Ballina Aktualitet Merkel: Populistët duan të shkatërrojnë Europën

Merkel: Populistët duan të shkatërrojnë Europën

Kancelarja reagon pas skandalit me zv.kryeministrin austriak

Tërmeti politik që përfshiu Austrinë, ku kancelari Sebastian Kurz thirri zgjedhjet e parakohshme, solli reagimin e kancelares gjermane Angela Merkel. Pas video-skandalit të zv.kryeministrit austriak, lideri të ekstremit të djathtë Heinz Christian Strache, Merkel ndërmori një sulm të drejtpërdrejtë ndaj populistëve, vetëm 1 javë nga zgjedhjet në Parlamentin Europian.

Shefja e qeverisë gjermane u bëri thirrje politikanëve europianë të bashkohen kundër partive të ekstremit të djathtë, të cilat i akuzoi për korrupsion.

“Po përballemi me këto rryma. Ata duan të shkatërrojnë Europën dhe vlerat tona. Prandaj ne duhet të ngrihemi me vendosmëri. Europa është një projekt paqeje, lirie dhe prosperiteti. Nacionalizmi është armiku i projektit europian.”

Më herët edhe pasuesja e Merkel në krye të CDU-CSU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, tha se ky skandal tregoi se populistët janë të përgatitur të shesin interesat e vendeve të tyre për përfitime personale.

Zv.kryeministri austriak, Heinz Christian Strache, u përfshi në një skandal korruptiv të publikuar nga dy media gjermane, “Spiegel” dhe “Sueddeutsche Zeitung”.

Në videon e xhiruar në vitin 2017, lideri i ekstremit të djathtë austriak ofron fitimin e tenderave të disa autostradave në Austri, në këmbim të blerjes së gazetës “Kronen Zeitung”, që më pas do të mbështeste në linjë editoriale partinë e tij. Pas dorëheqjes, Strache tha se ishte viktimë e një sulmi politik.