Ndërgjegjësimi për rolin e gjumit në shëndetin tonë është gjithnjë e në rritje.

Gjumi është thelbësor për mirëqenien fizike por edhe shëndetin mendor.

Ekspertët thonë se njeriu ka nevojë mesatarisht për 7-9 orë gjumë, por ka të tjerë që besojnë se orët e gjumit të nevojshme për njeriun duhen llogaritur në bazë të moshës së tij.

Në kohët e fundit, teknologjia moderne është transformuar në një prej shkaktarëve kryesorë të lodhjes fizike dhe mendore.

Përdorimi i pajisjeve teknologjike pengon trurin të çlirojë melatoninë, hormoni që na vë në gjumë.

Kjo pengesë ndodh për shkak të ndriçimit blu të këtyre pajisjeve, ndërkohë që truri e prodhon këtë hormon në errësirë.

Ka njerëz të cilët janë të mendimit se 5 orë gjumë janë të mjaftueshme për shëndetin.

Megjithatë, ekspertët nënvizojnë se pasojat e sasive të kufizuara të orëve të gjumit janë të rënda për shëndetin, sidomos për zemrën.

Përpos të tjerave, njerëzit që flenë më pak se 7 orë, janë më të prirur të shtojnë në peshë e të vuajnë nga diabeti.

Orët e nevojshme të gjumit sipas moshës

Një ekip ekspertësh i Universitetit të Harvardit ka listuar orët e nevojshme të gjumit sipas çdo moshe.

Sipas të dhënave të ekspertëve:

Të sapolindurit nga 0-3 muaj duhet të flenë 14-17 orë në ditë

Foshnjet nga 4 në 11 muajsh duhet të flenë 12-15 orë në ditë.

Fëmijët nga 3 deri në 5 vjeç duhet të flenë 10-13 orë në ditë.

Fëmijët nga 6 në 13 vjeç duhet të flenë nga 9 në 11 orë në ditë.

Adoleshentët nga 14 në 17 vjeç duhet të flenë 8 deri në 10 orë në ditë.

Të rinjtë nga 18 në 25 vjeç dhe të rriturit deri në 64 vjeç duhet të flenë nga 7 në 9 orë në ditë.

Të moshuarit mbi 65 vjeç duhet të flenë nga 7 deri në 8 orë gjumë në ditë,

Ekspertët thonë se lista e mësipërme është optimale dhe se organizmi e nevojat për gjumë të individëve janë të ndryshme.

Sidoqoftë, nuk duhet të harroni se gjumi dhe pushimi janë shumë të rëndësishme për parandalimin e shumë sëmundjeve.