Sri Lanka, që ende po përjeton pasojat e rënda pas shpërthimeve vdekjeprurëse të së Dielës së Pashkëve, ka ndaluar mbajtjen e mbulesave të fytyrës nga gratë.

Presidenti Maithripala Sirisena sot njoftoi fillimin e zbatimit të kësaj mase, bazuar në një ligj të emergjencës, afërsisht një javë pas shpërthimeve që pati si objektiv kishat dhe hotelet të dielën e Pashkëve Katolike, duke shkaktuar mbi 250 të vdekur.

Zyrtarët thanë se masa do t’i ndihmojë forcat e sigurisë në procesin e identifikimit të personave përgjegjës për shpërthimet.

Agjencia Reuters njoftoi se organi më i lartë i autoriteve islamike të vendit e mbështet masën në afat të shkurtër, për shkak të shqetësimeve të sigurisë, por nuk mbështet një legjislacion afatgjatë për ndalimin e burkave.

Shtetet e Bashkuara thanë se i kanë ndjekur zhvillimet në Sri Lanka dhe e kanë inkurajuar qeverinë që ta përdorë ligjin e emergjencave vetëm në kuadrin e sulmit të ditës së Pashkëve.

“Respektimi i të drejtave të komuniteteve është diçka që mund të bashkëjetojë në një shoqëri demokratike me përpjekjet për të luftuar terrorizmin global”, i tha Zërit të Amerikës Alaina Teplitz, ambasadore e SHBA në Sri Lanka.

Në një zhvillim tjetër, mediat lokale të Sri Lankës njoftuan se policia ka identifikuar gruan dhe vajzën që u nxorrën të shtunën nga rrënojat e një shkëmbimi me armë mes forcave të sigurisë dhe militantëve, ku u vranë pesëmbëdhjetë vetë, përfshirë gjashtë fëmijë.

Zyrtarët thonë se ato janë gruaja dhe vajza e Zahran Hashimit, personi i dyshuar si organizatori i për sulmeve vdekjeprurëse të së Dielës së Pashkëve.