Poeti Tahir Bezhani nga Gjakova tashmë e ka krijuar profilin e tij me disa libra në poezi,prozë,studime dhe monografi. I dalluar sidomos në poezi, ai sjell para lexuesit, librin e fundit,që është një arritje dhe kapja e një niveli më të lartë, çka dëshmon se poeti është gjithnjë në kërkim të shprehjes poetike dhe të thellimit të saj,si dhe i zgjerimit dhe mprehjes së këndvështrimeve.
Ai është një poet që ulet në sofrën e poetëve dhe ha bukën e vet,gjë mjaft e rëndësishme dhe e gëzueshme kjo.Thënë në krye të herës ,Bezhani sjell një poezi, frymë,një fjalë flurore,të pakapshme dhe njëkohësisht konkrete,kjo e dallon prosedeun e shkrimit të tij poetik.Ai nuk është poet i motivit konkret po i motivimit të ndjenjës në sensin filozofik,mbetet poet i drejtpërdrejtësisë po edhe poet i shenjimit të largët të sendeve dhe objekteve poetike;dhe,e gjithë kjo sjell një frymë të ngrohtë ,një meditacion të thellë që e vë poetin në pozicionin e bashkëbisedimit me kohën,hapësirën e njeriut në një kontekst të caktuar dhe universal,duke na shfaqur fuqishëm dhe me një begati fjale trillin artisik që ndihet në të.Poeti këtu anon nga poezia moderne dhe priret t`i kapë gjërat gjithnjë brenda këtij përcaktimi,pra ai shfren lirshëm dhe pa bujë, duke mbledhur përjetime në strumbullarin e mendimit të tij.
Kështu,ky poet ndjen,mendon përmes ndjenjave dhe sprovave të tyre ,duke iu dhënë tërësisht një bote refleksive plot ndjesi e përimtime të përthekuara.Mund të thoshim se poeti Bezhani këtë e realizon përmes një vjershe që ndërtohet përmes asosacioneve të imazheve që bashkëshoqërojnë njëra tjetrën dhe mblidhen sërish bashkë ,sepse gjejnë shumë anë dhe paralelizma midis tyre.Poezia vendoset në disa vende të caktuara, Gjakovë,Valbonë,Tiranë, dhe duket se poeti udhëton pareshtur në trojet etnike,zbulon bukurinë e tyre,i përqafon me ndjenjë e mendim,çka tregon se ai është kombëtarizuar larg pamfleteve dhe sloganeve patriotike,por rri natyrshëm brenda qenësisë së dashurisë për atdheun.
Në një farë mënyre, brenda kontekstit të njohur ai shpreh gjithë atë ndjenjë të shqiptarit të ndarë që pasi gjeti mundësinë e afrimit,e ka të vështirë të shkarkojë menjëherë gjithë atë brengë të ndarjes shekullore,pa e kaluar atë nëpër një grafik zbritës të mallëngjimit e të mallit.Malli bëhet një pikë reference e fortë,malli ,si për vendet,malli për moshën që ikën,malli për njeriun dhe malli për njerëzit,pa e përmendur fjalën mall, po duke e nënkuptuar atë në të gjitha poezitë e tij.Mallëngjimi nuk është kurrë i qartë,as i shpjehgueshëm,ai e krijon terrin e vet,që është një tis romantik i cili fton për optimizëm që ta duam jetën dhe bukuritë e saj.
Bezhani është poet i bukurive të ndjenjës dhe mendimit,i bukurive të jetës ,i kujtimeve dhe i së tanishmes duke harmonizuar në vargjet e tij gjithë ato vlera të thjeshta të jetës dhe të kohëhapësirës së lëvizjes së njeriut nëpër të.”Me këtë pus kohe të nxirë/më vjen të qaj”,klith poeti,sepse “Shëtit shpirti gjithësinë/në kërkim të ngrohtësisë/”…e duke i bashkuar këto sintagma poetike, menjëherë ,pa na shpjeguar po duke lënë të nënkuptuar, poeti na shpreh gjithë dramatikën e një kohe të caktuar që e marrim me mend,koha si kohë kombëtare,koha si kohë vetjake dhe koha si nocion filozofik dhe ekzistencial,aty ku shpërndahet dhe mblidhet në kërkim të identitetit të saj qenia njerëzore.Kjo natyrisht nuk e bën kohën një adresë ku duhet vetëm të çosh lajme dhe ankime,po një vlim brenda ëndrrës për ta jetuar atë.Brenda saj, ai shpalos ndjenjat dhe mendimet e veta duke kërkuar shumë kuptime,por,sa gjen njërin ai i shket dhe turret drejt trajektores së tij dhe kështu poeti mbetet gjithnjë në vrapin e tjij imagjinativ dhe të bukur.
Poezia e tij dallohet për forcën përshkruese dhe analitike,brenda një verbi të thjeshtë por, ku me trill dhe bukuri të tij, ngërthehen dhe i bëjnë vend njëri tjetrit mjaft imazhe të cilat të befasojnë;”Jeta avull lëvizës në epruvetë/lëng mashtrues që rrit etjen/ikën dita dhe fshihet në palcën e tokës/dalëngadalë tretem në hi./aty ruaj thesarin e shpirtit tim/bukuri e moshës sime/brushë piktori për natyrën” etj, etj…
Brenda strukurës që ndërtohet përmes fluksit të shpërndarjes së imazheve rrinë përcaktime dhe vargje që sintetizojnë dhe dallohen për forcën e tyre goditës e befasinë e këndshme.Këtu qëndron forca tronditëse e poezisë së Bezhanit, sepse ai është një poet që të trondit dhe janë disa faktorë që një poet të trondit,e para, ndjenja e vërtetë dhe e sinqertë,e dyta, imazhi i veçantë dhe i pandeshur,pastaj mesazhi dhe forca sintetizuese e tij.Me këto tri elementë ai ndërton një komponente origjinale dhe të përfillshme që e bën atë një poet interesant e plot ndjesi.Poeti arrin të na kumtojë lëvizje,këto lëvizje vërtiten nga karuseli i ngjyrave të jetës;është mjaft intersante poezia e tij në aspektin e leximit të kujdesshëm,sidomos duke u parë si një varg që derdhet lirshëm dhe lëviz nëpër një reliev të butë ndjenjash dhe mendimesh që nuk gjejnë qetësi.
Shqetësimi i tij poetik sillet si shqetësimi i qenies njerëzore që nuk është kurrë e ngopur me jetë, sado që kopracia e jetës shpesh i ka vënë kufij asaj çfarë duam të realizojmë dhe të arrijmë.Lëvizja si një imazh sjell edhe një ritmikë të veçantë, një përshpejtim që shkon drejt fundit të diçkaje dhe duket sikur nuk e arrin dhe kjo ia sjell kësaj poezie dhe sharmin edhe kuptimin e saj që mbulohet nëpër mjegullat e mallit dhe të brengës;ëndrra dhe zhgjëndrra,dalldia dhe qartësia,furtuna dhe qetësia,dilema dhe vendosmëria,dëshira dhe shfrenimi,koha dhe çasti i saj,njeriu konkret dhe njeriu si nocion dhe univeralitet,kontrastohen dhe paralelizohen në një spikatje të bukur të vërtitjes së imazheve;ato janë disa piketa shpirti pa gjetur një stacion të qëndrueshëm, sepse poezia e Bezhanit kurrë nuk është e qetë.
Vemë re se peizazhi nuk është dekor,por funksionalizues dhe organik.Bjeshka del herë herë,stuhia,nata,era,Valbona,dy Drinat,fletët që bien përtokë,kulla,rruga,një gjeografi e lëvizjes njerëzore.Prej këtij pezizazhi ai ndërton një parelizëm figurative të mbyllur përmes një simbolike të kuptueshme me vlerë të fortë konotative.Peizazhi jepet edhe si peizazh ambential i jashtëm, por edhe si peizazh i jetës:Ja si e përshkruan ai ambientin e një shtëpie:”Buka rreshket në sanxhak,gaca bunge,prush në tangar mbuluar,disa varg specash djegës/var në hangar të drithit’
Por shesh peizazh bëhet dhoma,dritarja ,e prej aty poeti kërkon të fluturojë në pafundësi në hënën që “pritet nga vrapime resh”.Shpesh brenda këtij peizazhi lëviz zymtia,po nuk është një zymti lënguese,por një forcë,një ndalje çasti për ta shprehur atë përmes natyrshmërisë së jetës.E brenda këtij peizazhi ,e në zemër të tij, poeti shpalos bukurinë e jetës,vrapin e dëshirës për ta përqafuar atë dhe poeti nuk ndalet dhe s`ka sesi.Si një poet i dhënë pas bukurive të jetës, ai nuk e harron as bukurinë e femrës dhe kjo e tundon ,e stërmundon;kjo më së shumti sjell shpalime të zjarrta.”Ato sy të kaltër më coptonin/u balsamosa në prag dere”.Para se të përshkruajë femrën, ai ndalet më së shumti në efektet që krijon bukuria e saj,ose kujtimi i largët i dashurisë.Kështu, poeti ralizon një lirikë dashurie të tijën,plot hov e passion,përmes mallit dhe kujtesës.
Poezia e Bezhanit i mbart më së miri intonimet e një ndjenje të vrullshme dhe të stërholluar, prej nga buron një lirizëm i ngrohtë dhe mjaft impresionues,ajo është poezi që ngrihet mbi një vetëdije të shqetësuar të intelektualit që kërkon të zbulojë e përditësojë,të veshë me vështrimin e vet gjëra që lakuriqohen prej mungesës,është një poet që nuk ndjen qetësias, ndalje në vend,një poet i kërkimeve ekzistenciale ku, sapo mbyllet diçka ,kërkon të gjejë rrugë që të rihapë atë,gjithnjë në kërkim.Poeti i kalon imazhet në kufijtë ,sa ato të mos ndahen me njëri tjetrin po të rrinë gjithnjë bashkë e secili ta shtyjë tjetrin deri bë kufirin e vet.Poet i kalimeve të shpejta ai e shpejton përfshirjen e tyre brenda vështrimit të vet poetik.Bezhani është një poet i figurës,po figura tek ai nuk vjen me sforco ,as si kërkim manierist,ajo gjithnjë rri në vendin e vet dhe shfaqet natyrshëm,e vërtetë dhe e besueshme.Si një poet ,më së shumti metaforik,ai arrin të na japë metafora origjinale dhe të bukura:”Siluetat shikoheshin,Dajtit ia puth rrezja syrin,retë shëtisin,kujtimet dënesin,pishnajave ther malli” etj ,etj,mund të hulumtojmë e nxjerim figura të bukura të poetit.
Siç e vë re studiuesi Mujo Buçpapaj ,por edhe të tjerë, poeti arrin të ngrejë pyetje për kuptime ekzistenciale,po ai nuk kërkon të marrë përgjigje,sepse e pranon logjikën e jetës,vetëm se këto pyetje më tepër ngrihen të shpalosë bukurinë e jetës,qëllimi është i dukshëm,ai kërkon që, përmes kësaj shpalosje, të japë thellësinë e pasqyrimit të këtyre bukurive,të mallit,brengës,trishtimit,gëzimit,e mjaft fazave të jetës së njeriut;kjo e bën poezinë e tij metafizike,poezi të frymës së mbartur përmes mjaft vëzhgimeve të holla që kontrastojnë e përcjellin njëra tjetrën drejt kuptimeve ekzistenciale.Dhe brenda gjithë këtyre rri dëshira,që përcaktohet përmes dy fjalë kyçeve të rëndishme:çfarë më afrohet,dhe :të bëhem…Kështu dëshira e njënjëtësimit dhe e shkrirjes, kuptohet gjithmonë me atë çfarë afrohet.Afrohet liria,një peizazh,kujtimi i kullës,kujtimi i së dashurës,afrohet koha dhe në këtë rri gjithmonë varur një pyetje, a mjafton dëshira dhe ëndrra për të përfshirë bukurinë e magjishme të jetës?Kurrë! Prandaj shkëndijohet edhe vargu ,ndizet edhe terri i mallëngjimit,konturohen hijet dhe përbirohen trikot e mallit nga mola e harresës…
Ne mund të themi se poezia e Bezhanit është një poezi e një nervi të butë filozofik,që nuk ashpërsohet nga ashpërsia e jetës,ajo ruhet kështu nga një ngrohtësi e lindur e poetit,nga forca e ndjenjës dhe nga frymëzimi,pra,mbetet një poezi e frymëzuar nga kontaktet me jetën,po edhe nga burime të përvojës jetësore….Kështu ajo rrjedh si ujëvarat dhe gurrat e maleve të bjeshkës,që bien në shtratin e fushës dhe qetësohen ,për ta marrë rrugën më tutje,.Poezia e tij është e hapur dhe pranon vështrime të ndryshme interpretimi,sepse ajo nuk është një poezi që lëmohet nga kujdesi i tepruar i fjalës,po vërshon natyrshëm dhe, me shpirtin e një njeriu të shqetësuar, të mrekulluar nga bukuritë e jetës ,gdhendur nga estetika e fjalës…