Hurmat e Arabisë janë plot vlera, të shijshme dhe me nivel të lartë ushqyesish.

Përveç shijes së tyre karakteristike, hurmat e Arabisë janë tejet të shëndetshme dhe i ofrojnë organizmit një sërë përfitimesh. Hurmat e Arabisë janë një burim i pasur fibrash të shëndetshme, minerale dhe vitaminash.

Ato ndihmojnë kundër konstipacionit dhe problemeve të tjera me sistemin tretës.

Hurmat e Arabisë gjenden kudo në dyqanet e ushqimeve të shëndetshme në Shqipëri. Më poshtë do të lexoni sugjerimet e AgroWeb.org mbi mënyrën dhe sasinë ditore të rekomanduar të hurmave të Arabisë.

Lexuesit e AgroWeb.org duhet të provojnë të konsumojnë 3 hurma në ditë dhe do të përfitojnë 5 vlerat e mëposhtme.

1. Shëndeti i zemrës 

Kaliumi që gjendet tek hurmat ul rrezikun e goditjeve në tru. Për më tepër, nëse përfshini hurmat në dietën tuaj do të ulni nivelin e kolesterolit të keq. Kolesteroli i keq akumulohet në muret e enëve të gjakut duke i bllokuar ato dhe duke rrezikuar ndjeshëm zemrën.

Nivelet e larta të kolesterolit të keq nënkuptojnë që zemra është e rrezikuar nga bllokime të menjëhershme që mund të ndodhin në enët e gjakut. Ngrënia e hurmave mund të ulë kolesterolin e keq dhe ta mbajë zemrën të sigurt.

2. Nivelet e energjisë

Hurmat e Arabisë janë të mbushura me sheqerna natyralë që përfshijnë: fruktozën, sukrozën dhe glukozën. Kjo i bën ato një ushqim të favorshëm për ata që kanë nevojë të rrisin nivelet e energjisë.

Hiqni dorë nga ëmbëlsirat e shpejta që premtojnë energji dhe konsumoni disa hurma Arabie. Fibra që ato përmbajnë do të parandalojnë shpërthimet e pakontrolluara të sheqerit në gjak siç ndodh me ëmbëlsira të tjera.

3. Përmirësojnë aparatin tretës

Hurmat e arabisë përmbajnë sasi të konsiderueshme të fibrës së tretshme që është thelbësore për një sistem të mirë tretës sepse arrin të orientojë ujin aty ku trupi ka më shumë nevojë: aparatin tretës. Kjo taktikë, ndihmon organizmin të shmangë konstipacionin.

Kaliumi që gjendet tek hurmat e Arabisë ndihmon në trajtimin e diaresë dhe problemeve të tjera në stomak. Duke qenë se kanë ngjyrë kafe, hurmat e Arabisë konsiderohen si ekuilibrues në aparatin tretës. Në përgjithësi, ushqimet me ngjyrë kafe janë të shkëlqyera për tretjen. Për më tepër, hurmat forcojnë bakteret e mira në stomak.

4. Trajtojnë dhe parandalojnë aneminë

Anemia prek shumë njerëz, nevojat e të cilëve për hekur janë të mëdha. Hurmat janë një burim i shkëlqyer i hekurit, që i bën ato të domosdoshme kundër anemisë. Ngrini nivelet e hekurit duke konsumuar të paktën 3 hurma në ditë.

5. Kockat, gjaku dhe sistemi imunitar

Hurmat përmbajnë magnez, mangan dhe selenium. Ky i fundit është një mineral i nevojshëm për parandalimin e kancerit. Këto minerale janë të nevojshme për të mbajtur kockat të forta dhe gjakun të shëndetshëm.

Përveç shijes, kjo është një arsye më tepër për të konsumuar tre hurma në ditë.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, hurmat e Arabisë janë të mira për shëndetin, ndonëse kanë një nivel të lartë fruktoze.

Edhe nëse dieta juaj ju mban larg sheqerit dhe produkteve të ëmbla që përfshijnë sheqerin e arrës së kokosit, mjaltit, shurupit të misrit etj, mos harroni të konsumoni fruta.

Kur përzgjidhni hurmat në treg kërkoni për frutat, lëkura e të cilave është e butë dhe jo e rrudhosur.

Mos zgjidhini kokrrat me aromë të çuditshme ose tepër të forta. Hurmat e thata të Arabisë mbahen në frigorifer dhe qëndrojnë deri në një vit. Hurmat e njoma duhen ruajtur në enë të izoluara mirë dhe mund të qëndrojnë deri në 8 muaj.