Njerëzit hanë për arsye të ndryshme që shkojnë përtej urisë.
Ndonjëherë, mërzia, stresi, trishtimi por edhe lumturia nxisin një uri të pashpjegueshme.
Ka raste kur nevoja për ushqim e nxitur nga arsye emocionale mund të shkaktojë neps të pafrenueshëm që nxit shtimin në peshë.
Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni si të bëni dallimin mes urisë emocionale dhe asaj të vërtetë.
Uria e vërtetë
Uria e vërtetë bazohet në një nevojë të mirëfilltë për ushqim dhe rritet ngadalë.
Pasi keni ngrënë, uria shuhet dhe nevoja plotësohet.
Uria Emocionale
Uria emocionale është një reagim ndaj një ndjenje të mirë apo të keqe dhe zakonisht ka të bëjë me nepsin për një ushqim të caktuar.
Zakonisht bëhet fjalë për ushqime të ëmbla ose me yndyrë por këto ushqime nuk e shuajnë këtë uri dhe njeriu vazhdon të hajë pa u ngopur.
Pasi njeriu ha, përballet me ndjesinë e turpit ose fajit.
Si matet uria
Njësia matëse e urisë nuk ka të bëjë me fizikën.
Njeriu mund ta dallojë atë duke i vënë një notë nga njëshi deri tek dhjeta.
Njëshi nënkupton atë që në gjuhën popullore përshkruhet si : ‘ po vdes për të ngrënë’ dhe dhjeta tregon se jeni krejtësisht të ngopur.
Përpara se të hani diçka përpiquni të vlerësoni urinë tuaj.
Nëse ndieni se uria merr notën mbi pesë, atëherë me siguri jeni duke ngrënë për shkaqe emocionale.
Njeriu duhet të hajë patjetër kur uria renditet diku mes treshit dhe katrës dhe nuk duhet të presë as edhe një minutë nëse uria gradohet në 1.
Si të përballeni me urinë emocionale
Ekspertët, të cilëve u referohet AgroWeb.org rekomandojnë mbajtjen e një ditari ushqimor për të përcaktuar më shumë nevojat tuaja të vërteta.
Kur e ndieni që uria juaj nxitet nga emocionet atëherë kontaktoni me një mik, ecni ose lexoni një libër.
Prisni të paktën pesë minuta përpara se të hani për të përcaktuar nëse jeni me të vërtetë të uritur apo jeni thjesht të ndikuar nga emocionet