Ballina Aktualitet Haradinaj: Heqja e bisedimeve nga duart e Mogherinit është largim nga idetë...

Haradinaj: Heqja e bisedimeve nga duart e Mogherinit është largim nga idetë për ndarje të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të martën se largimi i bisedimeve Kosovë-Serbi nga duart e shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini, është veprim i duhur për ta mbrojtur Kosovën nga ndarja e saj.

Ai tha të martën pas mbledhjes së qeverisë, se idetë për ndarjen e Kosovës kanë bërë që nivele të larta të Bashkimit Evropian ta zhvendosin procesin e bisedimeve në takimin e muajit të kaluar në Berlin dhe në takimin e Parisit që pritet të zhvillohet në muajin korrik.

“Mogherini tha në Tiranë hiqeni taksën dhe do t’ua ndaj Kosovën menjëherë, i ra ashtu, sepse tha, sapo ta hiqni taksën do ta thërras takimin. Faleminderit Zotit që kemi qëlluar disa në vend që t’i shohim këto projekte me kohë, nuk hiqet taksa. Mogherini e ka përfunduar mandatin e vet. Evropianët janë ata që ja japin rrogën Mogherinit sepse ata e paguajnë, është zyrtare e tyre, ata ja kanë larguar një herë këtë agjendë dhe na kanë bërë nder të madh si Kosovë, i falënderojmë shumë pastaj e vlerësojnë vet si të shkohet më tutje” tha zoti Haradinaj.

Megjithatë, ai tha se këto takime nuk e përjashtojnë rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, duke hedhur poshtë idetë që vijnë nga Serbia për mundësinë e përfshirjes së Rusisë.

“Rusia është tërheq prej Ballkanit kohë të gjatë, ne nuk e parashohim në asnjë agjendë tonën Rusinë, nuk i takojmë botës së Rusisë, ne i takojmë botës së Amerikës. Amerika nuk është tërheq asnjëherë, janë disa prononcime këtu për qëllime ditore se si samiti i Berlinit ose takimi i Parisit është përjashtim i Amerikës. Nuk është Amerika dikush që përjashtohet prej proceseve, besoj po e dini pse po ju them, pra nuk mundet dikush ta përjashtojë Amerikën prej proceseve në Kosovë e në Ballkan, nuk ka ndodhë përjashtimi. Amerika e vlerëson vet kur është momenti i duhur të ndërhyjë e të marrë përgjegjësi.”, tha kryeministri Haradinaj.

Procesi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë tash për tash mbetet i bllokuar për shkak se Beogradi e kushtëzon vazhdimin e tij me heqjen e tarifave që qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar ndaj mallrave serbe.

Herën e fundit të dyja palët janë takuar në Berlin bashkë me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron. Ndonëse u tha se takimi i Berlinit nuk është zëvendësim i procesit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, takimi hapi një forum të ri të diskutimeve në kërkim të rrugëve për rifillimin e bisedimeve të pezulluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një takim i ngjashëm por kësaj radhe vetëm me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të mbahet në muajin korrik në Paris.