Përurimi i Sheshit të dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Skivjan të Gjakovës

Më 27 prill 2019, në Skivjan të Gjakovës, me rastin e 20 vjetorit të nderimit dhe kujtimit Dëshmorëve dhe Martirëve të fshatit Skivjan, është përuruar Sheshi i Dëshmorëve dhe Martirëve të fshatit, pranë lapidarit të të rënëve për Liri e Pavarësi të Kosovës dardane.

Në inaugurimin e këtij Sheshi për nderim e kujtim të Martirëve dhe Dëshmorëve në fshatin Skivjan ishin prezentë shumë qytetarë, si nga Skivjani, por edhe më gjerë nga komuna e Gjakovës.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Gjakovës, z. ARDIAN GJINI, theksoj se me vepra të tilla sikurse ndërtimi i këtij Sheshi simbol, na bënë ne edhe më krenarë në përkujtimin për sakrificën e tyre.

Ndërtimi i këtij sheshi është bërë i mundur falë mergimtarëve të fshatit Skivjan të emigruar gjithandej nëpër botë e të bashkuar rreth Shoqatës “SKIVJANI” me seli në Zvicër sikurse edhe vet banorëve të fshatit Skivjan.

Shoqata SKIVJANI ne Zvicër pas një pune të palodhshme, ka arritur që të mbajë premtimin e saj që në 20 vjetorin e nderimit dhe kujtimit të Dëshmorëve dhe Martirëve të Skivjanit t’a ndertoj Sheshin pranë Lapidarit në Skivjan, -tha kryetari i Shoqatës “SKIVJAN” në Zvicër, z. BASHKIM KASUMAJ për Portalin Kombëtar Limit.al dhe Gazetën e Alpeve “TROPOJA”.

Si Shoqatë, e cila pranë vetes grumbullon skivjanasit e mërguar në tërë botën por jo vetëm, dëshirojmë me këtë rast të bëjë më dije, se sheshi është ndërtuar në tërësinë e tij sipas projekit të paraparë dhe se me rastin e inaugurimit të tij ky shesh i përfunduar u është dorëzuar banorëve të fshatit Skivjan, theksoj më tutje z. KASUMAJ.

Kryetari i Shoqatës SKIVJANI me seli në Zvicër në bashkëbisedimin tonë me të, shfrytëzoj rastin për të falënderuar të gjithë njerëzit dhe strukturat që kanë kontribuar, ndihmuar dhe mbeshtetur në cilëndo mënyrë që sheshi i dëshmorëve dha martirëve të bëhet realitet.

Ai falënderoj në radhë të parë këshillin lokal të fshatit Skivjan, komisionin e ngritur enkas për këtë ngritjen dhe ndërtimin e sheshit si dhe arkitektin i cili ka projektuar sheshin dhe ndjekur rrjedhën e punimeve deri në përfundimin e tij.

Falënderimi shkon më tej për të gjithë mërgimtaret dhe ndërmarrjet e skivjanasëve në botën e jashtme si në Zvicër, Gjermani, shtetet tjera të bashkësisë evropiane, SHBA dhe më gjerë, të cilët menjiherë u bënë pjesë e Shoqatës e kontribues në fondin e saj, qoftë përmes anëtarësisë së përcaktuar nga Kuvendi i Shoqatës, sikurse edhe me donacione shtesë dhe për rrjedhojë ky vullnet bëri të mundur ndërtimin dhe rregullimin e Sheshit të Dëshmorëve dhe martirëve të Skivjanit, me çka fshati ynë sot mund të krenohet me mërgimtarët e vet për kontributin e tyre në njërën anë por edhe me sheshin si një një vepër madhështore e infrastrukturës publike i cili e bënë fshatin tonë si fshat shembull në komunën e Gjakovës por edhe më gjerë, në anën tjetër. Përkushtimi, vullneti dhe gatishmëria e treguar e anëtarëve të

Shoqatës SKIVJANI kudo nëpër botë, e strukturave të Shoqatës si dhe e kryesisë saj, ka bërë që ne skivjanasit pas ndërtimit të Sheshit të ndjehemi edhe krenarë por edhe të lumtur dhe të zotët e vetes. Ai shtoj se vetëm të bashkuar mund të bëjmë vepra të mëdha.

Banorët dhe ndërmarrjet e fshatit Skivjan me banim dhe veprimtari në Skivjan dhe Kosovë gjithandej sikurse edhe qytetarë të vullnetit të mirë të rajonit që u bënë pjesë e projektit dhe mbeshtetës të tij, qoftë me donacionet financiare të drejtpërdrejta në fondin e Shoqatës por edhe duke ndihmuar personalisht, duke uruar, gostitur dhe ofruar mbështetje të pa kursyer për ndërmarrjen ndërtuese LETAJ e cila e ndërtoj sheshin, meritojnë një falënderim, mirënjohje dhe rrespekt të veçantë. Vetëm kështu bashkarisht duhet dashur vendi dhe duke u bërë bashkë për projkete të tilla plotësohet ideali i të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e me këtë rast edhe i dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Skivjan, shtoj z. KASUMAJ

Në emër të Shoqatës SKIVJANI me seli në Zvicër, ai falënderoj strukturat e komunës së Gjakovës që mbështetën dhe ndihmuan projektin duke dhuruar drunjët për mbjellje dhe shportat për sheshin e ndërtuar.

Në veçanti ai falënderoj kryetarin e Komunës z. ARDIAN GJINI, drejtorin e administratës z. FLAMUR FETAHAJ, drejtorin e drejtorisë për mbrojtje dhe shpejtim z. LUAN DINAJ, ndërmarrjen K.R.M “Çabrati” me kryeshefin ekzekutiv z. BERAT HADRIN si dhe dikasteret tjera të involvuara në projektin e Shoqatës.

Kryetarin e komunës Gjini e falënderoj po ashtu për prezencën e tij së bashku me stafin e komunës së Gjakovës në ditën e inaugurimit të Sheshit e që ishte 20 vjetori i nderimit dhe kujtimit të Dëshmorëve dhe Martirëve të fshatit Skivjan.

Gjithashtu falenderoj për pjesëmarrjen në inaugurimin e Sheshit dhe në përkujtimin për të rënët në Skivjan edhe Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇK me kryetarin z. SADRI HOXHA dhe stafin e tij.

Për punëkryesin i sheshit, ndërmarrjen “LETAJ”, me pronarin HAMËZ LETAJ, që kishte bërë një punë profesionale dhe të shkëlqyeshme në ndërtimin e Sheshit të Dëshmorëve dhe Martirëve, kryetari Shoqatës “SKIVJANI”, z. KASUMAJ shprehu rrespektin e veçant dhe falënderimin të posacëm.

Ndërmarrja “LETAJ”, tha z. BASHKIM KASUMAJ, ka zbatuar me përpikmëri projektin dhe ka mbajtur me saktësi afatin e punimeve, çka për ne si Shoqatë, paraqet standard të lartë dhe ka krijuar besimin se edhe në të ardhmen kësaj ndërmarrjeje mund t’i besohen projektet e tjera infrastrukturore, të cilat Shoqata planifikon t’i realizoj në fshatin Skivjan.

Kjo veprimtari do të ishte krejtësisht e varfër nëse nuk do të kishte brenda saj donatorin kryesor të ndërtimit të sheshit të dëshmorëve dhe martirëve, djalin nga Skivjan Shkelzen Halim Fetahaj.

Shkëlzeni si një ndërmarrës i suksesshëm në Gjermani duke u bërë vullentarisht pjesë e projektit të drejtuar nga Shoqata “SKIVJANI” në Zvicër, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Vullneti, gatishmeria, përkushtimi,dhe disiplina që ka treguar Shkelzeni na ka bërë ne si Shoqatë, sikurse edhe tërë fshatin tonë por edhe më gjerë, të besojmë më shumë, të punojmë më shumë dhe të angazhohem më shumë. Kontributi i tij tregon se bujaria, fisnikëria e burrëria janë virtyte të larta shqiptare dhe se ato asnjëherë nuk treten veçse me shembuj të tillë forcohen çdo ditë e më shumë. Kjo është nxitje, kultivim e zhvillim vlerash, të cilat e ngrisin në nivel të lartë edhe dëshirën e secilit për ndihmuar vendin, por njëkohësisht edhe përkushtimin e secilit në raport me përgjegjësitë e besuara, theksoj z. KASUMAJ

Shoqata “SKIVJANI” edhe njiherë falënderon në mënyrë të veçantë djalin e Skivjanit për kontributin e tij të çmueshëm në ndërtimin dhe rregullimin e Sheshit të Dëshmorve dhe Martirëve të Skivjanit. Tu rrit’të ndera Shkelzen, u shpreh z. KASUMAJ në përfundim të bashkëbisedimit tonë me të.

Në pyetjen tone, se cilat do të jenë projektet e rradhës, z. BASHKIM KASUMAJ u përgjegj se pas një kohë të shkurtër do të bëhen të njohura projektet, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës publike në fshatin Skivjan dhe apeloi tek të gjithë mërgimtarët skivjanas në botën e jashtme që të bëhen pjesë e Shoqatës për të ndihmuar në realizimin e projekteve që do të pasojnë në Skivjan të Gjakovës.

 

                                Ramiz LUSHAJ

Kryeredaktor i Gazetës së Alpeve “Tropoja” e i Portalit Kombëtar “Limit.al”

 

Please follow and like us: