Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën në Tiranë, me të cilin ka biseduar për, siç tha, “domosdoshmërinë e hapjes së plotë të kufirit Kosovë-Shqipëri dhe krijimin e një hapësire shqiptare pa kufi, nën ombrellën euroatlantike”.
“Në këtë takim ngritëm nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike, duke bashkuar faktorin shqiptar rreth sensibilizimit të së drejtës së bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi përmes një postimi në Facebook.
Në Tiranë, Thaçi po merr pjesë në takimin e Brdo-Brionit – një nismë e ndërmarrë nga Kroacia dhe Sllovenia qysh në vitin 2013, me qëllim përshpejtimin e përafrimit të rajonit të Ballkanit me Bashkimin Evropian.
Vendet anëtare të procesit Brdo-Brioni janë: Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi dhe ato përfaqësohen në nivel të kryetarëve të shteteve apo kryeministrave.