Tiranë, më 21.4.2019
Publikim i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren
______________
Me 19 prill 2019, nё mjediset e Bibliotekёs Kombёtare nё Prishtinё u përurua libri “Kosova e kёrcёnuar nga gjarpri i shtёpisё”, i autorit dr. Islam Lauka.
Mora pjesë në atë përurim, me ndjenjen e përgjegjësisë që ta nderoi autorin, i cili me punën dhe arritjet e tij, na ka nderuar dhe na nderon gjithëherat.
_______________
Më 19 prill 2019, ditёn e premte, ora 11:00, nё mjediset e Bibliotekёs Kombёtare nё Prishtinё, në praninë e shumë pjesëmarrësve nga Kosova dhe Shqipëria, personalitete të kulturës, artit, diplomacisë dhe politikës, u bë përurimi i librit më të ri të autorit dr. Islam Lauka, “Kosova e kёrcёnuar nga gjarpri i shtёpisё”, botim i SHB “Faik Konica”.
Vet titulli i këtij libri mbart me vete një simbolikë të fortë tradicionale lidhur me gjarpërin si figurë mitologjike e popullit tonë, kur ai shëndërrohet në dragua për të mposhtur kundërshtarët, në të Bukuren e Dheut për të pajtuar një personazh të merituar, si shërues nga helmi i tij me koncentrim të mjaftueshëm, por kryesisht ai më së shumti është trajtuar dhe besuar si “Ora e shtëpisë”.
Kur një shtëpi përparon, thuhet “e ka orën çuet”, në të kundert “i ka vdekë ora”, por përkunder asaj, në rastin tonë, përmes trajtesave të bazuara të këtij libri, ballafaqohemi me një rast përjashtues nga ajo traditë dhe besim kur vet shtëpia, pa asnjë shkak të justifikuar, përkundër një absurdi të paparë, kërcenohet nga i adhuruari i shtëpisë, “ora e tij” gjarpri i shtëpisë.
Në përmbajtjen e këtij libri trajtohet me një shqetësim të përligjur, për sa i përket çështjes së prespektivave dhe zhvillimeve të ardhshme të Kosovës, atë që po don të ndodhë, kur ajo që u fitue me gjak e sakrifica në një përpjekje shekullore, të dhurohet në tavolinë, si kusur i matrapazlleqeve të debilëve që kanë okupuar institucionet e shtetit, për rastin në fjalë, atje në Kosovë.
Autori i këtij libri me shqetësim, prokupacion dhe duke kontribuar efektivisht, i ka ndjekur dhe trajtuar zhvillimet atje duke i parë ato që në krye të herës përmes një vetdijësimi të plotë, se Çështja e Kosovës nuk ka qënë, nuk është dhe nuk duhet të jetë çështje vetëm e Kosovarëve, por ajo ka qenë, është dhe duhet të jetë veçse Çështje Kombëtare Shqiptare. Si e tillë, përkunder qëndrimeve të shumë politikanëve e pseudopatriotëve në Kosovë, të cilët janë pajtuar në kompromise politike dhe interesash vetanake, me një kurajo patriotike, intelektuale e qytetare, autori i këtij libri e ka përcjellur nga afër me shqetësim e reagim të vazhdueshëm situaten në Kosovë, duke e ngritur zërin për çdo konvergim të gabuar zhvillimesh atje dhe tani vjen edhe me këtë libër, i cili është i pari i këtij lloji që ka të bëjë me shqetësimet imediate, të cilat donë ta fusin Kosovën në prespektiva të gabuara.
Shqetësimet që ngre autori në libër, nuk janë sipërfaqësorë, nuk janë të interesit të tij të ngushtë, por përkundrazi ato vijnë ndesh’ me interesat e zhabave dhe zvarranikëve të pellgut me ujë të ndenjur, të cilët përpiqen ti sjellin edhe kokëçarje.
Por ato shqetësime të tija për prespektivat e ecjes së Kosovës para, vijnë së brendshmi nga qenia e tij, nga shpirti, por mbi të gjitha nga geni familjar e farefisnorë, nga ato ndjenja patriotike të gatuara historikisht në krahinën e tij të lindjes, Bytyçit, e po ashtu në mbarë Malësinë e Gjakovës dhe jo vetëm.
Ky nuk është libri i parë, që autori ka shkruar për Kosovën, por i fundit në rradhë për momentin, që të vijojë deri sa të shkarkojë gjithë atë bagazh të akumuluar për në masë të konsiderueshme, për Çështjen e Kosovës, të cilen e ka pasë dhe e ka temën e tij të preferuar si dhe lajtmotiv.
Autorit të librit dhe birit të nderuar të krahinës së Bytyçit i urojmë suksese të pandalura në punën e tij shoqërisht të dobishme.
Për Shoqatën Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren.
Agron Isa GJEDIA