Koreja e Veriut ka reduktuar tollonat e ushqimit në nivelin më të ulët për këtë periudhë të vitit, e mund të detyrohet të marrë edhe masa të tjera, pa ndihma ndërkombëtare.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar në një raport se, rreth 10.1 milionë koreano-veriorë, ose 40 për qind e popullatës vuajnë nga mungesa të theksuara të ushqimeve, për shkak të të korrave më të këqija në një dekadë.

Ekspertët e OKB-së kanë udhëtuar në Korenë e Veriut në prill dhe në nëntor të vitit të shkuar, për të bërë vlerësime sa i takon sigurisë së ushqimit, e kanë vizituar koperativa, zona rurale e urbane, si dhe qendra shpërndarjeje.

Ata kanë dalë në përfundimin se sistemi qeveritar i shpërndarjes së ushqimit, ku mbështetet një pjesë e madhe e popullatës, është detyruar të reduktojë racionet në 300 gramë për person në ditë, që nga janari.

Shumë familje, sipas tyre konsumojnë shumë pak proteina dhe mbijetojnë me një dietë orizi dhe lakrash për pjesën më të madhe të vitit. Qindra e mijëra koreano-veriorë humbën jetën gjatë një periudhe urie në vitin 1990.

Vendi, prej dekadash përballet me mungesa ushqimesh dhe Perëndimi fajëson për këtë krerët e Penianit. Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se kriza këtë radhë mund të jetë kritike dhe bëjnë apel për ndërhyrje humanitare.