Qemal Lepeniva kindi në vitin 1927 në Lepenicë. Në moshën 15 vjeçare u rendit në çetën “Shqiponja” të Hysni Lepenicës dhe luftoi kundër pushtuesit të huaj. Pas çlirimit shërbeu si mësues dhe në vitin 1950 u arratis nga Shqipëria. Vdiq në Nju Xhersi të SHBA më 5 shkurt 2018.

Që në moshën 7 vjeçare,

I mbetur jetim nga nëna,

Përmbi supe hodhi halle,

E zunë halle të rënda.

Luftë për shkollë e luftë për dije,

Luftë me armë kundër armikut,

Qemal Lepenica s’jepet,

Para zjarrit dhe rrezikut.

Merr pjesë në çetën “Shqiponja”,

Në moshë fare të re,

Në Gjorm e në Drashovicë,

Çau përpara si rrufe.

Mbaroi shkollë tregëtare,

Po mëndjen e kish në fshat,

Atje çetat partizane,

Vranë e prenë e bënë fesat.

Vrau xhaxhan mizoria,

Xhelal Hoxhën e shkretë,

Tym e flakë mori shtëpia,

Zjarri ngjitej gjer te retë.

Djemtë e lepeniciote,

Sa drama u pa syri,

Të zgjuar e patriot,

Nga baba ngjante i biri.

U bë fshati kasapanë,

Pellgjet e gjakut s’u thanë,

Sa u prenë e sa u vranë,

Sa të tjerë muar dynjanë.

Edhe Qemal Lepenica,

E kaloi kufinë një ditë,

Me luftë e me sakrifica,

Arriti në Amerikë.

U shkollua u martua,

U bë dhëndërr kosovar,

Nacionalist i tërbuar,

Pjesë e Ballit Kombëtar.

Për të fali pasurinë,

Pasurinë dhe diturinë,

Se e deshi Shqipërinë,

Nuse të bukur me sqimë.

Dhe familjen që ndërtoi,

E gëzuan, i gëzoi,

I rriti dhe i shkolloi,

Dhe i la në pararojë.

Jetë të trazuar jetoi,

Por betejat i fitoi,

Me guxim e me përpjekje,

Që nga lindja gjer në vdekje.

 

S h ë n i m:

Pasi lexova monografinë e  mikut tim të nderuar, historianit Enver Memishaj, alias Lepenica, mëndja dhe dora hartuan këto vargje për martirin e heshtur Qemal Lepenica, të cilit më 6 nëntor 1943, forcat partizane i dogjën shtëpinë dhe i vranë xhaxhanë si udhëheqës i Ballit Kombëtar. Autori këtij libri historiani talentuar  dhe i pa lodhur  i cili që nga viti 1990 punon, studion, gërmon dhe boton dhe i gjën djemtë e nënave që i përzuri diktatura komuniste  e i shpuri në fund të botës. Ky është një mision sa fisnik aq edhe human që i vendos burrat e këtij dheu në vendin që u takon.

Urime e suksese, autorit të botimit të 20 librave të vlerësuar, të fushës së historisë.