Papa Françesku arriti të martën në Shkup të Maqedonisë së Veriut, në vizitën e parë në këtë shtet të një drejtuesi të kishës katolike. Ai drejtoi një meshë në përkujtim të Nënë Terezës, humanistes së njohur botërore dhe fitueses së Çmimit Nobel, që ka lindur në Shkup.

Ati i shenjtë, gjatë qëndrimit njëditor në Maqedoninë e Veriut u takua me presidentin në largim, Gjorgje Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev, i cili vizitën e Papës në Shkup, e ka vlerësuar si historike dhe që mbart mesazhin e pajtimit dhe solidaritetit.

“Jam shumë i gëzuar që jam ne vendin e shenjtores Nënë Tereza dhe mund të bëj një lutje në Kishën ku ajo është pagëzuar në Kishën ‘Zemra e Shenjtë e Jezusit'”, ka theksuar kryetari i Kishës romake-katolike, Papa Françesku gjatë qëndrimit në Shkup.

“Për mua do të jetë nder i madh që për disa orë do të mund të lutem në Shtëpinë Përkujtimore dedikuar asaj, e cila është ndërtuar në vendin ku ishte para kësaj Katedralja katolike”, tha Papa Françesku.

“Duhet të jeni të lumtur që bëni pjesë si bashkëqyetarë të kësaj gruaje të madhe”, ka theksuar Papa Françesku pas takimit që ka patur me presidentin në largim, Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev.

Papa Françesku është ndalur në rëndësinë e karakterit shumetnik që ka Maqedonia e Veriut si shtet.

“Përkatësitë e ndryshme fetare dhe etnike, mes maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, kroatëve dhe të tjerëve, ka krijuar një mozaik të bukur, e i cili do të zbukurohet edhe më tej nëse do të dini që ta bartni këtë mozaik edhe në gjeneratat e reja”, ka theksuar Papa Françesku,

Në fokus të fjalës së tij për mediat, ka qënë dhe përballja e Maqedonisë së Veriut me krizën e migrantëve

“Solidariteti me kohë që u është ofruar atyre, që atëherë kishin më shumë nevojë për atë, sepse krahas shtëpisë, punës dhe atdheut që i kanë humbur, ata i kanë humbur edhe më të afërmit e tyre, ju bën të ndershëm dhe flet për shpirtin e këtij populli, e cila e di se si është të humbasësh dhe mund të njihet se përmes solidaritetit dhe ndarjes mund të gjendet dalja dhe rruga drejt çdo zhvillimi qenësor”.

“Shpresoj se ju do ta ruani këtë solidaritet që është i domosdoshëm në këtë moment kritik të paparashikueshëm në dobi të çdo vepre nga puna humanitare vullnetare”, ka theksuar kryetari i Kishës romake-katolike, Papa Françesku.

Ndërkaq, presidenti në largim i Maqedonisë së Veriut, Gjorgje Ivanov në fjalimin e tij në kuadër të vizitës së Papa Françeskut, ka bërë thirje siç tha, “për bashkim për rinovimin shpirtëror të Maqedonisë”.

“Dua të bëj thirrje për të gjithë bashkëqytetarët e mi, për të gjithë ata me vullnet të mirë dhe me zemër të pastër, pavarësisht nëse bëjnë pjesë në degën ortodokse, katolike apo protestante të krishterimit, nëse janë myslimanë, hebraikë apo ateistë, ju ftoj që ta njohim simbolikën e kësaj vizite dhe përmes përulësisë dhe faljes, pajtimit dhe nxitjes, nëpërmjet përgjegjësisë dhe respektit për t’u angazhuar në rindërtimin shpirtëror të Maqedonisë para se të jetë tepër vonë”, ka theksuar Ivanov.

Papa Françesku më pas është është përkulur para përmendores së Shën Terezës të vendosur para shtëpisë përkujtimore të shenjtores Nëna Terezë ku është takuar me liderët e komuniteteve fetare në Maqedoninë e Veriut.

Përgatitjet për vizitën e Papës në Shkup

Zyra e Shtypit të Selisë së Shenjtë në Vatikan ka bërë të ditur se Papa do të takohet edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të trupit diplomatik, si dhe me udhëheqës fetarë e njerëz të varfër.

Vizita e Papës ka ngritur në këmbë thuajse gjithë aparatin shtetëror në masa të jashtëzakonshme të sigurisë. Për mbarëvajtjen e vizitës janë angazhuar qindra forca policore e ushtarake si dhe njësitet speciale anti-terror.

Rrugët, nga ku kaloi Ati i shenjtë u bllokuan për qarkullim që nga dita e hënë, ndërsa të gjithë banorët e zonës qendrore u udhëzuan që të mos dalin pa nevojë. Dita e martë në Shkup është shpallur ditë jopune me qëllim të mos-shkaktimit të rrëmujës, por edhe si masë për mbarëvajtjen e vizitës.

Para se të niste vizitën në Shkup, Papa nëpërmjet një video-mesazhi kishte shprehur besimin e thellimit të marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Maqedonisë së Veriut.

“Sot, më shumë se kurrë, ka nevojë që në Evropë dhe në mbarë botën, të zhvillohet një kulturë e përbashkët, një kulturë e vëllazërisë. Unë do të vij në mesin tuaj. Unë jam i sigurt se vendi juaj është i mirë. Në fakt, bukuria e veçantë e vendit tuaj, është për shkak të kulturave të ndryshme, etnive dhe feve që jetojnë në të. Sigurisht që bashkëjetesa nuk është gjithmonë e lehtë, ne e dimë atë, por ja vlen që të investohet në përpjekje, për shkak se mozaikët më të bukura janë ato që kanë shumë ngjyra”, kishte deklaruar Papa duke theksuar se vizitën ia kushtonte në radhë të parë, Nënë Terezës.

“Vizitën time ia kushtoj një shenjtore të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve”, ka theksuar Papa Françesku.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Ati i shenjtë do të pranojë edhe një dhuratë të Kosova, shtatoren e Nënë Terezës, të punuar nga familja e Isë H.Buzukut nga Tygjevci i Kamenicës. Njoftimi është bërë nga ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj.

Para vizitës në Maqedoninë e Veriut, Papa Françesku ka qëndruar në Bullgari ndërsa vizita thuhet se kishte për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve me Kishën Ortodokse si pjesë e planeve të Vatikanit për të arritur një unitet të mundshëm ndërmjet degëve të krishterimit nga Lindja dhe Perëndimi që u ndanë në vitin 1054.

Papa dhe Selia e Shenjtë kanë shpreshur se gjatë kësaj vizite do të mbahej një lutje e përbashkët në qendër të Sofjes, por drejtuesit e Kishës Ortodokse bullgare kanë refuzuar një kërkesë të tillë.