Blloku prej pesë anëtarësh i gjykatësve konservatorë dominon në gjykatën prej nëntë anëtarësh. Ata u shfaqën të zhgënjyer gjatë një dëgjese prej 80 minutash rreth dyshimeve se çështja e shtetësisë mund të sillte si pasojë që 6.5 milionë persona, shumica e tyre emigrantë hispanikë, të refuzonin pjesëmarrjen në censusin që zhvillohet prillin e ardhshëm.
Anëtari më i ri i gjykatës Brett Kavanaugh, i emëruar nga Presidenti Donald Trump, tha se Kongresi mund ta ndryshonte ligjin për të bllokuar çështjen e shtetësisë, nëse e ndjente se kjo pyetje në census, do të ndikonte saktësinë e regjistrimit. Kryetari i gjykatës John Roberts tha se informacioni lidhur me shtetësinë është kritik në zbatimin e ligjit për të drejtën e votës, pretendim ky që mbrohet nga administrata Trump, si arsye për ta shtruar pyetjen në formularin e regjistrimit për herë të parë që nga viti 1950.
Çështja lidhur me shtetësinë u ankua nga shteti i Nju Jorkut dhe nga juridiksionet e tjera ku jetojnë një numër i madh emigrantësh.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James tha pas seancës dëgjimore se kjo pyetje “do të minonte numërimin” duke shtuar se “duhet një regjistrim i saktë i popullsisë”.
Por presidenti Trump, i cili ka përqafuar një qëndrim të ashpër kundër emigracionit të paligjshëm dhe kërkon të ndërtojë një mur në kufirin jugor me Meksikën, dëshiron ta përfshijë çështjen e shtetësisë, në një përpjekje për të llogaritur numrin e emigrantëve pa dokumente në vend.
Për shumicën e personave që do të plotësojnë formularët e këtij regjistrimi që bëhet një herë në dhjetë vjet, përgjigja ndaj një pyetjeje të tillë do të ishte e lehtë, pasi ata janë përgjithësisht të lindur amerikanë, ose shtetas amerikanë të natyralizuar, me prejardhje nga vende të tjera.
Nuk ekziston një shifër e saktë, por demografët thonë se mund arrijë deri në 11 milionë, nga 328 milionë banorë të Shteteve të Bashkuara.
Përllogaritja e një shifre sa më të saktë të popullsisë është e rëndësishme në Shtetet e Bashkuara, pasi kjo përcakton edhe numrin e ligjvënësve që 50 shtetet amerikane do të kenë në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë 10 viteve të ardhshme, si dhe pjesën që do të përfitojë secili shtet nga mbi 657 miliardë fonde të programeve federale.
Tre gjykata amerikane kanë bllokuar Sekretarin e Tregtisë, Wilbur Ross, drejtues i institucionit që mbikqyr censusin, që të shtojë një pyetje për nënshtetësinë. Gjykatat vendosën se miliona banorë që nuk janë shtetas amerikanë, në veçanti hispanikët, mund të shmangin pjesëmarrjen në census për shkak të frikës nga autoritetet e emigracionit. Kritikët e Presidentit Trump e konsiderojnë futjen e pyetjes për nënshtetësinë, si një përpjekje për të zvogëluar numrin e ligjvënësve demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët që në muajin janar.
Megjithë vendimin e Sekretarit Ross për të shtuar këtë pyetje, ekspertët e Byrosë së Censusit konkluduan se heqja e kësaj pyetjeje do të sillte një shifër më të saktë të popullsisë së Shteteve të Bashkuara, pasi emigrantët pa dokumenta mund të hezitojnë të pranojnë se nuk janë nënshtetas amerikanë dhe mund të refuzojnë t’u përgjigjen pyetjeve.
Byroja për Censusin vlerësoi se rreth 6.5 milionë njerëz do të shmangin t’u përgjigjen pyetjeve, nëse do të përfshihet pyetja për nënshtetësinë.
Administrata Trump thotë se ka autoritetet të gjerë për të përcaktuar pyetësorin dhe se pyetje për nënshtetësinë janë bërë edhe në anketime më të vogla vjetore. Administrata gjithashtu thotë se kjo pyetje është e nevojshme për të ndihmuar në zbatimin e parashikimeve të Ligjit federal për të Drejtën e Votës.
Pas kësaj seance dëgjimore, Gjykata e Lartë amerikane pritet të japë një vendim brenda muajit qershor, duke i dhënë kështu kohë të mjaftueshme qeverisë për të printuar pyetësorin e censusit që do të zhvillohet në muajin prill të vitit 2020.