Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i uroi sot ditëlindjen e 100-të “Heroit të Popullit”, veteranit të Luftës Nacional-Çlirimtare dhe të përndjekurit politik gjatë diktaturës komuniste, Gjeneral Rrahman Parllakut, nëpërmjet një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Sallën “Skënderbeu” të institucionit të kreut të shtetit shqiptar.
“Për mua si President i Republikës, është një rast fatlum dhe unik, krejt i veçantë dhe emocionues padyshim, që në selinë e Presidentit të Republikës të organizoj sot kremtimin e një jubileu të artë, të 100-vjetorit të lindjes së Heroit të gjallë Rrahman Parllaku.
Sot, ju Gjeneral Parllaku mbushni plot një shekull, një jetë e lavdishme në tri epoka; partizan dhe komandant legjendar antifashist; qëndrestar i burgjeve komuniste, si dhe një veteran me ‘arsye dhe zë të kthjellët’ në mbështetje të demokratizimit të vendit pas viteve 1990.
I ngjizur në urtinë e odave lumjane dhe i burrëruar në Labëri, përgjatë 100 viteve mbeteni “dëshmitar i gjallë” për të gjitha ngjarjet e një shekulli.
Të nderuar veteranë!
Miku ynë, Rrahman Parllaku, është i veçantë jo vetëm për moshën 100-vjeçare, por sepse si shumë rrallë tjetër në udhëtimin e tij shekullor i ka jetuar të gjitha: mjerimin, varfërinë, luftën, paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm të regjimit totalitar.
Rrugëtimin 100-vjeçar, Gjenerali Parllaku e ka përshkruar përmes fjalës e veprës së tij, duke mbetur një monument e pasuri kombëtare e pa eksploruar plotësisht.
Ne nderohemi me ty Gjeneral! Pasi, në jetën dhe veprën tuaj janë ulur këmbëkryq urtësia e burrit të malësisë, trimëria, shpirti i lirisë dhe atdhedashuria e luftëtarit antifashist dhe e komandantit partizan, si dhe angazhimi qytetar plot përkushtim.
Si uji i kristaltë i lumit të bjeshkës ka rrjedhur jeta e këtij njeriu që sfidoi kohët dhe regjimet, me përkushtimin ndaj kombit, i pathyeshëm në betejat që iu imponuan apo i zgjodhi që të bënte përgjatë 100 viteve.
Të dashur veteranë!
Dua ta përsëris, se duke festuar 100 vjetorin e Parllakut, ne nderojmë me respekt të gjithë brezin tuaj të lavdishëm, që bëri luftën antifashiste dhe shkroi një histori po aq të lavdishme për kombin.
Pas pak javësh, Europa do të festojë 9 majin, ditën e fitores mbi fashizmin dhe ne jemi krenarë për kontributin e dhënë për këtë ngjarje të madhe.
Po këtë vit ne do festojmë 75-vjetorin e çlirimit të atdheut. Prandaj të gjithë ne, e kemi detyrim të nderojmë luftën e drejtë, sakrificat sublime dhe kontributet më shumë se modeste të popullit tonë gjatë Luftës së II Botërore.
I dashur Rrahman!
Sot ju mbushni plot 100 vjeç. Jeta dhe vepra juaj flet më fort se mijëra fjalë.
Gëzuar e jetofsh shekullin e dytë të jetës, me shëndet të plotë e me sa më shumë gëzime!”, – u shpreh Presidenti Meta gjatë fjalës së rastit.
Ceremoninë e 100-vjetorit të Gjeneral Parllakut e përshëndeti edhe zoti Myfit Guxholli, në emër të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Nacional-Çlirimtare.