Presidenti amerikan Donald Trump thotë se është duke shqyrtuar mundësinë e dërgimit të emigrantëve të paligjshëm në qytetet e mbiquajtura “strehë”, të cilat kundërshtojnë politikat e tij të ashpra ndaj emigracionit.

Presidenti Trump e bëri njoftimin vetëm pak pasi zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Sigurisë Kombëtare insistuan se kjo ide ishte hedhur poshtë.

“Po e shqyrtojmë seriozisht mundësinë. Kalifornia dhe guvernatori i saj, dëshirojnë që të lejohen të vijnë shumë njerëz refugjatë. Po kështu edhe shumë qytete ‘strehë’. Prandaj, do t’i dërgojmë ndoshta në këto qytete ku të kujdesen për ta. Sipas ligjit në fuqi, ne mundemi t’i mbajmë për vetëm 20 ditë”, tha Presidenti Trump.

Në San Franscisko, Senatori demokrat Scott Wiener tha se qyteti do t’i mirëpresë emigrantët dhe shtoi se Presidenti keqkupton thelbin e emigracionit.

“I mirëpresim emigrantët në San Franscisko. Siç e dini, Presidenti pati momente acarimi dhe tha se do t’i dërgojë emigrantët pa dokumente në qytetet ‘strehë’. Por, ky është moskuptimi themelor i Presidentit për emigracionin. Emigrantët ndërtuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Emigrantët e bënë vendin tonë madhështor. Nuk na duhet Donald Trump-i për ta bërë vendin tonë sërish madhështor”, tha zoti Wiener.

Propozimi u kritikua edhe nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Është një tjetër koncept i padenjë për presidencën e Shteteve të Bashkuara dhe mosrespektim i sfidave me të cilat përballet vendi dhe populli për të mishëruar se çfarë ne përfaqësojmë – ne jemi një vend emigrantësh”, tha zonja Pelosi. Qytetet “strehë” janë njësi administrative, të qeverisura shpesh nga demokratët, të cilat kanë refuzuar t’i dorëzojnë emigrantët e paligjshëm tek autoritetet federale që mund t’i deportojnë nga vendi. Kryebashkiakët e disa prej këtyre qyteteve “strehë” deklaruan dje se do t’i pranojnë emigrantët pa dokumenta./VOA