1.Me mikun tim, Prof, Murat Gecaj…
3 maj, 2019!… Ditë të këndshme me freski dhe reshje, që po na falë natyra. Ngado, syri të mrekullohet. Gjelbërim dhe kënaqësi, që ardhja e pranverës i falë popullit shqiptar. Një vend me katër stinë, që falë mrekulli, ngado që hedh sytë.
Populli pret të shijojë frutat e para të pranverës, si: qershitë, kajsitë dhe të tjera, që rrisin jetëgjatësinë dhe shtojnë bukurinë e viseve shqiptare.
Edhe Biblioteka e shkollës 9- vjeçare “Vëllazërimi”, në kryeqytet, po mbledh mirësi nga dhuratat, që falin shkrimtarët me shpirt njerëzor. Ajo, çdo të hënë, fut në gjirin e saj mirësi, nga të gjithë trevat e Shqipërisë, Kosovës dhe Diasporës.
Data shënoi 2 maji. Një telefonatë e Profesorit të nderuar, Murat Gecaj, mikut tim dhe shkollës sonë, më zgjoi nga pushimi i pasdites.
Profesori e kuptoi, që më zgjoi nga gjumi dhe, pasi më kërkoi ndjesë, më tregoi se të nesërmen dëshironte të pinim një kafe, në lokalin “Galaxy-Bar”, në fillimin e Bulevardit të Ri të kryeqytetit.
-Me kënaqësi,-iu përgjigja,- nuk do mungoj dhe do jem korrekt në orën e takimit…
-Po dëgjo, Bashkim, – më thotë ai,- kam për të dhënë disa libra. Janë shumë dhe po mendoj, se si do t’i marrësh. Pasi e di që ty “nuk të lodhin librat”, po kam merak ,se janë shumë…
-Rri i qetë, Profesor Murati, se do e gjej një zgjidhje. Ju vetëm më tregoni, se sa janë…
-Janë shumë, 50-60 libra dhe nuk ma do mendja se i mban dot?!
-Të falënderoj, profesor i nderuar dhe gëzoj të keni shëndet të mirë! Pa, do e zgjidhim problemin, o me djalin tim ose me kolegët e mi…
Të nesërmen mora autobusin dhe, në orën e caktuar , e prita profesorin, që erdhi me një grusht karamelesh, disa biskota dhe një shishkë të vogël me raki.
I telefonuam Sejdo Harkës, por ai u gjend i zënë, me shkrimtarin Bardhyl Xhama. Për arsye moshe të këtij të fundit, nuk mundën të vinin te ish stacioni trenit.
-Po dëgjo,- më thotë Sejdo,- edhe Bardhyli të ka përgatitur një dhuratë dhe, kur të takohemi herë tjetër, do e marrësh.
E falënderoj Sejdon, si dhe shkrimtarin dhe mikun tim, Bardhyl Xhama dhe ju uroj atyre jetë të mirë dhe të gëzojnë shëndet të plotë.
Në një çast, Profesori më thotë:
-Bashkim, po nuk i telefonuam Viron Konës, që të vinte edhe ai të pinim kafe bashkë…
-Vironi sot ishte i zënë, Profesor dhe më kërkoi ndjesë, që nuk mund ta linte takimin, që kish planifikuar një ditë më parë, sepse nuk kishte dijeni për takimin tonë.
Me profesor Muratin zhvilluam një bisedë tepër interesante. Ai më tregoi, se si rrugëtimin e tij në shkollë e kishte nisur skënderbegas. Fati e deshi që të mos bëhej ushtarak, por të vazhdojë shkollën e lartë, në Leningrad, për letërsi e dialekktologji.
Biseda ishte aq e këndshme, sa ne të dy nuk e morëm vesh, se si kaloi një orë e tridhjetë minuta….
Nga e majta: M.Gecaj e B.Saliasi…
-Librat i kam në shtëpi dhe do shkojmë t`i marrim bashkë,-më thotë profesori.
-Mos u shqetëso ,profesor Murati, se do e zgjidhim shumë shpejtë problemin…
I telefonova drejtoresshës së shkollës, Merita Prenga dhe i tregova për dhuratën e profesor Muratit. U gëzua shumë e falënderoi atë dhe tha se, për të marrë librat. do të dërgonte mësuesin e edukimit fizik, Saimir Kabili.
Nuk vonoi dhe të dy mësuesit e edukimit fizik, që atë orë kishin patur pushim, erdhën e na ndihmuan të dyve, si mua dhe profesorin, duke i zbritur librat nga kati katërt, ku banon ai.
Foto: Në drejtorinë e shkollës: Drejtore Merita Prenga dhe n/drejtori Bashkim Saliasi…
I dorëzova librat në drejtori dhe, së bashku me drejtoreshë Meritën, i numëruam dhe realizuam foton e çastit, për këtë dhuratë të mrekullueshme ,që na bëri profesor Murat Gecaj.
Pastaj, në Internet lexuam këtë lajm:
“Merita Prenga, në Facebook, shkruan: Shkolla 9-vjeçare “Vëllazërimi”:
– Kaq shumë libra, në kaq pak kohë…
…Miqësia u ngjan librave të vjetër, që koha u jep atyre më shumë vlerë…
Një libër i mirë, një kafe e mirë, me shokë të mirë…
– Plot 106 libra të tjerë: artistikë,historikë, metodikë iu shtuan sot bibliotekës së shkollës sonë, dhuruar nga studiuesi, shkrimtari, publicisti, profesor i nderuar, Murat Gecaj.
Faleminderit miku ynë, profesor Murat Gecaj, për dhuratën mjaft të çmuar, që i bëre shkollës ” Vëllazërimi”!
– Faleminderit zv. drejtor Bashkim Saliasi , që me miqtë tuaj shkrimtarë, po e pasuron bibliotekën e shkollës sonë!
Faleminderit miq, që na dhuroni vlera të të gjitha fushave, për zhvillimin e aftësive të nxënësve tanë!”
Ndërsaa Profesor Murati Gecaj publikoi në faqen e tij të Facebokut:
“Murat Gecaj: Ishte kënaqësi e përsëritur, që sot kafen e mëngjesit e piva bashkë me kolegun e mikun e kahershëm, Bashkaim Saliasi, publicist dhe autor i librave: “Dobrusha 1700-20110”, “Kater krisma të mallkuara” e “Ne ishim pesë shokë”, si dhe të librit më të ri, me tregime e skica, “Po gjyshi, përse i lexon librat e mi?”(Tirane, 2018).
Një nismë e lavdërueshme e tij është, se po punon me ngulm, që ta pasurojë bibliotekën e shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi” të kryeqytetit, ku ai është zv. drejtor. Pikërisht kjo ishte dhe arsyeja kryesore, se pse u takuam. …
Në vazhdim të disa librave, të dhuruar me parë për atë bibliotekë shkollore, sot i dhashë atij disa të tjerë, për të cilët më falënderoi përzemërsisht..
Është ky një shembull i mirë për t’u ndjekur edhe nga drejtues të tjerë të shkollave tona, sepse ai ka dhe mbështetjen kryesore nga vetë drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi”, Merita Prenga….
Urojmë arritje gjithnjë e më të mira, në procesin mësimor-edukativ, për kolektivin mësues-nxënës të kësaj shkolle, si dhe në veprimtaritë e ndryshme! (Tirane, 3 maj 2019)”
E falënderova Profesorin e nderuar, mikun e shkollës tonë Murat Gecaj për këtë mrekulli, që i fali Bibliotekës tonë në faqen e facebookut:
“Bashkim Saliasi: 3 Maj. Një takim brilant mëeProfesorin e nderuar dhe të respektuar, Murat Gecaj. Një kafe sa e ëmbël dhe aq frytdhënëse. Profesori më telefonoi dhe më thotë:
-E di që librat nuk të lodhin, por janë shumë…
-Do e gjej një mundësi, i nderuar profesor, por të pimë një herë kafen. Biseda jonë që shumë e ngrohtë, si midis dy miqësh të vjetër. Në mbarim të bisedës sonë, në ndihmë më erdhën dy kolegët e mi, Saimir Kabili dhe Emirjan Cubaj.
Në Bibliotekën e shkollës “Vëllazërimi” hynë sot jo pak, por 106 libra, dhuratë nga profesori i nderuar, miku im dhe i shkollës sonë, Murat Gecaj. Faleminderit profesor Murati! Paçi shëndet dhe mbarësi në familjen tuaj! Një faleminderit vjen dhe nga drejtore Merita Pranga. Respekte!”
2.Me mikun tim, Viron Kona…
Të nesërmen u takuam, që në mëngjes, me mikun tim Viron Kona. U gëzua shumë për këtë dhuratë kaq të bukur të Profesor Murat Gecaj dhe më porositi:
-Vazhdoje, Bashkim, mos e lerë në mes, siç bëhet ngahera, kur fillon një nismë dhe lihet në mes të udhës.
-Jo, miku im Viron, nuk do e lë në mes, sa të kem miq të mirë si ju, që falni mirësi. Nesër e kam lënë për t`u takuar me disa miq të tjerë, tuajit dhe të mitë, që i duam dhe na duan.
Biseda jonë u vërtit rreth librit, që kemi përgatitur për botim dhe çfarë kemi në duar, në këto ditë të bukura maji.
-Kam punuar sot, nga ora dy e natës, deri në shtatë kur më mora ti në telefon dhe nuk ndihem i lodhur”, – më thotë miku im, Viron Kona.
-Bëj kujdes me sytë, miku im, se nuk duhet t`i lodhësh shumë, e porosis atë.
U ndamë me mikun tim Viron Kona, për t`u takuar së afërmi, duke i uruar njëri-tjetrit suksese, shëndet e mbarësi në familjet tona.
3.Lidhja e Shkrimtarëve mbijeton…
Do ishte shkak gazeta “Mësuesi”, – sikundër thonë nga anët tona dhe miqtë tanë të saj, Viron Kona, Andon Andoni dhe Vjollca Spaho, – që do na njihnin me shumë njerëz të shkrimeve , nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Lezha, Kosova, Greqia, Italia dhe deri në Anglinë e Suedinë e largët dhe në diasporë, Amerikë, Kanada e tjerë.
Lidhja e shkrimtarëve mbijeton, pavarësisht se ajo ka vite që nuk funksionon, por zjarri është i ndezur dhe prushi e ruan flakën, që ndizet dhe merr udhë ndër shkrimtarë dhe artistë.
5 Maji, Ditë përkujtimore e Dëshmorëve. Ne miqtë e gazetës e përkujtuam atë me nderim dhe, rreth tavolinës së rrumbullakët, u mblodhëm një e nga një, si dallëndyshet, që vinë gjithë gaz në pranverë, për të ndërtuar foletë e tyre, në vendin tonë të mrekullive.
I pari erdhi miku im nga Fieri, poeti Petrit Malushi dhe, pasi u takuam, më tregoi se pas pak do vinte edhe studiuesi e shkrimtari Nuri Dragoi.
-Kënaqësi, – i them Petritit,- që takohem me të…
Pa u ulur mirë në tavolinë, mbërriti miku im i vjetër, me të cilin kishim kohë pa u takuar, poeti dhe kritiku, Çelik Petriti, i cili ka redaktuar novelën time “Katër krisma të mallkuara”.
Po surprizat nuk kanë të mbaruar për miqtë e mi dhe në derë hyri kolegu im, poeti nga Librazhdi, Caush Kullafi, ish-nxënës i Çelikut.
Në foto, nga e majta” Çelik Petriti, Nuri Dragoi, Petrit Malushi, Bashkim Saliasi dhe Caush Kullafi.
-Çfarë surprize të këndshme, që më bëre, Bashkim! Kisha kohë që nuk isha takuar me Caushin, të cilin e kam ndihmuar, pa pasur asnjë lloj interesi, kur punoja në qytetin e Librazhdit. Bile, një radhë më ishte ngarkuar mua të vija në një simpozium për fjalën e rrallë, në ato vite dhe unë nuk erdha vetë, por dërgova Caushin. Kisha besim në përfaqësimin dinjitoz nga ky. Gjithashhtu, edhe profesor Androkli Kostallari e kishte trajtuar mjaft mirë.
-Po, është e vërtetë, Profesor, Çeliku kështu ka qenë. Bile, kur më nise, më ke dhënë pardesynë tënde, se nuk kishim, mor burrë. Dhe, më e forta, që thoni ju, kur u ktheva nga Tirana, ku qëndrova shtatë dit,ë e lava, e hekurosa pardesynë dhe ia çova profesorit.
-Jo,-më thotë,- pardesynë ta kam falur, ajo tani është jotja, ta gëzosh!
Të tre miqtë e mi treguan mbresa dhe kujtime, nga vitet e punës. Në fund, Çeliku më thotë:
-Bashkim, të kam sjell dy libra për bibliotekën e shkollës dhe nga një kopje po ua dhuroj juve. Kurse për ty, Caush, do takohemi një herë tjetër, që t’i jap botimet e mia. Të më falësh Bashkim, por unë i kam shpërndarë librat e mi dhe nuk kisha kopje të tjera.
E falënderova Çelikun, për gjestin njerëzor, që edhe ai u bë pjesë e bibliotekës së shkollës sonë “Vëllazërimi”, me dy librat e tij: “14 udhëtime” dhe “Vasil Kamani, drejtori im”.
-Edhe unë, për ty, kam një dhuratë,- i them Çelikut. – Vironi më tregoi se nuk e ke marrë kopjen e Revistës “Mësuesi”, të muajit shkurt 2017> Aty edhe ti ke një shkrim, për leksikografin dhe shkrimtarin Sadulla Zendeli – Daja, nga Gostivari e me banim në Suedi, “Ju dua më shumë ,se veten!”
-Të falënderoj shumë, Bashkim, që paske ruajtur një kopje për mua!
Me Petrit Malushin shkëmbyem librat tanë. Unë i dhurova librin “Pse gjyshi lexon librat e mi?” dhe ai botimin e tij të fundit me poezi, “Gjurmë jete”, me shënimin e tij: “Respekte për mikun tim, kolegun dhe njeriun e këndshëm dhe të mirë…Autori”.
…U ndamë përzemërsisht me miqtë e mi të mirë, që i kam lexuar dhe i lexoj vazhdimisht në botimet e reja dhe botimet e tyre në shtypin periodik ose medien elektronike.
-Faleminderit miqtë e mi…Tashmë, të gjithë ju, jeni miqtë e ngushtë të shkollës sonë ,me emrin kuptimplotë “Vëllazërimi”!
Tiranë, maj 2019