Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu deklaron se Edi Rama duhet të largohet dhe palët politike duhet të ofrojnë sa më shpejt në zgjidhje për krizën politike.

Ai propozon edhe disa emra të pavarur për qeverinë tranzitore si: Arben Malaj, Arta Dade, Ylli Bufi, Rexhep Mejdani, Besnik Mustafaj, Rexhep Uka, Myqerem Tafaj.

“Unë mendoj që duhet të bëjmë zgjedhje të parakohshme lokale dhe parlamentare, ndoshta pas gjashtë muajsh.

Dhe këtë periudhë gjashtëmujore duhet të kemi një qeverisje që përbëhet nga figura që kanë pasur autoritetin për të kontestuar të keqen brenda forcës së tyre politike, por edhe që kanë qenë me një eksperiencë politike të vlefshme që mund të garantonin një marrëdhënie të qëndrueshme të të dy krahëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Po cilët mund të jenë këta përfaqësues nga ana e shumicës dhe opozitës?

“Po ju them disa emra, Arben Malaj, Arta Dade, Ylli Bufi, Rexhep Mejdani, Besnik Mustafaj, Rexhep Uka, Myqerem Tafaj.

Pra ka shumë autoritete të cilat besoj kanë frymën dhe interesin për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe i kanë shërbyer me sinqeritet interesave të vendit. Këta janë elementë që e tejkalojnë interesin e palëve.

Përveç kësaj, mendoj që Shqipëria ka figura të rëndësishme nga bota akademike dhe intelektuale, që nuk kanë lidhje apo interesa qoftë nga pikëpamja ekonomike, qoftë kriminale”, thotë Mediu.

m.v./G.M.