Koha e përgatitjes – 10 minuta
Koha e zierjes – 35 minuta
Përbërësit për 4 persona:
8 karrota të mëdha
1 qepë e vogël e bardhë
1 lugë xhenxhefil i freskët, i grirë në rende
1 mollë Renette ose atë që keni ju
8 lugë kos i bardhë i trashë + 4 lugë për dekorimin e pjatave
1 lugë e vogël lëng limoni
1 degë e vogël trumzë e freskët ose e thatë
1 litër lëng vegjetal i valuar (edhe me dado supe vegjetale nëse nuk keni kohë)
2 lugë vaj ulliri
kripë
Përgatitja:
Karrotat e qëruara, i presim: 1/2 e një karrote në rrota të holla dhe të tjerat në kubikë, mollën e qërojmë dhe e presim në feta të holla.
Qepën e qëruar, të grirë imët, e skuqim në një tenxhere me vajin e ullirit dhe xhenxhefilin.
Shtojmë karotat në kubikë dhe mollën në tenxhere te qepa, i rregullojmë për kripë, hedhim lëngun e valuar dhe i lëmë në zjarr për 30 minuta me kapak, por me flakë të ulët.
Pas kësaj kohe, fikim zjarrin, e lëmë të vaket dhe e grijmë të gjithë në blender ose me frulator që zhytet derisa të kemi një masë homogjene si krem. Shtojmë tani kosin dhe lëngun e limonit dhe i japim një të përzier përsëri derisa të shohim që janë përzier mirë.
E shërbejmë të vakët nëpër tasa ose në pjata, të cilat i zbukurojmë sipër me feta karote krude, 1 lugë kos dhe gjethe trumze.