Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të Masakrës së Mejës, tha se mohimi i ngjarjeve të tilla “ua rihap plagët të gjallëve dhe e kthen rajonin prapa”.

“E dimë se ka njerëz që do të mohonin realitetin e dokumentuar mirë të mizorive të kryera në Mejë dhe vendet tjera në Kosovë. Mohimi i këtyre ngjarjeve përdhos kujtimin e të vdekurve, ua rihap plagët të gjallëve dhe e kthen rajonin prapa në përpjekjet për të ndërtuar shtete demokratike në paqe me njëri-tjetrin. Pranimi i krimeve kundër njerëzimit të kryera këtu dhe në pjesë të tjera të këtij vendi është jetik për të siguruar që ato të mos përsëriten kurrë më”, tha ambasadori Kosnett, duke shtuar se SHBA-ja veproi në Kosovë, në mbështetje të civilëve të pambrojtur.

Ambasadori Kosnett tha se askush nuk duhet të dyshojë “sa e e thellë apo e qëndrueshme është miqësia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës”.

“Mbështetja e Amerikës ndaj qëllimit për paqe, drejtësi dhe mbarësi për Kosovën – dhe fqinjët e Kosovës – mbetet e qëndrueshme. Përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës paraqet një trashëgimi të thellë për ata që vdiqën që Kosova të jetë e lirë”, tha ambasadori amerikan.

Në Mejë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se qytetarët e Kosovës kërkojnë drejtësi për krimet e kryera dhe për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se Kosova nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për masakrat e kryera.

Në fjalën e tij, kryeministri Ramush Haradinaj, pikërisht në Ditën e të Pagjeturve, tha se përmes Ligjit për personat e zhdukur, i cili është ende në diskutim publik, do të rregullohet statusi i personave të zhdukur dhe martirëve.

“Me Ligjin e ri ka rritje të mbështetjes shëndetësore, mbështetjes në arsim, e drejta e bursës, përparësi në sistemimin në konvikte, në shërbimet sociale, transport falas, lehtësira në Doganë dhe obligime tjera tatimore, lehtësira në pagesa të rrymës dhe shërbime tjera komunale, në shërbime shëndetësore në ato primare, sekondare dhe terciare”,tha Haradinaj, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.

Më 27 prill, 1999, në Mejë të Gjakovës u vranë 367 persona. Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, ende konsiderohen të pagjetur mbi 1 mijë e 600 persona, shumica prej të cilëve janë shqiptarë.