Përbërësit:

10 karkaleca
1 kungulleshk
1 spec i kuq
1patllixhan
2 lugë mjaltë
stika pishe
200 gr kadaif i njomë
vaj ulliri
kripë

Përgatitja:

Qëroni karkalecat nga lëvozhga e tyre dhe bëni një të çarë në kurriz në mënyrë që ti hiqni fijen e zezë. Lajini dhe thajini me letër kuzhine. Merrni pak kadaif dhe hapeni me duar dhe mbështillni karkalecat një e nga një. Vendoseni në një tavë me letër furre poshtë, hidhini  pak vaj ulliri dhe vendoseni të piqet në 200°C për 10-15 minuta ose kur shihni që kadaifi është bërë krokant dhe ka marrë ngjyrë të kuqerremtë.

Ndërkohë lani dhe prisni perimet në kubikë. Në një tigan me fund që nuk ngjit shtoni pak vaj dhe skuqini të gjitha perimet së bashku në zjarr të lartë. Perimet duhet të rezultojnë të skuqura dhe pak krokante dhe jo të qullura. Shtoni pak kripë. Stikat e pishës i thekni në një tjetër tigan pa vaj. kur të jenë gati i bashkoni me perimet.
Servirni pjatën duke bërë një shtresë me perime dhe karkalecat me kadaif sipër tyre. Sipër shtoni mjaltin.