08.05.2019

Ndarja e Kosovës është ide kamotshme e Serbisë, e ri aktualizuar nga Vuqiqi dhe mbështetur fuqishëm nga vasalet e tij Hashim Thaçi, Edi Rama dhe mercenari mediatik Baton Haxhiu, prandaj deklaratat e fundit te Vuqiqit nuk duhet shikuar me shumë entuziazëm dhe relaksim, për faktin e ndikimit të fuqishëm politik mbi liderët e shantazhuar kosovar dhe të shtrirjes gjeopolitike të serbëve si dhe zgjerimit të madh gjeografik të kishave e manastireve serbe në Kosovë.
Edhe para Samitit te Berlinit ideja e shkëmbimit të territoreve në Ballkan ishte kundërshtuar fuqishëm nga shteti gjerman dhe disa shtete të fuqishme perëndimore.
Mosmbështetja e idesë së shkëmbimit të territoreve në Ballkan konsiderohet hap i madh për Kosovën, por jo edhe fitore përfundimtare.
Samiti i Berlinit shpërfaqi edhe një herë dobësitë dhe ndasitë tona, mosmarrëveshjet dhe hipokrizitë e lidershipit kosovar, i cili atë që flet në Prishtinë, nuk e thotë dot edhe në Berlin, Bruksel apo Paris.
Andaj, nuk duhet besuar shumë deklaratave patriotike të Hashim Thaçit, i cili deri para Samitit të Berlinit i mbante në duar gërshërët e Vuqiqit për ndarjen e Kosovës, sikurse që nuk duhet besuar lojes plot hipokrizi të Ramush Haradinajt me taksen ndaj produkteve serbe.
Andaj, deklarata e fundit të Vuqiqit për pavarësinë e Kosovës përveqse duhet marr me rezerva dhe kujdes maksimal, duhet shfrytëzuar momentumin politik për largimin sa më parë nga pushteti të mercenarëve të tij në Kosovë, nga të cilët e për të cilët Kosova do të behej copa-copa, vetëm e vetëm që ata dhe shokët e tyre t’i shpëtojnë Gjykatës Speciale, të cilës mbase edhe mundë t’i shpëtojnë, por asnjëherë nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit nga populli dhe drejtësia vendore për vjedhjen dhe plaçkitjen e buxhetit, uzurpimin e pronave publike dhe private, shkatërrimin e shtetit dhe thyerjen e shpresave të qytetarëve për jetë në Kosovën e lire e të pavarur nga Serbia

Largimi i uzurpatorëve nga pushteti

Pavarësisht situatës relaksuese politike pas Samitit të Berlinit, ne duhet t’i kthehemi vetvetes më shumë se asnjëherë më parë, për t’u dëshmuar para botës se jemi për shtet dhe barazi shoqërore, fqinjësi të mirë dhe reciprocitet në tregti të lirë me fqinjët tanë duke mbrojtur integritetin shtetëror dhe sovranitetin e shtetit.
Mirëpo, para së gjithash duhet të dëshmohemi me largimin e hajnave nga pushteti, dënimin e tyre dhe konfiskimin e të gjitha pasurive te paligjshme. Atëherë dhe vetëm atëherë do të gëzojmë mbështetjen e miqve dhe respektin e armiqve.
Kosova nuk guxon të mbetet edhe më tutje oazë e krimit të organizuar dhe peng i bandave kriminale që kanë kapur shtetin, uzurpuar institucionet e shtetit dhe ngulfatur frymëmarrjen e lirë të e lirë të qytetarëve të këtij vendi.
Vetëm me largimin e mercenarëve dhe vasalëve të Serbisë nga pushteti shpëtohet shteti nga degradimi i mëtutjeshëm dhe falimentimi, mbrohet sovraniteti i shtetit nga invazioni serb dhe ndarja territoriale.
Në të kundërtën, do të kemi vazhdimësi dhe përsëritje të skenarëve të rijnë të Serbisë ndaj Kosovës, për shkak së “Gjarpri helmon edhe kur nuk kafshon”.

Të ikin politikanët nga prokurorët

Përderisa mafio-politika dhe nëntoka kriminale të udhëheqin më shtetin, jo vetëm se nuk do të kemi zhvillim ekonomik, rritje të mirëqenjes qytetare, krijim të vendeve të punës dhe as investime kapitale,…do të kemi degradim të mëtutjeshëm të sistemit të drejtësisë, sistemit arsimor, shëndetësor dhe kulturoro-sportiv të vendit tonë.
Edhe përkunder aferave të njëpasnjëshme korruptive dhe kriminale të pushtetarëve, sistemi i kapur i drejtësisë vazhdon të heshtë, përkatësisht prokuorët, policia hetimore dhe gjykatat po i mbyllin sy e vesh, duke mos trajtuar asnjë nga rastet e krimit të organizuar të profilit të larte, të cilat në fakt janë burimi kryesor i të gjitha prapsive në vend, si; korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar dhe burim i përfitimeve të paligjshme korruptive dhe kriminale të pushtetarëve dhe klasës politike në pergjithësi në këto dy dekadat e fundit.
Bashkërendimi i veprimeve dhe bashkëpunimi i ngushtë kriminal i mafio-politikës me mafio-oligarket ekonomik, në mënyrë të organizuar janë duke zhvatë xhepat e qytetarëve dhe duke zbrazë buxhetin e shtetit për t’i mbushur xhepat e tyre dhe kontot e mafio-oligarkëve të kriminalizuar në kundërshtim me ligjin dhe etiken njerëzore.
Ku si pasojë e kësaj situate, të njejtit njerëz po i gëzojnë të gjitha privilegjet e pushtetit, ndërsa qytetarët e vendit që nuk janë te lidhur me bandat kriminale, dita-ditës po varfërohen,…ku si pasojë e varferisë ekstreme, pabarazisë dhe denigrimit social, qytetarët po e braktisin Kosovën, ndoshta për të mos u kthyer më asnjëherë ne vendin e tyre të lindjes.
Po ndodhë pikërisht kështu, për shkak, se në vend që të ikin politikanët e inkriminuar nga prokuorët, po ikin prokuorët nga politika, siq ishte rasti e prokurorit Elez Blakaj.

Largim të detyrueshëm nga skena politike

Pushtetarët e korruptuar dhe tejinkriminuar nuk kanë për t’u larguar asnjëherë me vetëdëshirë nga skena politike, e aq më pak nga pushteti, por vetëm nëse një ditë populli i dëbon me dhunë.
Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret si kushtrim në ndërgjegjën e atdhetarëve me gjak të pastër shqiptar, për bashkim të mendjeve dhe zemrave edhe njëherë sikurse në fillimvitet e ’90-ta, për ta nxjerrë Kosovën nga kthetrat e uzurpatorëve, matrapazëve dhe zhvatësve të buxhetit të shtetit, nga rrënuesit e vlerave dhe traditave tona shekullore.
Ndryshimet substanciale në skenën politike dhe shoqërore të vendit tonë, mund të arrihen vetëm me bashkimin e kapaciteteve intelektuale të mërgatës sonë, me bashkimin e të gjitha forcave progresive, të shëndosha dhe të padjallëzuara njerëzore të vendit tonë.
Krijimi i një levizje të re politike nga elita intelektuale, konformë rrethanave kohore dhe zhvillimeve politike ndërkombëtare është imperativ i ngutshëm kohor dhe i vetmi shpëtim për vendin.
Levizja e re politike nuk guxon të jetë vazhdimësi dhe as levë e asnjë subjekti politik ekzistues. Ngase secila nga subjektet aktuale politike, për të mirë apo për të keq e kanë kryer të vetën,…pragmatizmi dhe patrioztizmi i tyre përfundon tek “URA” mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ashtu siq përfundoi demarkacioni me Malin e Zi, gjegjësisht Çakorri, Kulla e Bjelluha që iu falen shtetit malazes!
Levizja e re politike duhet t’i bashkoj të gjitha forcat progresive pa dallime rajonale, partiake, ideologjike apo fetare për ta shpëtuar vendin nga katandisja në humnerë dhe për ta shpëtuar shtetin nga zhbërja fizike.
Lënja e fatit të vendit në duart e liderëve të korruptuar politik, është më tepër se heqje dorë nga shtetësia dhe sovraniteti politik.
Pas Samitit te Berlinit, radhën për t’i dhënë goditjen përfundimtare klasës së inkriminuar politike e ka populli i Kosovës, me protesta e padëgjueshmëri qytetare deri në largimin e tërësishëm nga skena politike e kusarëve dhe hajdutëve, matrapazëve dhe uzurpatorëve, vasalëve dhe mercenarëve si dhe bandave kriminale që rropën e ç’rropën pasuritë e këtij vendi dhe thyen shpresat e qytetarëve.
Zoti e bekoftë vullnetin e qytetarëve!