WASHINGTON — Kur ligjvënësja Alexandria Ocasio-Cortez dhe Senatori Ed Markey propozuan projektligjin Marrëveshja e Re e Gjelbër, zoti Markey tha se do të ishte “programi më i mirë për krijimin e vendeve të reja të punës për punëtorët amerikanë të këtij brezi”.
Presidenti Trump, nga ana e tij, tha se programi “do të nxirrte nga puna miliona amerikanë”.
Duket se janë krijuar kampet pro dhe kundër propozimit të parë madhor amerikan në përgjigje të ndryshimeve klimatike në afro një dekadë, bazuar në pyetjen: A ndikojnë përpjekjet për të penguar ndryshimet klimatike për të ndihmuar apo për të dëmtuar ekonominë?
Në muajt në vazhdim Zëri i Amerikës do të analizojë mënyrat që po diskutohen si përgjigje ndaj ndryshimeve klimatike, por pa dëmtuar shanset e punësimit për amerikanët.
Korrespondentë të Zërit të Amerikës do të takohen me ata që dalin të fituar dhe ata që humbasin nga tranzicioni në ekonomi të gjelbër. Fillimisht një vizitë në shtetin e Senatorit Markey, Masaçusets ku do të vizitojmë një qytet ku sapo është mbyllur një ndër centralet e fundit energjetike me qymyrguri, duke nxjerrë nga puna punëtorët, ndërkohë që është hapur një central për prodhimin e energjisë nga panelet diellore. Kjo vizitë do të ndihmojë për të kuptuar si po ndikojnë investimet që ka bërë Masaçusetsi tek rritja ekonomike dhe punësimi.
Megjithëse Senati e hodhi poshtë propozimin e përfaqësuesve Markey dhe Ocasio-Cortez, ky projektligj e ka rikthyer temën e ndryshimeve klimatike në vëmendjen e Kongresit. Edhe udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, një kundërshtar i fortë i masave për të ulur ndotjen me gaze karbonike, tani pohon se ndryshimet klimatike janë një kërcënim real i ndikuar nga aktiviteti i njeriut.
Nga ana tjetër, presidenti është shprehur se ndryshimet klimatike janë një shqetësim i sajuar dhe ka folur për nevojën për të zgjeruar nxjerrjen e qymyrgurit, naftës dhe gazit si rruga drejt rritjes ekonomike.
Mot më i nxehtë, më i thatë/më i lagësht
Po shtohet presioni ndaj përfaqësuesve të zgjedhur për të vepruar. Po bëhen gjithnjë e më të qarta pasojat e ndryshimeve klimatike.
Tetë nga 10 vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë ishin gjatë dekadës së fundit.
Kushte më të nxehta dhe thatësira më e theksuar në Kaliforni shkaktuan përhapjen e zjarreve duke rezultuar në 24 miliardë dollarë dëme si dhe 106 të vdekur vjet. Zjarret prekën hapësirën më të madhe të dëmtuar ndonjëherë nga zjarri, duke thyer rekordin e vendosur një vit më parë.
Ngrohja e atmosferës rezulton në akumulimin e një sasie më të madhe lagështie, duke sjellë rreshje tepër të dendura si Uragani Florence vjet. Ky urgagan shkaktoi 24 miliardë dollarë dëme; në 2017 uragani Harvey shkaktoi 127.5 miliardë dollarë dëme në Hjuston dhe përreth.
Shkencëtarë nga 13 agjenci qeveritare përllogarisin se nëse vazhdon çlirimi i gazeve me këto ritme, temperaturat e larta do të vazhdonin t’i kushtonin ekonomisë 155 miliardë dollar në vit humbje nga produktiviteti deri në vitin 2090 pasi i nxehti do t’i bënte shumë ditë të papërballueshme për aktivitet. Pakësimi i rezervave ujore do të shkaktonte humbje prej 316 miliardë dollarësh në vit. Kostoja e virusit të Nilit Perëndimor, një ndër sëmundjet e shumta që përhapen gjatë temperaturave të larta, do të sjellë 3 miliardë dollarë dëme shtesë.
Anketat tregojnë se amerikanët po e ndjejnë më shumë se kurrë kërcënimin e ndryshimeve klimatike. 73% e tyre thonë se ngrohja globale është reale dhe 62% thonë se ky fenomen është në pjesën më të madhe pasojë e aktivitetit të njeriut. Këto janë shifrat më të larta të regjistruara nga Programi i Universitetit Yale mbi Klimën që filloi të zhvillonte anketa në 2008.
Dy e treta thonë se janë të shqetësuar ose shumë të shqetësuar. Për herë të parë, një e treta e këtij grupimi janë republikanë.
Ndërkaq, qeveria federale po vepron në drejtim të kundërt. Administrata Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Traktati i Parisit dhe po punon për të lehtësuar kufizimet e vëna nga administrata Obama për të kufizuar çlirimin e gazeve ndotëse nga centralet energjetike dhe automjetet.
Si rezultat, shtete individuale, qeveri lokale dhe biznese po hidhen në veprim. Por këto masa kanë kosto.
Çmimi i Ndotjes
Një ndër mënyrat është duke përllogaritur një çmim që duhet paguar për gazet karbonike që çlirohen në hapësirë. Rritja e këtij çmimi rezulton në uljen e kërkesës për lëndë djegëse që shkakton ndotje dhe i nxit kompanitë dhe konsumatorët të gjejnë burime të tjera energjetike, thonë ekonomistët.
Fondet që grumbullohen nga ky çmim më i lartë mund të përdoren për investime për uljen e ndotjes.
Nëntë shtete kanë vënë çmim mbi gazet ndotëse, përmes një sistemi me nivel tavan dhe mundësi shkëmbimi, ku një biznes që shkakton ndotje blen leje për tonelatat e gazeve ndotëse që çliron në atmosferë. Kalifornia ka një program të tillë.
Në shtetet që kanë në veprim programe të tilla, ekonomia ka vazhduar të rritet dhe ndotja ka rënë.
“Flitet shumë për taksën e gazit karbonik si masë dëmtuese për ekonominë. Por nuk ka asnjë provë shkencore që e mbështet këtë argument,” thotë ekonomistja Adele Morris e Institutit Brookings.
Por këto politika nuk janë shumë popullore për politikanët. Një propozim për sistemin e pagesave për ndotje në shkallë kombëtare nuk u miratua në Kongres në 2010. Vjet votuesit në shtetin e Uashingtonit hodhën poshtë propozimin për taksë mbi gazet karbonike.
Po ashtu, probemi nuk mund të zgjidhet vetëm nga Shtetet e Bashkuara. Angazhimet e marra nga SHBA dhe vende të tjera në Paris nuk arrijnë të përmbushin zotimin për ta mbajtur temperaturën e globit “nën 2 gradë celcius më lart se në periudhën para industrializimit”.
Kjo do të kërkonte që çmimi prej 40-80 dollarësh për tonelatë gazi ndotës të rritet në 50-100 dollarë deri në 2030, sipas një komisioni që mbështetet nga Banka Botërore. Aktualisht çmimi në Kaliforni është 15 dollarë për ton, ndërsa në shtete të tjera është 5 dollarë.
“Mbetet pa përgjigje pyetja nëse objektivi i rekomanduar nga shkencëtarët është i arritshëm politikisht. Sa e madhe është barra financiare që janë të përgatitur të përballojnë amerikanët?” – pyet zonja Morris.
Në mungesë të masave federale
Ndërkohë që administrata po tërheq Shtetet e Bashkuara nga Traktati i Parisit, një numër shtetesh po marrin masa individuale.
Shumë prej tyre kërkojnë nga kompanitë e prodhimit të energjisë që një përqindje e prodhimit të realizohet nga burime të ripërtëritshme. Disa nga këto shtete e kanë rritur këtë përqindje kohët e fundit. Nju Meksiko iu bashkua Kalifornisë me synimin që në mes të shekullit 100% e energjisë në këtë shtet të prodhohet nga burime të ripërtëritshme.
Edhe sektori privat është hedhur në veprim. Pas njoftimit të administratës për tërheqje nga Traktati i Parisit, më shumë se 2000 biznese dhe investitorë deklaruan mbështetjen e tyre për traktatin.
Një grup i madh investitorësh që menaxhojnë mbi 30 trilionë dollarë fonde investimesh, po nxisin kompanitë me të cilat operojnë të marrin masa.
“Duhet të punojmë me kompanitë në sektorë me ndotje të lartë për të ndryshuar në mënyrë radikale mënyrën si operojnë, ose të shkëputemi prej tyre,” thotë Mindy Lubber, president e Ceres, një shoqatë jofitimprurëse, themeluese e nismës “Veprim për Klimën 100+”.
Nën presionin e kësaj nisme, kompanitë e naftës Shell dhe BP thanë kohët e fundit se shpërblimet për drejtuesit do të ishin të kushtëzuara nga masat kundër ngrohjes globale. Kompania minerare Glencore ra dakord kohët e fundit të mos zgjerojë operacionet e shpimeve.
Për investitorët, thotë zonja Lubber, rreziku nuk vjen nga masat kundër ngrohjes globale, por nga pasiviteti për të ndalur këtë problem. “Nëse nuk ndalim ngrohjen globale, shkatërrojmë ekonominë,” thotë ajo./ VOA