Ballina Aktualitet Çfarë mund të pritet nga takimi i Berlinit?

Çfarë mund të pritet nga takimi i Berlinit?

Megjithëse takimi është joformal, pritet që të ketë një dokumet ku do të përmblidhen rezultatet përfundimtare të takimit, të cilat do të firmosen nga të gjithë pjesëmarrësit.

Të hënën e ardhshme, më 29 prill,  kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të presin në Berlin krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, Sllovenisë dhe Kroacisë.

Ndryshe nga ajo që thuhet në media, një marrëveshje për ndryshimin e territoreve në Ballkan nuk pritet të ketë, i tha DW-së një zyrtar i qeverisë gjermane.  Madje nuk mund të pritet as edhe një marrëveshje konkrete përsa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Edhe zëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer, tha të premten, 26 prill 2019, në Berlin se takimi synon shkëmbimin e mendimeve dhe ka karakter joformal. Demmer konfirmoi se Kosova do të jetë një nga temat kryesore. Sipas burimeve të DW, Kosova do të jetë tema kryesore gjatë darkës, pra, në pjesën e dytë të samitit.

Në pjesën e parë do të ketë edhe një diskutim ku të gjithë të ftuarit do të shprehin pikëpamjet, qëndrimet, shqetësimet e tyre, hallet dhe kërkesat e tyre në lidhje me situatën në rajon.  Gjermania pritet të kërkojë nga qeveria e Kosovës që ajo të heqë taksat doganore prej 100 për qind të e vendosura ndaj Serbisë dhe Bosnjës, sepse pa to nuk mund të ketë vazhdim në dialogun e normalizimit.

Pjesëmarrësit

Nga Kosova është ftuar presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa Serbia priten të vijnë presidenti Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrja Brnabiç. Thaçi, Vuçiç, Gjukanoviç dhe Macron janë të vetmit presidentë që marrin pjesë në takim. Të tjerët janë kryeministra. Disa liderë nga rajoni, si për shembull presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës Milorad Dodik më parë ishin shprehur të pakënaqur që nuk ishin ftuar në takim. Demmer tha në konferencën e shtypit, se nuk mund të jepte informacion për ftesat.

Angazhimi i drejtpërdrejtë i kancelares Angela Merkel në Ballkan ka qenë një dëshirë e kahershme e shumë politikanëve nga rajoni dhe nga Gjermania. Dëshira u përforcua kur dialogu i normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, i drejtuar nga shefja e politikës së jashtme në BE Federica Mogherini, nuk solli rezultat.

Zonja Mogherini do të jetë gjithashtu e pranishme. Në takim nuk pritet të jetë i pranishëm kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Ai nuk e kish konfirmuar asnjëherë pjesëmarrjen e tij, i tha DW-së një burim.

Në takim marrin pjesë edhe Kroacia dhe Sllovenia, pra, krahas Francës dhe Gjermanisë, bëhen katër vende të BE-së të  interesuara seriozisht për Ballkanin. Organizatorët  Macron dhe Merkel nuk duan të zëvendësojnë në asnjë mënyrë rolin  e Bashkimit Evropian. Por ata duan të dëshmojnë se edhe pse BE aktualisht ndoshta nuk flet me një zë në lidhje me Kosovën, interesimi i shteteve të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është i pandërprerë, mësoi DW nga qarqet diplomatike.

Zgjerimi i BE

Megjithëse takimi është joformal, pritet që të ketë një dokumet ku do të përmblidhen rezultatet përfundimtare të takimit, të cilat do të firmosen nga të gjithë pjesëmarrësit.

Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për parlamentin evropian, prandaj kjo nuk do të jetë  temë e  samitit vetë. Por si për kryeministrin shqiptar Edi Rama, ashtu edhe për kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, janë paraparë takime bilaterale me kancelaren Angela Merkel, para fillimit të takimit. Temë këtu do të jetë çelja e negociatave të anëtarësimit në BE. Merkel dëshiron të theksojë kështu rëndësinë që u jep Gjermania këtyre dy vendeve dhe perspektivës së tyre në BE.