Duke filluar nga muaji qershor, në Maqedoninë e Veriut do të rriten pensionet dhe ndihma sociale.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska shpreson se deri në fund të këtij muaji të kalojë në Kuvend pakoja e ligjeve sociale. Në një intervistë për Evropën e Lirë theksoi se pagesa do të fillojë nga muaji qershor.

Ulja e varfërisë në shtetin tonë veçanërisht e varfërisë së fëmijëve, është prioritet i kësaj qeverie dhe këtë e kemi treguar edhe me përgatitjet intensive në këtë reformë dhe me kalim sa më të shpejtë të ligjeve nëpër procedurat qeveritare.

Por, sikur edhe secila reformë, edhe kjo reformë kërkon bisedime, kërkon të dëgjohen të gjitha palët e prekura, siç janë shoqatat e qytetarëve, po ashtu edhe vetë qytetarët e prekur, po ashtu edhe partitë politike dhe të gjithë ata që në Kuvend duhet të votojnë këtë reformë. Unë tani jam e sigurt se gjatë këtij muaji do ta miratojmë dhe se që në muajin e ardhshëm do të fillohet me pagesat”, theksoi ministrja Carovska.

Me pakon e ligjeve sociale, për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç që nuk kanë plotësuar vitet për përfitimin e pensionit do të jepen nga 6100 denarë. Kusht për këtë kategori është që të kenë jetuar së paku 15 vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut. Ndërsa ndihma sociale do të shënojë rritje deri në 200 euro për një familje katër anëtarësh, por rritje do të ketë edhe për kategoritë e tjera, raporton agjencia e lajmeve “Ina”.