Besim S. Nuredini, që po i mbrri 78 vite (i 3 tetorit 1941) nga Kërçova e Iliridës, si shumë bashkëkombas të tij shqiptarë në Ish-RSFJ, u detyrua nga kushtet e kohës të marrin rrugët e mërgimit me qëllim për të siguruar një jetë më të mirë të familjes së tij. Në fillim të vitit 1965 emigroi në Vjenë të Austrisë, ku jetoi e punoi mbi tre vite, po duke e parë se të ardhurat e tij, që i siguronte me djersë të ballit, nuk i mjaftonin për të ndihmuar familjen e vet në vendlindje, si dhe për të dhënë kontribute monetare për kombin nëpërmjet organizatave shqiptare në mërgim, që ishin shtrirë nëpër shumë shtete evropiane, e mori vendimin për t’u largua drejt Gjermanisë. Në fillim u vendos në qytetin Tübingen dhe, me pas, në Düsseldorf.

“Baca Besim”, siç i thërrasim me respekt e mirënjohje, ia nisi punës si punëtorë në shtetin gjerman, derisa e mori inisiativën e mirë e të guximshme për të hapur një restorant me specialitete evropiane, ku pati suksese në këtë biznes.

Me punë e kontributet e tij, me mirëpritjet në restorantin e tij, me nderimet e nderat e tij, emri i Bacë Besimit të Kërçovës filloi të jetë i njohur për bashkëkombas tanë në Düsseldorf e më gjërë në lande të Gjermanisë, në Mërgatën Shqiptare, në Iliridë e Kosovë.

Shqiptarit të mirë, Bacë Besimit të Kërçovës, filluan t’i drejtohen kërkesat për ndihmë nga të gjitha trojet shqiptare. Ai, pa u hamendur fare, me atdhetari e bujari filloi të ndajë mjete për “Studentë të Iliridës”, ta mbështesin ish-rektorin e Universitetit të Tetovës, prof. Fadil Sylejmanin në misionin e tij. Bacë Besimi e kishte derën e tij të hapur derisa ky universitet shqiptar, me përpjekje të vazhdueshme e sakrifica të mëdha, me ndihma panshqiptare e ndërkombëtare, u shpall Universitet Shtetëror, që, sivjet, më 4 qershor 2019, i ka 25 vite, një çerek shekulli, nga themelimi i tij.

Themelimi Fondit të Qeverisë së Kosovës në ekzil ishte i mirëpritur edhe nga Bacë Besimi i Kërçovës, i cili i kreu me gjithë dëshirë e vullnet të mirë obligimet atdhetare, sikur të ishte shqiptar i Kosovës, duke ndarë jo vetëm 3 për qind, por duke marrë pjesë veprimtare e kontributeve edhe në të gjitha aksionet e marra për grumbullimin e mjeteve të duhura financiare, në drejtim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Gjithnjë, Bacë Besimi ishte pjesmarrës aktiv në të gjitha demonstratat atdhetare masive për Kosovën e lirë e sovrane, të mbajtura në Gjermani, Bruksel (Belgjikë) e Zvicër.

Nga dalja në skenë e forcave të UÇK-së, Bacë Besimi i Kërçovës, i Iliridës e i Kosovës, me vullnetin e tij më të madh ndihmoi materialisht e financiarisht vetëm e vetëm që Kosova të çlirohet nga pushtuesi serbo-sllavë, të fitojë Lirinë e Pavarësinë, të krijojë e fitojë shtetësinë e vet në territorin e vet e me njohje ndërkombëtare, me antarësime në organizma e organizata ndërkombëtare deri në OKB.

Bacë Besimi ishte i pari në Düsseldorf me rrethina, që priti e përcolli drejt frontit të Luftës në Kosovë, duke filluar nga përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm e deri ushtarë vullnetarë për liri e pavarësi të Kosovës.

Nga dita e fillimit të Luftës së lavdishme të Kosovës e deri në përfundim të saj, Bacë Besimi i Kërçovës, i Iliridës e Kosovës, nuk u ndalë së ndihmuari materialisht e financiarisht të gjitha trojet etnike shqiptare.

Edhe pse sot, kur Bacë Besimi i Kërçovës, i Iliridës e Kosovës, po i mbrri të 80-tat e jetës së tij, ende ka shpresë të madhe se një ditë (qoftë sa më e afërt) do t’i realizohet ëndrra e tij për Shqipërinë Etnike, të cilës ia ka kushtua gjithçka të mirë e të mundshme në jetën e tij, nga pjesëmarrja aktive në demonstrata, nga kontributet e mirënjohura për arsimin shqiptar në Iliridë, për Luftën e Kosovës, për arsimin, shëndetësinë e kulturën në Kosovë, etj.

Për kontributet e tij të dhëna për Çështjen Kombëtare Shqiptare, për arsimin e kulturën shqiptare, për humanizmin e tij, Bacë Besim S. Nuredinit të Kërçovës, të Iliridës e Kosovës, nga Gazeta e Alpeve “Tropoja”do t’i ndahet një “Mirënjohje”.

 

Gjermani, 19 maj 2019