Hasan Prishtina për “La Transalpine”, (1927)
“La Liberté” ka botuar, të premten e 8 korrikut 1927, në faqen n°3, intervistën e Hasan Bej Prishtinës, dhënë asokohe gazetës “La Transalpine”.
Politikani i njohur shqiptar, ndër tjera, ka shprehur mendimin e tij mbi me reagimin e kundërshtarit politik dhe personal të tij, Ahmet Zogut, ndaj Jugosllavisë.
Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë intervistën e plotë për publikun shqiptar :
Deklarata të rëndësishme nga një ish-Kryeministër shqiptar:
Vjenë, 7 korrik. — Incidenti (Arrestimi i përkthyesit të legatës jugosvalle në Tiranë, Vuk Gjurashkoviç – Vouk Djourachkovitch, për çështje spiunazhi) midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë është zgjidhur përfundimisht. Megjithatë, rifillimi i marrëdhënieve diplomatike midis dy qeverive nuk do të jetë aq i shpejtë sa mund të ishte shpresuar. Në të vërtetë, përfaqësuesit e të dy vendeve do të zëvendësohen dhe ardhja e tyre në destinacion duhet të ndodhë në të njëjtën kohë, konsiderohet se do të zgjasë dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë përpara se të rifillojnë përfundimisht marrëdhëniet diplomatike.
Një prej emigrantëve politikë më eminentë shqiptarë, Hasan Bej Prishtina, ish-President i Këshillit të Shqipërisë, kundërshtar politik dhe personal i Ahmet Zogut, bëri deklarata të rëndësishme për shtypin :
“— A është e vërtetë, e pyetën z. Hasan Bej, se Shqipëria përbën një rrezik për Evropën ?
— Ky lajm është përhapur nga disa gazeta në Beograd. Por për të kuptuar se kjo është vetëm një zhurmë tendencioze, duhet të kujtojmë se këto gazeta filluan të flasin për rrezikun vetëm ditën kur Shqipëria u bë e pavarur nga politika e Beogradit. Unë jam një kundërshtar i ashpër i Ahmet Zogut, por duhet të pranoj se këtë herë ai ka vepruar, me të vërtetë, në mënyrë të arsyeshme.
— Dhe çfarë mendoni për formulën që përsëritet kaq shpesh : Ballkani për popujt e Ballkanit ? e pyetën sërish Hasan beun.
— Kjo është një formulë e shkëlqyer, me kusht që vetë Ballkani të fillojë të japë shembullin. Për shembull, si mund të flitet për “vëllazërim” mes jugosllavëve dhe shqiptarëve, nëse Beogradi vazhdon politikën e tij të përndjekjeve kundër pakicave shqiptare ? Z. Fernand Draga, deputet nga Kosova, u dënua me 20 vjet burg sepse… ai donte të mbronte të drejtat e shqiptarëve. Mund të ju japim një listë të gjatë persekutimesh kundër shqiptarëve… Në këto kushte, si të arrihet një “vëllazëri ballkanike” ? — (La Transalpine.)”