kishim ushqime të mjaftueshme. Por pastaj erdhëm në këtë rrugëtim të mrekullueshëm”, tha zoti Bajraktari në këtë ceremoni nderi.
Edhe pse larg, zoti Bajraktari nuk e harron vendin të cilin e la dekada më parë.
Ai është angazhuar vazhdimisht për çështjen e Kosovës dhe gjithmonë ka gjetur mbështetjen e mikut të shqiptarëve, Eliot Engel.
“Për 30 vite punova në shumë cështje. Por, kënaqësinë më të madhe e ndiej për lirinë e Kosovës dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO. Harry ishte me mua në çdo hap. Ai më ka mësuar gjithçka që di, që kur erdhi në zyrën time në vitin 1989 dhe më tha se dëshiron të flas me mua për Kosovën, duke më treguar gjithçka”, ishin fjalët e zotit Engel pasi i ndau deklaratën e nderit shqiptaro-amerikanit, Harry Bajraktari.
Veprimtari Bajraktari tha se në atë kohë, dukej e pamundur liria dhe pavarësia e Kosovës.
“Jemi amerikanë krenarë, jemi shqiptarë krenarë dhe jemi me shumë fat që kemi parë ndryshime pozitive në vendlindje, në 30 vitet e fundit. Të mendoje atëherë se Kosova do të bëhej shtet i lirë dhe i pavarur dhe se Shqipëria do të ishte pjesë e NATO-së, të kujtonin për të çmendur”, shtoi zoti Bajraktari.
Megjithatë, këtu u tha se asnjëherë nuk u shua besimi për Kosovën e lire dhe të pavarur. Puna për të ardhmen e re të Kosovës vazhdonte.
“Më kujtohet historia kur një vit serbët më refuzuan hyrjen në Kosovë. Shkova pa vizë, për të provuar nëse do të më lejonin të hyja. Nuk më lejuan. Pastaj organizova një konferencë shtypi. Aty pata thënë se sot po mundohem të hyjë në Kosovë, por Millosheviçi nuk po më lejon. Por dua t’i them atij diçka: një ditë ne do të jemi në Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe nuk do ta lejojmë atë të hyjë brenda. Dhe ashtu doli”, tha zoti Engel.
Nderimi që Kongresi i bëri veprimtarit shqiptar, është nder për mbarë kombin, thanë ambasadoret e Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat morën pjesë në ceremoni.
“Në një kohë kur Kosova nuk ka pasur fare ambasadë, në një kohë kur Kosova nuk ka mundur të gjindet as në hartë në Uashington, kanë qenë shqiptaro-amerikanët si Harry Bajraktari dhe familja e tij që kane folur për ne, kane ngritur zërin për ne dhe kanë ndërtuar miqësi, siç e pamë miqësinë mes Kongresmenit Engel dhe Harry Bajraktarit, të cilat në fund nuk kanë qenë në funksion të familjes Bajraktari, por kanë qenë në funksion të Kosovës dhe në funksion të çështjes shqiptare në përgjithësi”, tha Vlora Çitaku, amasadore e Kosovës në Uashington.
Po kaq e nderuar ndjehet edhe ambasadorja shqiptare në Amerikë, Floreta Faber.
“Këtu jemi në godinën e Kongresit amerikan ku është një simbol i demokracisë dhe lirisë për një numër të madh vendesh dhe popujsh në botë. Çfarë më bën tepër krenare sot është se sa herë u përmend fjala shqiptar dhe se sa shumë u fol për një familje që ka filluar nga fillimi dhe ka arritur që jo vetëm të mbajë familjen e tij por te jap kaq shumë për Shqiperinë, për çështjet shqiptare, per komunitetin shqiptar”, ishin fjalët e saj në mbarim të ceremonisë.
Lobimi i Harry Bajraktarit për çështjen shqiptare vazhdon edhe sot. Ai, veç biznesit të pasurive të patundshme në Amerikë, ka investuar edhe në Kosovë, duke krijuar mundësi punësimi për qytetarët.
Zoti Bajraktari jeton në Bronks të Nju Jorkut, ku edhe ndodhet kompania e tij e suksesshme.