SHBA, Kina, Arabia Saudite, India dhe Franca japin së bashku më shumë para për armatimin, se të gjitha vendet e tjera në botë, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studimet e Paqes në Stokholm, SIPRI.

Është e vështirë të përfytyrosh një shumë prej 1822 miliardë dollarësh. Por kaq shumë para u shpenzuan në vitin 2018 në të gjithë botën për armatimin, 2,6% më shumë se një vit më parë. Këtë e konfirmon Instituti Ndërkombëtar për Studimet e Paqes, SIPRI në Stokholm  në raportin e publikuar të hënën.

Shumica e miliardave të shpenzuara vijnë nga SHBA. Nga të gjitha vendet në botë, janë SHBA ato që japin më shumë para për armatimin. Drejtuesi i projektit, Nan Tian thotë në bisedë me Deutsche Wellen, se „rritja e shpenzimeve këtë vit prej 4,6% është më e larta prej 7 vitesh”. Sipas Tian „SHBA po vë në jetë një program të zgjeruar modernizimi të të gjithë ushtrisë dhe po fillon me këtë. Bëjmë fjalë për një shumë prej 1,8 bilionë dollarësh për 20 vitet e ardhshme që do të jepet si për armët konvencionale, ashtu edhe ato nukleare.”

Sipas raportit, SHBA, Kina, Arabia Saudite dhe India së bashku japin më shumë fonde në botë për ushtrinë. Franca zuri në vendin e pestë në vitin 2018, e ndjekur nga Rusia, që për herë të parë u rendit në vendin e gjashtë. Por kjo sipas Tian, nuk lidhet me atë që Rusia ka dhënë më pak për shpenzimet ushtarake, por për shkak se shifrat e SIPRI-t janë të llogaritura në dollarë. „Rënia e shpenzimeve ushtarake me 3,5% lidhet vetëm me inflacionin. Kthyer në rubël u bënë për vitin 2018 po aq shpenzime si për vitin 2017.”

Shqetësim në Europën Lindore

Shpenzimet ushtarake ruse sjellin shqetësim të madh sidomos në shtetet fqinje, thuhet në raportin e SIPRI-t. Konflikti Rusi-Ukrainë po ashtu e shton situatën e tensionuar dhe bën të rritën shpenzimet ushtarake. Ukraina ka dhënë në vitin e kaluar afër 4,8 miliardë dollarë për armatimin, një rritje me 21%. Por edhe vende si Bullgaria, Letonia, Lituania, Rumania dhe Polonia i kanë rritur shpenzimet ushtarake për t’iu përgjigjur ndjenjës së kërcënimit nga Rusia.

Në Europën Perëndimore janë Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania tek 10 vendet me shpenzimet më të larta ushtarake. Edhe Gjermania i ka rritur shpenzimet. Qeveria federale gjermane synon të rrisë shpenzimet ushtarake në 1,5% të prodhimit të brendshëm bruto. Partneri i NATO-s, SHBA kërkon një rritje të shpenzimeve në 2%.

Kina

Në vendin e dytë për shpenzimet ushtarake në botë qëndron Kina. 250 miliardë dollarë jep Kina për armatimin dhe modernizimin e ushtrisë, në 10 vitet e fundit buxheti ushtarak është rritur me 83%. Nga njëra anë sipas ekspertëve të SIPRI-t, Kina zgjeron influencën e saj në rajon. „Kina nuk dëshiron që SHBA t’i afrohet shumë rajonit dhe vendeve fqinje. Ka tensione të mëdha mes dy aktorëve më të mëdhenj.” Nga ana tjetër, modernizimi i forcave të armatosura amerikane luan rol si për Kinën ashtu edhe Rusinë.

Megjithë rënien e çmimit të naftës, Arabia Saudite me shpenzimet e saj ushtarake ka zënë vendin e tretë, pas Kinës. Buxheti ushtarak i shtetit të gjirit kap shifrën e 67,7 miliardë dollarëve.  Arabia Saudite është importuesi më i madh i armëve në botë, dhe e trajtuar në mënyrë të veçantë nga koncernet prodhuese të armëve. Pas vrasjes së gazetarit kritik, Jamal Khashogi, qeveria gjermane vendosi ndalim të eksportit të armëve ndaj Arabisë Saudite, por  industria e armatimit shpesh prodhon në bashkëpunim me vende të tjera, e në këtë rast qeveria gjermane nuk mund të vendosë ndalim eksporti.

Turqia vazhdon të rrisë shpenzimet e armatimit

Një vend tjetër që i sjell shqetësime Gjermanisë në drejtim të eksportit të armëve është Turqia. Shkeljet e të drejtave të njeriut në Turqi dhe ofensiva ushatarke kundër kurdëve, bën që të rritet në Gjermani kritika për furnizimin me armë të Turqisë. Por Turqia vazhdon të rrisë shpenzimet e armatimit, në vitin e kaluar shpenzimet ushtarake u rritën me 24%. Turqia zë vendin e 15-të tani.

Ndërkohë India është vendi që për të pestin vit me radhë rriti shpenzimet ushtarake, Me 66,5% miliardë dollarë për buxhetin ushtarak, India shpenzon gati 6 herë më shumë se rivali i saj, Pakisani. Por të dyja fuqitë atomike vazhdojnë rritjen e armatimit dhe gjendja në rajonin e Kashmirit mbetet e paparashikueshme.

Afrika në raportin e SIPRI-t përmendet se ka dhënë më pak për armatimin, por sipas ekspertëve, nuk bëhen transparente të gjithë shpenzimet në disa vende afrikane. Sudani përmendet në raport, si një vend që nuk i bën tërësisht publike shpenzimet ushtarake.

Raporti i SIPRI-t mbështetet në burime të bëra transparente dhe zyrtare dhe nuk reflekton marrëveshjet sekrete. Prandaj mendohet, se shpenzimet ushtarake mund të jenë edhe më të larta se 1822 miliardë dollarë që ka llogaritur instituti i Stokholmit./REL