Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku në garë janë dy kandidatë, Stevo Pendarovski, i partive në pushtet të udhëhequr nga social-demokrati, Zoran Zaev dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO DPMNE-së, që drejtohet nga Hristijan Mickovski.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 13.00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 20.73 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Dalja më e lartë është regjistruar në Kriva Pallankë dhe Krushevë me rreth 39 përqind, ndërsa më e ulët në komunat me popullatë shqiptare si në Bogovinë, Zhelinë, Saraj e komuna tjera, ku nuk arrin as 10 për qind. Që zgjedhjet të jenë të suksesshme në votime duhet të dalin mbi 40 për qind e zgjedhësve.

Zgjedhjet sipas KSHZ-së po zhvillohen në atmoferë të rregullt pa incidente që mund të prishin procesin votues.

Votimet janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes. Të drejtën e votës e kanë rreth 1.8 milion persona të cilët mund ta realizojnë në 3512 vendvotime. Zgjedhjet do të jenë të vlefshme nëse në votime dalin mbi 40 për qind e zgjedhësve.

Kryeministri Ii Maqedonisë Zoran Zaev, i cili drejton njëherësh dhe Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë, ka theksuar se sot më e rëndësishmja është që të arrihet cenzusi dhe Maqedonia e Veriut të fitojë presidentin e ri të shtetit, njëherësh ka theksuar se nga votimi i sotëm do të varet se kah do të orientohet shteti.

“Unë besoj se me një dinamikë të përshpejtuar do të vazhdojmë të ecim krahë për krahë me botën perëndimore. Shpresoj që zgjedhjet e sotme të jenë të suksesshme dhe do të ecim përpara ashtu siç na ka hije”, ka theksuar Zaev.

Zaev ka ftuar qyetarët të dalin në votime duke bërë një hap kualitativ për të ardhmen e shtetit.

Lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickoski, pasi ka votuar për zgjedhjen e presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut ka theksuar se ditën e sotme e ka cilësuar si akt solemn edhe kundrejt shumë parregullsive që janë shënuar në teren.

“Siç duket karakteri i pushtet-mbajtësve të Zoran Zaevit nuk rri qetë. Ata duan që përmes rrugës së dhunës të zgjedhet presidenti i ri i shtetit. Kemi disa raste në Maqedoninë Lindore për të cilat VMRO DPMNE-ja do ta njoftojë përmes konferencave për shtyp opinionin për parregullsitë e shënuara”, shtoi ai.

Ndërkaq, lideri i partisë shqiptare në pushtet, Ali Ahmeti, procesin e sotëm zgjedhor e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut me ç`rast u ka bërë thirrje qytetareve që sa më masovisht të dalin për të votuar.

“Është një moment shumë i rëndësishëm që vendi ynë të jap një porosi për rajonin, por në veçanti për komunitetin ndërkombëtar se është një shoqëri e pjekur e përgatitur për procese të rëndësishme”, tha Ahmeti.

Në rast të dështimit të zgjedhjeve, postin e presidentit të përkohshëm do ta ushtronte kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ndërsa Qeveria nuk e ka përjashtuar mundësinë që zgjedhja e presidentit të ri të kalojë në Kuvend, por pa përjashtuar edhe mundësinë e heqjes së pragut zgjedhor dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

Në rrethin e parë, më 21 prill, në votime kanë dalë 41.67 për qind ndërsa Steve Pendarovski ka fituar me një epërsi të ngushtë prej rreth 4200 vota, respektivisht 322.58 vota apo 42,81 për qind të votave ndërsa kundërkandiatja e tij Gordana Siljanovska-Davkova 318.341 vota apo 42,25 për qind.

Në garë ishte edhe një kandidat shqiptar, Blerim Reka, që kishte fituar rreth 80 mijë vota. Pikërisht votat e tij, konsiderohen si vendimtare si për arritjen e pragut zgjedhor po ashtu edhe për fitoren e ndonjërit nga kandidatët maqedonas, të cilët edhe fushatën në rrethin e dytë e kanë përqendruar në tërheqjen e votuesve shqiptar.

Retorika e tyre ishte më e matur kundrejt shqiptarëve, në veçanti ajo e kandidates opozitare, Gordana Siljanovska e cila në vazhdimësi deklaronte se do të jetë presidente e gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike, politike apo fetare.

Por, Stevo Pendarovski që ka mbështetjen e BDI-së dhe të disa partive tjera shqiptare në qeveri, thoshte se Siljanovska tregohet e matur vetëm se për tërheqjen e votave të shqiptarëve pasi ajo sipas kandidatit të partive në pushtet, ka dëshmuar se është për shtet etnocentrik.

Partitë në pushtet në vazhdimësi kanë bërë thirrje për dalje në votime për të vërtetuar siç kanë thënë kursin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Thirrje për dalje në votime kanë bërë edhe drejtuesit e VMRO DPMNE-së, për të dënuar sic kanë thënë politikat e gabuara të qeverisë aktuale dhe vendosjen e drejtësisë në vend.

Sikur në rrethin e parë, edhe këtë të diele, zgjedhjet po mbikëqyren nga një numër i madh i vëzhguesve vendor dhe ndërkombëtar. Numrin më të madh prej 1500 vëzhguesve e ka organizata joqeveritare “Most”, kurse 400 janë të huaj.

Rezultatet e zgjedhjeve do të nisin të publikohen në sistemin elektronik në faqen zyrtare të KSHZ-së varësisht se si arrijnë nga vendvotimet.