Antarktida Perëndimore po përballet me shkrirjen e akullnajave për shkak të ngrohjes së ujit të detit. Kërkimet e publikuara në “Geophysical Research Letters” zbulojnë se akulli po shkrin pesë herë më shumë se në vitin 1990.
Rreth 24% e akullit konsiderohet si i paqëndrueshëm dhe është gati të bjerë në sipërfaqen e ujit. Kështu, sasia e akullnajave po zëvendësohet me nivele të larta ujore, për shkak të ngrohjes globale. Kjo shkrirje pritet të rrisë nivelin e detit në të gjithë rruzullin tokësor.
Për shkak të ngrohjes globale, edhe reshjet e borës janë më të pakta. Nëse më parë ato zëvendësonin në një farë mënyre akullin që shkrinte, kjo tashmë është e pamundur, pasi temperaturat e larta janë dominuese ndaj atyre të ulëta. Ky hulumtim ka marrë në analizë ndryshimet që kanë ndodhur prej vitit 1992 deri në 2017, bazuar në kushtet klimaterike.
Që në Dhjetorin e vitit të kaluar, studiuesit e paralajmëruan këtë situatë e në fakt ndryshimet janë të ndjeshme. Masa e akullnajave pritet të reduktohet me ritme të shpejta e sipas CNN kjo do të sjellë ndryshime globale që do të ndikojnë në jetën tonë.