Sistemi Amerikan i Parqeve Kombëtare përfshin parqe, monumente dhe qendra të mbrojtura historike. Kjo agjenci federale e themeluar në vitin 1916, është duke ndryshuar vazhdimisht. Për shembull, 26 parqe që menaxhonte fillimisht, janë hequr nga lista e pronave të saj. Disa prej tyre, iu transferuan shteteve dhe për disa të tjerë u mendua se ishin tepër të shtrenjtë për t’u ruajtur. Megjithëse Presidenti Trump i ka reduktoi shumë përmasat e njërit prej parqeve, Monumentit Kombëtar të Jutas, që kur ai erdhi në Shtëpinë e Bardhë, janë krijuar katër parqe të tjera.

“Indiana Dunes” është parku më i ri kombëtar i Amerikës, për të cilin është dashur edhe koha më e gjatë që të merrte një status të tillë, thotë inspektori Paul Labovitz.

U deshën 103 vjet për të ndryshuar emrin. Parku Kombëtar i Indianës u propozua në vitin 1916, nga drejtori i parë i shërbimit të parqeve kombëtare, Stephen Mather,“- thotë inspektori.

Planet për parkun u prishën gjatë Luftës së Parë Botërore, kur prona e liqenit ishte e nevojshme për uzinën e çelikut dhe pastaj përsëri gjatë industrializimit të Portit të Indianës. Por, natyra dhe dunat e gjetën një mënyrë për të lulëzuar.

Pastaj në vitet 2017 dhe 2018, ligjvënësit e Indianës përsëri e paraqitën në Kongres legjislacionin për parkun.

Gjatë mbylljes historike të qeverisë në vitin 2019, Kongresi miratoi, si pjesë e një ligji masiv për të financuar dhe rihapur qeverinë, edhe legjislacionin e parkut.

Fakti që fondet për Parkun u miratuan si pjesë e ligjit për buxhetin ishte një fitore e madhe për ne, asnjë nga ne nuk e dinte që kjo do të ndodhte, prandaj ishte një nga surprizat më të mëdha e të këndshme që kemi patur“- thotë drejtori i turizmit të parkut.

Përcaktimi i Brigjeve të Liqenit Kombëtar dhe Dunave si pjesë e Parkut Kombëtar nuk sjell ndonjë ndryshim financimi, por i jep Dunave një status të ngjashëm me parqet e tjera të mëdha kombëtare, si Yellowstone dhe Yosemite.

Ndër të parët që e vizituan Parkun pas ndryshimit të statusit, ishin Bill dhe Betty Smith nga Konektikati, të cilët tashmë kanë qenë në 60 parqet kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ajo që unë dua të shoh janë kryesisht dunat e rërës, mendoj se ky është ndoshta tipari më i veçantë i këtij parku të ri kombëtar; dua të shoh disa nga sistemet e rrugicave nga kalohet, thjesht dua ta njoh vendin“- thotë Bill Smith.

Parku ka peizazh të larmishëm: një liqen 483 kilometra të gjatë, dunat ranore që zhvendosen më shumë se një metër në vit dhe sistemet e ndërlikuara të shtigjeve të kalimit, ku mund të shohësh disa nga bimët më të shumëllojshme dhe të rralla të Amerikës Veriore.

Një park kombëtar ka gjithmonë diçka të veçantë: ai është i bukur dhe unik. Parqet janë të çmuara në aspektin e burimeve natyrore, bukurisë natyrore, kafshëve të egra dhe janë pjesë e eksplorimit të këtij vendi të madh“, thotë zoti Smith.

Parku “Indiana Dunes” tërheq më shumë se 3.6 milionë vizitorë çdo vit – dhe me përcaktimin e tij rishtazi si Park Kombëtar, kjo shifër pritet të rritet.