Ballina Aktualitet Presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Luca Javier : Integrimi i...

Presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Luca Javier : Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE sa më parë që të jetë e mundur

Përfundon në Tiranë Forumi i 7-të i Shoqërisë Civile për Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësit kërkojnë që BP të integrohet sa më parë në BE.

“Parlamenti i ri Europian dhe Komisioni i ri Europian të mbështesin politikën e zgjerimit të BE pas zgjedhjeve europiane të majit 2019 dhe përmirësojnë tërësinë e mjeteve të tyre për angazhimin me Ballkanin Perëndimor.”Me këtë thirrje përfundoi në Tiranë, të mërkurën (17.04), Forumi i 7-të i Shoqërisë Civile për Ballkanin Perëndimor (BP), që zhvillohet në kuadër të aktiviteteve që lidhen me Procesin e Berlinit dhe samitin e tij të 6-të, në korrik të këtij viti, në Pozdan, Poloni. Forumi vlerësoi efektin pozitiv që ka pasur në procesin e zgjerimit të BE, Procesi i Berlinit, nismës diplomatike të kancelares Angela Merkel, në gusht 2014, për t’i dhënë impulse të reja procesit të afrimit të BP me BE.

Në deklaratën përfundimtare të miratuar nga 180 pjesëmarrës, Forumi thekson se “ka shpresë që zgjerimi të mbetet një nga prioritetet e BE, pavarësisht nga sfidat e shumta që ai po përballon aktualisht”. Presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, (KESE), Luca Javier, theksoi në Forum rëndësinë “e integrimit të BP në BE, sa më shpejt të jetë e mundur. Zgjerimi dhe në veçanti përhapja e vlerave demokratike dhe standardeve ligjore të të BE në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është në interes si të partnerëve tanë nga Ballkani Perëndimor ashtu dhe të BE-së”, tha ai.

Temat që u diskutuan në këtë Forum ishin vlerësimi dhe perspektiva e marrdhënieve mes BE dhe BP, roli i shoqërisë civile dhe partnerëve socialë në promovimin e bashkëpunimit rajonal në tregëti, investimet, lidhjet e njerëzve me njëri- tjetrin në rajon, krijimi i hapësirës qytetare për dialog social në BP.

Shoqëria civile – faktor kyҫ drejt ndryshimit pozitiv

Zgjerimi i BE me vendet e BP dhe roli i shoqërisë civile në këtë process ishte kryetema e Forumit. Angelina Eichhorst, drejtore për BP në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të KESE, theksoi se “Organizatat e Shoqërisë Civile janë çelësi për nxitjen e angazhimit më të fortë nga udhëheqësit politikë dhe shoqëritë për ndryshim pozitiv në kulturën politike, më shumë demokraci, transparencë dhe shtet të së drejtës, më shumë ekonomi të qëndrueshme”.

Në të njëjtën linjë u shprejh edhe Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal kur tha në Forum se “qytetarët e BP besojnë se shoqëria civile është organi më funksional që mund t’i bëjë qeveritë përgjegjëse”.

Në rajon po zvogëlohet hapësira për shoqërinë civile

Realiteti në vendet e BP nuk i përgjigjet rolit kyҫ që mund dheduhet të luajë shoqëria civile për të sjellë ndryshime pozitive në të gjitha fushat me qëllim afrimin sa më shpejt të BP me BE. Pjesëmarrësit në Forum shprehën shqetësimin se “në disa vende në rajon po zvogëlohet hapësira për shoqërinë civile”. Në Deklaratën Përfundimtare të Forumit u theksua që “liria e shprehjes dhe mediat e lira janë parakushte për krijimin e demokracive të forta” dhe u dënuan sulmet kundër organizatave të shoqërisë civile  “nga përfaqësuesit e qeverive dhe mediat e financuara nga qeveria”

Çpopullimi i rajonit, emigrimi i rinisë

Forumi u ndal në dukurinë tashmë të njohur të ҫpopullimit të rajonit, si pasojë sidomos e  emigracionit të rinisë drejt vendeve të BE. Forumi e konsideroi largimin e rinisë nga rajoni një ҫështje që kërkon ndryshim emergjent. Në deklaratën përfundimtare u bëhet thirrje qeverive të rajonit “të investojnë më shumë tek rinia, të zhvillojnë politika në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile që përfaqësojnë rininë, të përmirësojnë sistemin e arsimit, reduktojnë papunësinë e rinisë, të përfshijnë më mire se deri tani rininë në shoqëritë e BP si të vetmen mënyrë për të zbutur tendencat emigruese”.

Programi rajonal i konektivitetit

Forumi u ndal në thelbin e këtij programi: zgjerimin e rrjeteve/korridoreve europiane të transportit dhe energjisë drejt BP. Ai theksoi domosdoshmërinë që “autoritetet e BP të përshpejtojnë zbatimin e projekteve në fushën e transportit dhe energjisë, që vuajnë nga koordinimi jo efikas i administratave publike të rajonit dhe mospërfshirja e komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile në projektet në infrastrukturë.

Forumi i 7-të i Shoqërisë Civile për Ballkanin Perëndimor, Tiranë, u organizua nga Komiteti Ekonomik dhe Social Europian me mbështetjen e Komisionit Europian dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.