Mblidhet për herë të parë Asambleja Parlamentare Franko -Gjermane

Në kryeqytetin francez, Paris është mbledhur për herë të parë Asambleja Parlamentare Gjermano-Franceze, e përshkruar ndryshe si një “miniparlament” i ri për Europën.

Propozimi i bërë 16 muaj më parë nga presidenti i Francës, Emanuel Macron, tani është bërë realitet. Në spektrin politik gjerman flitet për moment historik, ndërsa AfD dhe e Majta, ndonëse e refuzuan Marrëveshjen në Bundestag, janë sërish të pranishme në Paris, si të gjitha grupet e parlamentit gjerman.

Asambleja e re do të mblidhet të paktën dy herë në vit dhe do të shoqërojë veç kësaj këshillat e ministrave të të dyja palëve si dhe punën e këshillit gjermano-francez të Mbrojtjes dhe të Sigurisë.

50 deputetë nga secili vend marrin pjesë aty, e janë nga pothuajse të gjitha partitë politike. Lëvizja pason nënshkrimin e traktatit të Aachenit, e synon nxitjen e bashkëpunimit franko-gjerman në Europë.

Traktati praktikisht i angazhon të dy vendet të pajtohen me një pozicion dhe të dalin me deklarata të përbashkëta mbi çështjet madhore të BE-së, në vend që të ndjekin agjenda të veçanta.

Të njëjtën gjë do të bëjnë dhe në OKB. Por përse kjo këmbëngulje për ta forcuar në këtë mënyrë një aleancë të konsoliduar tashmë, siç është ajo mes Berlinit e Parisit?

Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini ka qenë një prej kundërshtarëve më të zëshëm të aksit “franko-gjerman”, dhe pritet gjerësisht ta zgjerojë aleancën euroskeptike në zgjedhjet e europiane të muajit maj, çka ngjall shqetësim.

Pakënaqësi megjithatë, përballe frontit të forcuar mes Gjermanisë dhe Francës, nuk ka vetëm në këtë krah, pasi edhe vetë presidenti i Këshillit Europian, Jean-Claude Juncker lëshoi një paralajmërim pas firmosjes se traktatit, duke theksuar se forcimi i bashkëpunimit në formate të vogla nuk është alternativë ndaj bashkëpunimit në të gjithë Europën.