Në Havanë, Kubë, u përurua muzeu kushtuar Ernest Hemingway. Memoriali kushtuar shkrimtarit amerikan të Kubës ante litteram, njeriu i madh i letrave i cili jetoi aty në vitet ’40 dhe ’50 të shekullit të kaluar, u përurua këtë fundjavë.
Ky është një ndër frytet më të rëndësishme pas rivendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, edhe pse konkretizohet vetëm sot.
I ndërtuar aty ku ndodhej shtëpia e vjetër e shkrimtarit, muzeu kushtuar autorit të “Lamtumirë armë” dhe “Plaku dhe Deti” kushtoi 2,1 milionë dollarë (pak më shumë se 1 milion euro) dhe është fryt i një joint venture mes Finca Vigía Foundation në Boston dhe Këshillit Kombëtar për Pasuri Kulturore të Kubës.
Ndërtimi i tij nisi në vitin 2016. Në të ndodhen shumë sende të cilat i përkisnin shkrimtarit, ndër të cilat 9 mijë libra, 10 mijë letra e 5 mijë fotografi, si dhe shumë kujtime të tjera, ndër to edhe trofetë në gjueti. Të gjitha këto shoqërohen me teknologjitë më të përparuara për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e objekteve të tilla delikate nga klima e nxehtë dhe e lagësht e tropikut.
“Ky muze që po përurojmë është i vetmi në Kubë me këto teknologji – tha drejtuesja e tij, Greisell Franga, – falë të cilave do të mund të ruajmë pasurinë që na ka lënë trashëgimi Heminway në vendin tonë”.