Ballina Histori Hasi dikur një, sot i ndarë në dy-tri pjesë – Nga Gani...

Hasi dikur një, sot i ndarë në dy-tri pjesë – Nga Gani Qarri

Ndarja e padrejtë e Krahinës së Hasit, ndodhi pas Konferencës së Londrës në vitin 1913, si pasojë e luftërave ballkanike, me ç`rast erdhi deri te caktimi i një vije të tillë kaq të dëmshme kufitare që ndau Hasin dhe Kombin përgjysmë, qysh në fillim të shekullit njëzet.

Hasi sipas dokumenteve dhe artifakteve të gjetura arkeologjike,që nga antika, ishte i banuar tërsësisht me shqiptar, ndërsa historikisht i takonte Dardanisë dhe etnosit të lashtë ilir.

Në kohët më të vjetra, Hasi ishte një rajon shumë më i gjerë se ky që njohim ne sot, kurse në anën e Kosovës, Hasi kishte në përbërjen e vet edhe Rudinën, apo Gjakovën e sotme, e cila deri nga fundi i vitit 1912 administronte tërë Hasin dhe Malësinë e Gjakovës.

Sipas dr. EçremZenelajt, i cili konsiderohet si njëri prej historianëve dhe hulumtuesve më të mirë aktual shqiptar, Kastrati i Hasit, në pjesën verilindore të Shqipërisë së sotme, ishte edhe vendi i origjinës së Kastriotëve, prej nga mendohet se e kishte prejardhjen edhe kryheroi ynë mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Pastaj Pal Hasi edhe për mbiemër mbante toponimin e këtij rajoni të bekuar, ndërsa PjetërBogdani, apo autori i “Çetës së profetëve”, i lindur në Gur të Hasit,njihet edhe si krijuesi i parë i prozës së mirëfillt në gjuhën shqipe, PjetërMazrreku e deri te krijuesi i mirënjohur letërar Anton Pashku, KatarinaJosipietj, të gjithë këta, vërtetë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe kulturën tonë kombëtare shqiptare.

Në fakt,megjithëse thuhet se, në dokumentat e shkruara të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, nga vitit 1913,Hasi figuronte i ndarë, sipas shënimeve ekzistuese mbi krijimin e bashkive në shtetin shqiptar, dëshmohet se Hasi ishte një dhe i tërë edhe më 1921, kur me mbështetjen e heroit dhe tribunit popullor Bajram Currit, i cili kishte kaluar shumë vite në Has,u formua Prefektura e Hasit me seli në Krumë,e cila njihej edhe si prefektura e Kosovës, ndërsa kryetar i parë i saj u zgjodh përfaqësuesi i shquar i çështjes kombëtare dhe sekretari i përhershëm i Bajram Currit,TahirZajmi nga Gjakova.

Prefekturës së Hasit, deri në atë vit, i takonin të gjitha fshatrat hasjane, në të dy anët e kufirit të sotëm që nga Vlahna, Nikoliqi, Golaj, Tregtani, Qarri, Demjani, Planeja, Gurazhupi, Gjonaj, Kushini, Romaja, Rugova, Gërqina,Perollaj,Letaj,Kishaj ,Kosturri, Helshani, Zgjeçietj,kështu që, prefektura e Krumës, asokohe ende shtrihej në gjithë territorin e Hasit.

Hasi njihet edhe si vend i luftërave, ndër të cilat duhet veçuar atë të vitit 1837 kundër “Reformave të Tanzimatit” me ç`rast, kjo trevë arritiedhe të ndahej përkohësisht nga adminstrimi i pushtetit turk në Gjakovë.

Megjithatë vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës për caktimin e kufijve të Shqipërisë, sado që në terren nuk u aprovuan menjëherë, bënë që kombi dhe trojet tona etnike të ndahen dhunshëm dhe në mënyrën më të rëndë të mundshme, duke lënë pjesën më të madhe të tokave shqiptare nën pushtimin e vendeve hegjemoniste fqinje, përfshi edhe pjesën më të vitale të Hasit.

Ndaj ashtu si Shteti amë, që sot e atëherë, përgjatë gjithë vijës kufitare, kufizohet me shqiptar autokton, edhe pjesët e ndara të krahinës së Hasit, përgjatë tërë brendësisë së tyre, fillim e mbarim kufizohen ndërmjet veti.

Ndarja e Hasit e futi tërë këtë trevë në një izolim të thellë afro njëqind vjeçar, duke e gjymtuar rëndë, veçmas pjesën e mbetur nën pushtimin sllav.

Harta e shtrirjes së dy pjesëve të Krahinës së Hasit të ndarë, në Shqipëri dhe Kosovë. 

Krahina e Plotë e Hasit dhe shtrirja gjeografike:

Me ndarjen e krahinës së Hasit, u ndanë edhe familjet, të afërmit e farefisi, ndarje të rënda këto, jo vetëm fizike por edhe shpirtërore, të cilat shpesh herë u shoqëruan edhe me vrasje, në kufirin e huaj që i ndau mes për mes,duke e larë për rreth një shekull me gjak e lot shqiptarësh.

Kur flasim për Hasin, nuk duhet harruar edhe ndarjet kulturore dhe etnografike, të cilat goditën rëndë jo vetëm atëherë këtë trevë ndër më të pastrat kombëtare.

Madje, për fat të keq, kufiri i vendosur dikur nga pushtuesit sllav, vijon edhe sot të qëndrojë, jo te Molla e Kuqe as në Merdare- atje ku e ka vendin dhe ku do duhej, por njëjtë si në kohën kur u vendos dhunshëm, edhe tani qëndron po aty,mes për mes Hasit dhe ndërmjet shqiptarëve autokton.

Hasi si tërësi ka një sipërfaqe prej afro 745 km2 dhe rreth 60,000 banorë.

Ndërsa ndarja fatkeqe e ka përgjysmuar atë si territor dhe ka shkapërderdhur edhe banorët hasjan, duke e penguar fort dhe qëllimshëm ngritjen dhe zhvillimin, jo vetëm ekonomik të tij, si krahinë e ndarë me kufij shtetëror, por edhe ndërbashkiak të pjesës së Hasit në Kosovë, ndërmjetPrizrenit dhe Gjakovës.

Kufijtë e krahinës së Hasit në pjesën më të madhe të shtrirjes së përgjithshme gjeografike, përcaktohen nga rrjedhat e degëve të lumit Drini Bardhë.

Ne veri Ereniku, një nga degët e lumit Drin, e përkufizon Hasin me Krahinën e Rekës, kurse në anën lindore, që nga fillimi vet Drini i Bardhe e përkufizon Hasin me Anadrininë (Podrimën) për të vazhduar në jug dhe ne perëndim, me rrjedhën e po këtij lumi i cili e përkufizon këtë trevë edhe me krahinën e Lumës dhe të Malëziut, deri në liqenin e Fierzës, ku përfundon rrjedha e Drinit si lum.

Ndërsa ne veri-perëndim, Hasin nga krahina e Bytyçit e cila i takon rrethit të Tropojës, e ndan përroi i Skatinës.

Pjesa e sipërme me vija të dendura, tregon shtrirjen e Hasit në Kosovë

Ndërsa pjesa e poshtme, me vija të rralla, paraqet  trevën e Hasit në Shqipëri

Hasi duke qenë si rajon ndërkufitar, interesimi për zhvillimin e kësaj treve, ishte jo vetëm i mangët por edhe i penguar në vazhdimësi, dhe atë përafërsisht në përmasa të njëjta nga të dy shtetet dhe në të dy anët e territorit të tij.

Hasi i Shqipërisë:

Treva e Hasit në Republikën e Shqipërisë, renditet në njërën nga 36-rrethet e shtetit shqiptar, ka një sipërfaqe prej 374 km2 dhe afro 22,000 banorë.

Në trevën e tij, shtrihen mese 30 fshatra të vogla dhe të mesme si dhe qyteti i Krumës që është edhe qendra kryesore e Hasit.

Fshatrat e Hasit në Shqipëri, janë: Brruti, Bardhaj Brenoga,Cahani, Dobruna, Dautaj, Domaj, Fajza,Golaj, GajrepiGjinaj,Helshani,KishajKosturi, Letaj, Liqeni i Kuq, Muqaj, Mujaj, Metalijaj, Nikoliqi, Perollaj, Peraj, Pogaj, Pusi i Thatë,Qarri,Tragtani, Vranishtë,Vlahën, Zahrisht, Zgjeq dhe kryeqendra Kruma.

Por megjithëse shumica e fshatrave dhe mbi gjysma e territorit të krahinës shtrihet në Shqipëri, ai është i banuar më rrallë dhe ka vetëm një të tretën e banorëve të tërësishëm të njësisë etnografike të Hasit.

Hasi i Kosovës:

Territori i kësaj treve, apo gjysma e krahinës së Hasit me rreth 371 kilometra katrore dhe popullsi me mbi 40.000 banor.

Hasi si tërësi edhe sot pas 100 vjetësh ende është i ndarë me kufij ndërshtetror, ndërsa pjesa e territorit të Hasit në Republikën e Kosovës, pas ripushtimit dhe vendosjes së pushtetit komunist jugosllavë, ka pësuar edhe një ndarje të “brendshme” përafërsisht 50=50 në mes të dy bashkive ,apo administratave Komunale të Prizrenit dhe asaj të Gjakovës.

Fshatrat e Hasit në Kosovë,janë:Demjani i cili gjendet në mes të trevës së Hasit në Kosovë,është njëri ndër fshatrat më të mëdha dhe pothuajse bashkon dy pjesët e ndara administrative të Hasit, ndërmjet Prizrenit dhe Gjakovës.

Fshatrat hasjane nën administrimin e Prizrenit janë: Kushnini, Lugishta e Hasit, Dedaj, Romaja, Lukinaj, Gjonaj, Zymi, Planeja etj.

Ndërsa fshatrat hasjane nën adminstrimin e Gjakovës janë: Demjani, Gërqina, Blinaja, Godeni, Deva, Moglica, Raqa, Doli, Bishtazhini, Smaqi, Ujzi, Fshaj, Rugova e Hasit etj.

Megjithëse treva e Hasit në Kosovë, herë pas here dhe në intervale të caktuara kohore,kishte Bashkinë apo Komunën e vet, në njërin nga fshatrat kryesore të kësaj treve, ndër të cilat më së shpeshti përmendet Demjani, Zymi, Rogova e Hasit etj, si kultivues besnik dhe ruajtës i denjë i kulturës,dokeve dhe traditave hasjane, është dëshmuar fshati Gjonaj, i cili me devotshmëri organizon për çdo vit, manifestimin tashmë tradicional “Hasi Jehon”.

Fatkeqësisht, ndarja e Hasit, ka bërë që në krahasim me pjesët tjera të vendit,kjo trevë të mbetet ndër krahinat më të pa zhvilluara dhe atë, në të dy anët dhe shtetet shqiptare.

Bashkimin e Hasit e bën të domosdoshëm sot më shumë se kurrë edhe gjendja tejet e rënd ekonomike, pa asnjë investim serioz për punësimin e të rinjëve, pa infrastrukturë të nevojshme dhe pa ndonjë shpresë për perspektiv dhe rregullimin e problemeve të shumta, në një të ardhme të afërt për Hasin.

Hasjanët kështu siç janë të ndarë,nga pikëpamja regjionalo- komunale, përfshi ndarjen e territorit të Hasit edhe në dy shtete, do të mbeten edhe më tej ndër regjionet më të pa zhvilluara dhe të zhveshur pothuajse nga çdo e arritur edhe e jetës në liri,

Ndaj respektimi i kërkesës së drejtë të hasjanëve për bashkimin e territoreve të ndara trup e tërthor,duke qepur një herë e mirë edhe prerjen e thellë të plagës së vjetër në hartën e atdheut, nga vënja e dhunshme e kufirit, prej pushtuesve sllavë, ndërmjet shtetesh e bashkish tona, do të ishte jo vetëm përmbushje e shpresës dhe dëshirës së tyre,për bashkimin e krahinës së Hasit, por edhe realizimi përfundimtar i ëndërrës së kahmotshme të të gjithë shqiptarëve, për bashkim kombëtar.