Ju vizitoni Venecian dhe më pas paguani (3 euro)… Por qyteti nuk është i vetmi destinacion që po përpiqet të kufizojë fenomenin e “overtourism” me një taksë të re, ose duke rritur taksat aktuale.
Nga Bali në Norvegji, nga Amsterdami në Meksikë, më poshtë është një panoramë e disa vendeve turistike që shumë shpejt mund të bëhen më të shtrenjta gjatë kësaj vere.
Venecia, “taksa e re e zbarkimit”, deri në 10 euro për ata që vijnë në qytet
Në fund të shkurtit, Këshilli Bashkiak i Venecias miratoi rregulloren për aplikimin e tarifës së hyrjes në qendrën historike, që varion nga 2,5 në 10 euro, dhe duhet të paguhet nga të gjithë ata që vijnë në Venecia.
Më specifikisht, deri më 31 dhjetor 2019, tarifa është 3 euro; duke nisur nga viti 2020 do të rritet në 6 euro. Tarifa mund të shkojnë deri në 10 euro në ditët me fluks të madh turistësh. Mbledhja e kësaj takse do t’u besohet përfaqësuesve të transportit.
Firence, taksë qëndrimi minimale 2 euro, maksimale 5 euro
Edhe në Firence, taksa ndryshon në varësi të strukturës së akomodimit. Ju do të paguani më pak, në hotele me më pak yje, dhe deri në 5 euro për person, për një natë “5 yje”.
Amsterdam, 8 euro për ata që udhëtojnë me kroçerë
Për të kufizuar numrin e turistëve, ekziston një taksë qëndrimi e barabartë me 6% të çmimit që turistët duhet të paguajnë për çdo natë të kaluar në hotel, bed and breakfast, hostele apo kampingje. Kjo taksë do të dyfishohet brenda vitit (ndërkohë po diskutohen detajet). Duke nisur nga janari 2019, Amsterdami ka vendosur një taksë edhe për ata që udhëtojnë me kroçerë. Të gjithë turistët që nuk do ta nisin apo përfundojnë udhëtimin e tyre në portin e Amsterdamit, do të paguajnë një taksë prej 8 eurosh në ditë.
Japoni, taksa Sayonara
Duke filluar nga janari i këtij viti, të gjithë (turistë dhe vendas) duhet të paguajnë taksë në momentin kur largohen nga vendi. Këto të ardhura do të financojnë projekte të reja në turizëm, edhe Lojërat Olimpike të Tokios që do të zhvillohen vitin tjetër. Taksa do të rritet në 1000 jen (me kursin aktual, rreth 8 euro). Taksa vlen si për ata që udhëtojnë me avion, si me anije.
Edinburg, e para në Mbretërinë e Bashkuar
Edhe qytete më pak “të famshme” por gjithnjë e më shumë të vizituara, po marrin masa. Edinburgu, kryeqyteti i Skocisë, do të bëhet qyteti i parë në Mbretërinë e Bashkuar që do të vendosë një taksë qëndrimi, 2 paund nata, rreth 2,28 euro. Këshilli bashkiak e ka marrë këtë vendim për shkak të fluksit gjithnjë e më të madh të turistëve. Mes viteve 2015 – 2017, qyteti regjistroi rreth 1,75 milionë vizitorë. Këshilli parashikon që të ardhurat nga kjo taksë do të jenë rreth 15 milionë paund.
Norvegji, biletari në terminalet e anijeve kroçerë
Norvegjia mbetet një nga destinacionet më trendi, të gjithë duan ta shohin natyrën e paprekur të vendit. Por jo të gjithë norvegjezët janë entuziastë. Rezultati janë taksat turistike lokale të vendosura në Lofoten e a Nordkapp. Një model i ngjashëm është adoptuar me sukses në vitin 2007 edhe në Svalbard, të gjithë turistët që vizitojnë arkipelagun e Oqeanit Arktik paguajnë një taksë 150 nok, rreth 15,59 euro, e përfshirë edhe në biletën e avionit, e cila shkon në një fond për financimin e projekteve kulturore dhe mjedisore.
Bali, 10 dollarë për të hyrë
Për t’i bërë ballë fluksit në rritje të turistëve (dhe plehrave) që po pushtojnë parajsën e Balit, autoritetet indoneziane kanë miratuar prej pak kohësh një taksë ekologjike (siç ndodh që prej vitit 2016 në Majorka). Taksa do të rritet në 10 dollarë për të gjithë vizitorët e huaj, që turistët duhet ta paguajnë kur largohen nga vendi.
Indonezia, dragoi i Komodos (hardhuca më e madhe në botë)
Të shikosh kafshët? Vetëm me pagesë. Kjo është strategjia e re e autoriteteve të Komodos, ishull i Indonezisë. Mijëra turistë vijnë këtu për të parë nga afër ‘dragoin’ e Komodos (Varanus komodoensis), një nga kafshët më të frikshme që jetojnë në tokë. Deri më tani taksa ishte 9 euro. Por taksa është rritur në 440 euro, 50-fish më shumë. Guvernatori i provincës tha pak kohë më parë: “Kush nuk ka mjaftueshëm para, të mos e marrë mundimin që të vijë”.
Kroaci, taksa e “Game of Thrones”
Taksa e qëndrimit në Kroaci ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2005, por turizmi në vend është rritur shumë në vitet e fundit, falë edhe “Games of Thrones”. Dubrovniku dhe Spliti janë vende kyçe në skenarin e këtij filmi. Që prej janarit të këtij viti, taksa e qëndrimit është rritur me 25%. Vizitorët do të paguajnë 10 kuna (1,3 euro) për person/nata.
Zelanda e Re, 21 euro në verë
Vizitorët e huaj që vijnë në Zelandë të Re duhet të paguajnë rreth 21 euro. Taksa duhet të hyjë në fuqi në gjysmën e dytë të vitit 2019.
Chichén Itzá, çmimi dyfishohet
Kompleksi arkeologjik Chichén Itzá, i cili ndodhet në veri të Gadishullit Yucatan në Meksikë, është një nga shtatë mrekullitë e botës moderne. Për të vizituar këtë vend, pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s që prej vitit 1998, një nga destinacionet më të vizituara në të gjithë Amerikën Qendrore, autoritetet lokale kanë vendosur një taksë, e cila përfshihet direkt në biletën e hyrjes. Çmimi është më shumë se dyfishuar. Për të vizituar rrënojat e qytetit të vjetër Maya, ju duhet të paguani 480 pesos (rreth 22 euro).
Taj Mahal, shumë turistë, 17 euro
Çmimi i biletës për të huajt që vizitojnë monumentin më të famshëm indian në botë, Taj Mahal është rritur në 17 euro në fillim të këtij viti. Kjo masë është marrë nga qeveria për të mbrojtur këtë monument nga fluksi i turistëve, i cili çdo ditë vizitohet nga rreth 70 mijë turistë.
Marrë me shkurtime nga Corriere della Sera