Ballina Aktualitet Turqia dënon vendimin e Francës dhe Italisë për njohjen e gjenocidit ndaj...

Turqia dënon vendimin e Francës dhe Italisë për njohjen e gjenocidit ndaj armenëve

Jerevan- Ceremonia e përkujtimit të armenëve të vrarë (Foto Arkiv)

Turqia ka dënuar fuqishëm vendimin e Francës dhe Italisë për njohjen si gjenocid të vrasjes masive dhe dëbimin e deri në 1.5 milion armenëve, në fillim të shekullit 20-të.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron më 10 prill nënshkroi vendimin i cili e shpall 24 prillin si ditë të përkujtimit të gjenocidit ndaj armenëve.

Presidenti Macron e kishte bërë këtë premtim gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017-të.

Ministria e Jashtme turke përmes një deklarate tha se presidenti Macron e ka shfrytëzuar këtë çështje për të fituar votat e armenëve që jetojnë në Francë.

Në Francë jetojnë rreth 500.000 armenë etnik.

“Vendimi i Francës do të ndikojë në mënyrë negative në raportet me Turqinë”, thuhet në deklaratë.

Më 10 prill, Dhoma e ulët e Parlamentit të Italisë, gjithashtu miratoi një mocion për të njohur zyrtarisht vrasjet si gjenocid.

Ministria e Jashtme e Turqisë e dënoi gjithashtu veprimin e Italisë.

“Nuk është për t’u habitur që ky mocion është hartuar nga Partia Lega, e udhëhequr nga Matteo Salvini, i cili është i angazhuar për të sabotuar marrëdhëniet midis Turqisë dhe Italisë”, thuhet në deklaratë.

Turqia thotë se armenët vdiqën në numër shumë më të vogël dhe për shkak të grindjeve civile dhe jo si një përpjekjeje e planifikuar dhe sistematike nga ana e Qeverisë osmane kundër pakicës së krishterë.

Armenia thotë se vrasja masive është një nga shembujt e parë të gjenocidit në historinë moderne, përpara Holokaustit të kryer nga Gjermania naziste kundër më shumë se 6 milion hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.