Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot në Prishtinë, me kongresmenin amerikan, Ed Case.

Sipas presidentit Thaçi, Kosova ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në synimin për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të paqes me Serbinë.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët dhe duke punuar për marrëveshje përfundimtare të paqes me Serbinë. Në këtë synim e kemi mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook, duke shtuar se roli i SHBA-së për Kosovën dhe rajonin mbetet qenësor.

Kongresisti Case, gjatë qëndrimit në Kosovë do të takohet edhe me kryeministrin, Ramush Haradinaj.

Si presidenti Thaçi, po ashtu edhe kryeministri Haradinaj kanë kërkuar përfshirjen e SHBA-së në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ky dialog, që ka nisur më 2011, ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, bisedimet në Bruksel janë ndërprerë, pasi Prishtina vendosi taksën prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja nëntorin e vitit të kaluar.

Autoritetet në Beograd thonë se nuk do të kthehen në dialog pa u hequr taksa, por kryeministri Haradinaj insiston se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Please follow and like us: